Si i vendosi pasuritë kryetari i AMA?

Pasurimi i beftë i Kryetarit të AMA-s dhe bashkëshortes së tij me 164 mijë euro gjatë vitit të parë në detyrë (dhjetor 2015-dhjetor 2016) ndërkohë që të ardhurat vjetore të deklaruara nga dy bashkëshortët janë vetëm 17 280 euro.

Gentian Sala u emërua si Kryetar i Autoritetit te Mediave Audio Vizive në 06 qershor të vitit 2014, nga ku edhe rrjedh.

I detyruar nga funksioni i ri ai ka deklaruar pasurinë për vitin 2015, një periudhë e rëndësishme për të në karrierë, pasi institucioni që ai drejton ka një rol dominues në tregun mediatik në prag të licencimit të operatorëve televizivë me licenca kombëtare dixhitale.

Por a është prekur Gentian Sala, kryetar i Autoritetit të Mediave Audivizive, nga interesat e botës mediatike dhe politike?

Në formularin e deklarimit te pasurisë të vitit 2015 Gentian Sala ka deklaruar se zotëron një apartament në zonën e ish-Bllokut, njëkohësisht edhe 4700m2 tokë arë në Kruje – Mazhe e Madhe.

Çuditërisht sapo vihet në krye të AMA-s familjarët i dhurojnë një orë Perrelet Chronograph GMT Skeleton e cila kushton 19 mijë dollarë, ose e konvertuar në lekë rreth 25 milionë lekë.

Në formularin e deklarimit te pasurisë ka një kolonë të veçantë ku duhet përshkruhet në mënyrë të hollësishme lloji i dhuratës, vlera dhe identiteti i personit që e ka bërë dhuratën.

Por Gentian Sala e ka lënë bosh vendin e këtij përshkrimi kur bëhet fjalë për orën, një markë e kushtueshme. Pranon se e ka dhuratë për martesë nga familjarët, por pa thënë siç detyrohet me ligj, se kush konkretisht e ka bërë dhuratën.

Paga mujore neto e kryetarit të AMA është 1 milion lekë të vjetra ose 740 euro. Dmth në një vit bën 8 880 euro.

Por kjo është vetëm maja e ajsbergut

Më 5 shkurt 2015 bashkëshortja e Gentian Salës, ka deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 217.5 metra katror në “Rezidencen Platea” që ndodhet rrugës për në Dajt.

Njëkohësisht tek e njëjta zonë deklaron dhe blerjen e dy vendeve të parkimit. Shuma e paguar për blerjen e shtëpisë dhe te garazhit është 97,000 euro (nëntëdhjetë e shtatë mijë euro).

217.5m 2 x 400 euro/m2=87000 euro ndërsa vendet e parkimit kushtuan 10.000 euro. Çmimi në këtë rezidencë në rrugë zyrtare konfirmohet nga firma se është 600 euro metri katror. Pra vlera normale e shtëpisë do të ishte 130 500 euro. Por përtej kësaj, a e justifikon burimin e 97.000 euro-ve bashkëshortja e Kreut të AMA-s?

Dorela Sala bashkëshortja e kryetarit të AMA deklaron në formularin e deklarimit të pasurisë se të ardhurat e saj vijnë nga puna në firmën “Delioitte Albania” me një rrogë mujore 700 euro, (vjetore 8 400 euro) dhe pranon se në këtë kompani ka afro 22 muaj që nga 1 marsi 2013 deri në 1 janar 2015.

Absurditeti arrin me faktin se këto dy vite punë nuk justifikojnë blerjen e apartamentit 217 metra2 dhe të 2 garazheve. Nga një matematike e thjeshte del se zonja Sala duhet të punonte 25 vjet, me rrogë mujore 700 euro që të blinte apartamentin të cilin zotëron tani. Pra, praktikisht këtë super shtëpi ajo do të mund ta blinte në vitin 2038.

Por në Shqipëri, nëse je bashkëshortja e një zyrtari edhe në moshën 27 vjeç kur ke punuar vetëm 22 muaj mund të kesh një super apartament. Pasuritë e bashkëshorteve të politikanëve dhe gjyqtarëve dhe të zyrtarëve të lartë janë vënë shpesh në qendër të dyshimeve të forta, pasi ato përdoren si karremi i fshehjes së pasurive të paligjshme të bashkëshortëve të tyre.

Këtë dyshim e hodhi vitin e kaluar në pikun e diskutimit të reformës në drejtësi edhe shefja e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri Romana Vlahutin. Dhe duke ju kthyer argumentit të deklarimit të pasurisë së bashkëshortes së kreut të AMA-s, Dorela Sala në formular vihet re se ajo ka deklaruar se ka në zotërim sende me vlerë ora, vathë, byzylyk në shifrën 38.000 euro dhuratë nga familja, por pa thënë konkretisht se nga cili dhe mbi ç’bazë.

Ndërsa gjendja e parave cash jashtë sistemit bankar kap vlerën e 1.200.000 (një milion e dyqindmijë lekë), për të cilat zonja Sala nuk e ka përcaktuar burimin. Madje në kolonën e të dhënave konfidenciale në formular, ajo nuk ka bërë asnjë përshkrim të pasurisë, dhuratave dhe burimin e tyre të specifikuar.

Dhe pyetja që shtohet është së si mundet një vajzë e re me dy vite punë, me një pagë 700 euro në muaj të blejë një apartament 98 mijë euro bashkë me dy garazhe, dhe të ketë zotërim të ardhura kash 1 milion e 200 mijë lekë.

Mos është rastësi që vetëm disa muaj pasi Gentian Sala u vu ne krye te AMA-s pasuria e familjes u rrit në mënyrë të menjëhershme? ILDKP ka një rast të pastër për të nisur hetimet per pasurinë e subjektit ne fjale,për të verifikuar burimin e krijimit dhe ligjshmërinë e saj.

Kryetari i AMA Gentian Salaj qe nga koha e zgjedhjes se tij në krye të këtij institucioni në nëntor te vitit 2014 ka qene pjese e një kryqëzimi të interesave të forta në botën mediatike, qe rrjedhin edhe nga pozicioni qe ai ka mbajtur me herët si drejtues në një prej kompanive garuese për licencën kombëtare te frekuencave dixhitale. Gjatë ditëve në vijim pritet të publikohen edhe abuzime të Kryetarit të AMA gjatë vitit 2015 dhe 2016, që duket se shpjegojnë gjithashtu degradimin e institucionit që ai drejton. (Ora News)

 

SHKARKO APP