Sot do shikohen deputetët e opozitës parlamentare nëse janë opozitarë apo shtojca të PS

Parlamenti mblidhet sot. Hera e fundit e seancës plenare ishte 5 marsi.

Në rendin e ditës janë një numër i madh aktesh normative që kanë bëjnë me masat e marra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, por ajo çfarë ka shkaktuar më tepër debate është ndryshimi i Kodit Penal ku parashikohet ndëshkimi deri më 10 vite burg ndaj atyre personave që shkelin karantinën.

Kjo ka shkaktuar revoltë të madhe në publik si dhe nga të gjitha shoqatat e shoqërisë civile. Edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit e ka kritikuar pasi janë propozime në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe në thelb antikushtetuese.

Po kështu edhe deputetja e njohur Rudina Hajdari ka kundërshtuar hapur këtë ndryshim në Kodin Penal. Bile Rudina Hajdari mbrëmë publikoi edhe një video-konferencë me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

“Kënaqësi të bashkëbisedoja nëpërmjet video-konferencës me Ambasadoren amerikane Znj. Yuri Kim, mbi situatën e tanishme në Shqipëri.  E informova për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen shumë familje shqiptare, realitet të cilin e kam prekur këto ditë teksa jam munduar të ndihmoj sado pak këto familje në nevojë.  Gjithashtu shpreha shqetësimet e mia për gjendjen emergjente nga COVID-19, mbi ndryshimet e Kodit Penal, të cilat janë të panevojshme e sidomos përmenda faktin se këto ndryshime cenojnë Kushtetutën dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.  Gjeta rastin të falenderoja ambasadoren për kontributin e SHBA-së, me pajisje personale të mbrojtjes nga programi për Asistencë Humanitare i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen e punonjësve të shëndetit në vijën e parë të luftës kundër COVID-19”, shkruan Hajdari.

Pra më hapur se kaq nuk kishte si fliste deputetja Hajdari e natyrisht video-konferenca me ambasadoren është një mesazh i ambasadores për deputetët.

Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj është shprehur kundër ndryshimeve në Kodin Penal që propozon Edi Rama dhe deputetët e tij. Ai thekson faktin se ndryshimet në Kodin Penal janë ngjarje me rëndësi dhe nuk mund të bëhen sipas emocioneve të momentit.

“Ndërhyrjet në kode janë ngjarje më rëndësi në një shtet të së drejtës. Duhet të jemi të kujdesshëm për këto nisma, nga kushdo që të vijnë, nga qeveria apo nga deputetët, sepse herë pas herë pasojat në jetët e njerëzve janë jetike.
S’duhet të jenë rrjedhë e emocioneve të politikës së ditës. Duhet një konsultim i gjerë publik me ekspertët.
Propozimet e sjella nga qeveria janë të panevojshme dhe të keqshkruara. Ato duhet të rregullohen dhe bëmë mirë që i shtymë. (E ka fjalën për propozime në kodin penal që kanë të bëjnë me KÇK).
Sa u takon masave për sëmundjet efektive, duhet t’i reflektojmë edhe pse mund të çedojmë pak. Qëllimi i koleges Bode në këtë rast janë të justifikuara. Janë qëllim-mira si ligjvënëse e mjeke. Ajo është ligjvënëse, por nuk është një eksperte.
Kuvendi ta ndihmonte zonjën me ekspertizën e nevojshme. Ka pasur prezantim të keq në publik që prodhoi tension të panevojshëm”, është shprehur Fatmir Xhafaj.

Kush thotë se është deputet me integritet si Fatmir Xhafa në PS i cili e ka kundërshtuar hapur, apo kush thotë se është opozitar me të keqen , duhet ta kthejë këtë projekt-ndryshim në Kodin Penal.

Sot në parlament do shikohet se kush është deputet opzitar apo i blerë nga Rilindja dhe kush janë deputetët me dinjitet në PS.

Të mos harrojmë se ndryshimet e Kodit Penal janë me 84 vota, të cilat nuk i ka PS-ja. Nëse deputetë të veçantë nga radhët e opozitës parlamentare votojnë si PS-ja, atëhere nga sot u mbetet turpi dhe le të kalojnë edhe zyrtarisht në radhët e Rilindjes. Por siç ka treguar eksperienca deputetë të tillë përdoren dhe hidhen më vonë koshin e plehrave, edhe nga vetë PS-ja.

Me këtë ndryshim, nëse bëhet, nesër kur të ndërrojnë pushtetet (për inate shqiptare politike) mundet pushteti i ardhshëm i opozitës së sotme politike, mund të ndalojë iks ish-deputet (sot deputet) dhe i thotë se “ke shkelur karantinën dhe burg pesë vjet!”. Sepse epidemi do ketë edhe kur të nderrojnë pushtetet!

Ndryshimet në Kodin Penal

Neni 293/dh

Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë epidemisë ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore

Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhrat, vendimet e nxjerra nga organet shtetërore gjatë epidemisë ose gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të ndryshme nga ato të parashikuara në paragrafin e dytë të këtij neni, kur është dhënë më parë masë administrative, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinim, vetëkarantinim ose izolim, apo shkelja e rregullave të karantinës, vetëkarantinës ose izolimit nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet.

Neni 293/e

Përhapja e sëmundjeve infektive

Moszbatimi apo kryerja e veprimeve në kundërshtim me urdhrat apo vendimet e organeve shtetërore që kanë të bëjnë me parandalimin apo luftimin e sëmundjeve infektive, kur ka shkaktuar përhapjen e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin te njerëzit, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet. Kur kjo vepër, ka shkaktuar vdekjen e një ose më shumë personave, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.

 

SHKARKO APP