SHBA/Pas 100 vitesh ndodhi që nuk zgjidhet kryetari i Kongresit në votimin e parë!

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresi amerikan po zhvillon votimin për të zgjedhur kryetarin e saj të ri. Pas zgjedheve të nëntorit, Dhoma e Përfaqësuesve kontrollohet nga republikanët.

Ish drejtuesi i tyre kur ishin në pakicë, ligjvënësi republikan Kevin McCarthy që mendohej të zgjidhej kryetar i ri i Dhomës duket se po ndeshet me probleme brneda partisë së tij për shkak të kundërshtisë së një grupi ligjvënësish.

Kevin McCarthy mund të bëhet politikani i parë pas 100 vjetësh, që nuk arrin të sigurojë mbështetjen e nevojshme brenda partisë, për t’u zgjedhur në krye të kësaj Dhome, që në raundin e parë të votimit.

Sesioni i ri i Kongresit, shënon edhe një epokë të re të një qeverisjeje të ndarë, pasi demokratët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit. Në Senat, demokratët do të vazhdojnë të kenë kryesinë, ndonëse me një diferencë tejet të vogël. Republikanët në Dhomën e Përgaqësuesve pritet t’i kundërvihen agjendës së Presidentit Joe Biden, partia e të cilit pati pushtet të plotë në Uashington për dy vjet me radhë.

Por fillimisht, republikanët duhet të zgjedhin kryetarin e tyre.

Një brez i ri republikanësh që mbështesin ish Presidentin Donald Trump, janë kundër zotit McCarthy duke argumentuar se ai nuk është konservator sa duhet dhe nuk është aq i ashpër për të luftuar demokratët.

Që të zgjidhet në krye të Dhomës së Përfaqësuesve me 435 anëtarë, zotit McCarthy i duhen 218 vota. Republikanët kanë aktualisht 222 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, prandaj zoti McCarthy, nuk mund të humbasë më shumë se vetëm disa vota.

Një grup i madh, por më pak i zëshëm i përkrahësve të zotit McCarthy, nisën fushatën e tyre, duke theksuar se nuk do të mbështesin asnjë kandidat tjetër veç tij.

Zoti McCarthy është zotuar se do të luftojë deri në fund. Nëse ai nuk arrin të sigurojë votat e nevojshme, kjo do të ishte hera e parë që nga viti 1923 që Kryetari Dhomës së Përfaqësuesve nuk zgjidhet që në raundin e parë të votimit.

Zgjedhja e kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve bëhet përpara se ligjvënësit të bëjnë betimin për mandatin e tyre dyvjeçar.

Pa zgjedhjen e Kryetarit Dhoma e Përfaqësuesve nuk mund të kryejë plotësisht veprimtarinë e saj, që nga emërimi i kryetarëve të komisioneve deri tek hetimet ndaj administratës së zotit Biden që pritet të jenë thelbësore për agjendën e republikanëve./VOA/

SHKARKO APP