SHBA: Nëse Kina sulmon ushtarakisht Tajvanin, ushtria amerikane do të hyjë në luftë kundër Kinës
Gjatë kësaj jave, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin do të takohet me homologun e tij kinez, në kuadër të një forumi të mbrojtjes në Singapor. Ky do të jetë një takim i rrallë ballë për ballë mes përfaqësuesve të lartë amerikanë dhe kinezë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës nga Seuli, Bill Gallo, palët mund të mos gjejnë shumë gjuhë të përbashkët, në këtë periudhë kur marrëdhëniet mes tyre janë të tensionuara.
Treguesi i fundit i tensioneve SHBA-Kinë. Avionë ushtarakë kinezë dhe rusë fluturuan në fund të muajit të kaluar pranë hapësirës ajrore të aleatëve aziatikë të Shteteve të Bashkuara, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden vizitonte Azinë për t’i dërguar një mesazh Kinës.
Lufta e Rusisë në Ukrainë ka thelluar edhe më shumë përçarjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Megjithëse Kina nuk e ka mbështetur hapur luftën e Rusisë, ajo është zotuar për ruajtjen e lidhjeve të ngushta me Moskën, gjë që ka nxitur shqetësime në Uashington.
“Kina po tregohet e afërt me një vend shumë agresiv. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se Kina mund të mbajë të njejtin qëndrim ndaj Tajvanit, të përdorë forcë brutale, për të arritur synimet e saj”, thotë Joseph Bosco, ish zyrtar i Pentagonit.
Kina e sheh Tajvanin demokratik si pjesë të territorit të saj dhe kërcënon marrjen me dhunë të tij.
Presidenti Biden premtoi se Shtetet e Bashkuara do ta mbrojnë Tajvanin, nëse Kina e sulmon, gjë që ka shtuar frikën për një konflikt superfuqish.
Tajvani do të jetë në qendër të takimit të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe homologut të tij kinez në Singapor këtë javë, megjithëse analistët nuk presin që ky takim të sjellë ndonjë përparim.
“Çështja e Tajvanit është ndoshta mosmarrëveshja më e madhe midis dy superfuqive”, thotë Lim Tai Wei nga Universiteti Kombëtar i Singaporit.
Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë shpeshtuar shfaqjet e fuqisë së tyre ushtarake në rajonin përreth Tajvanit. Shumë vende të tjera frikësohen nga mundësia e shpërthimit të një konflikti të madh.
“Shumica në rajon preferojnë të shohin hapa të vogla drejt uljes së tensioneve, duke e ditur se nuk është e mundur zgjidhja e një çështjeje kaq të ndërlikuar. Të paktën të gjejnë disa pika të përbashkëta, që të kenë një mjedis më të përshtatshëm për bisedime”, thotë zoti Tai Wei.
Ka disa fusha ku Shtetet e Bashkuara dhe Kina mund të bashkëpunojnë, duke përfshirë ndryshimet klimatike dhe çështjen bërthamore të Koresë së Veriut. Por niveli i marrëdhënieve për momentin, nuk lë shumë hapësirë për bashkëpunim./VOA/