Spartak Ngjela: Për ata që thonë “nuk jetohet në Shqipëri”
Nga Spartak Ngjela-
I.
Sot shqiptari e ka lirinë për të jetuar ku të dojë nëpër botë. Në Shqipëri e kanë mendjen shumica e emigrantëve shqiptarë. Por, edhe neve këtu, gjatë dy dekadave të fundit, ata po na japin shumë. Emigracioni shqiptar në vitin që kaloi ka dërguar në Shqipëri rreth 3 miliardë euro.
Historia do ta konsiderojë një akt mbijetese për shqiptarët emigrimin e tyre masiv në Perëndim. Dhe koha do t’ua shërbejë: se do të fillojë investimi masiv në Shqipëri, dhe ata, me kursimet e tyre, do të investojnë në atdheun e tyre, që nuk e ndajnë nga mendja për cdo orë të ditës.
Ne shqiptarët, dolëm të varfër maksimalisht nga diktatura, dhe ata ishin të parët që rrëmbyen vaporët dhe shkuan për punë në Perëndim.
Koha ashtu e kërkonte, se gjendja e vështirë në Shqipëri vijoi, dhe emigracioni u rrit, se ajo ishte e vetmja rrugë. Dhe, ata shpëtuan shqiptarët e Shqipërisë nga depresioni i urisë, se me paratë e tyre, dërguar familjeve, gjallëruan tregun në Shqipëri.
Kjo është e vërteta.
Po tani?
Tani gjendja në Shqipëri është normale, por qeveria aktuale, a do ta kuptojë dot që rroga në Shqipëri duhet të jetë sot jo nën 800 euro?
Bujqësia u zhvillua dhe po zhvillohet nga paratë që kanë investuar emigrantët e lavdishëm shqiptarë, që shpëtuan Shqipërinë, dhe tani duhet mendim i lartë jurudiko – ekonomik që të fillojë në Shqipëri kooperimi i kapitalit privat dhe shtetëror për krijimin e prodhimit industrial.
Kjo është kërkesë e kohës: por a e ka sot Shqipëria një qeveri me vizion modern për ekonominë shqiptare? Kjo duhet pritur. Por koha e prodhimit industrial, koha e industrisë ushqimore dhe e zhvillimit modern minerar, ka, ardhur.
E pra…
II.
Të shohim se çfarë do të sjellë shtatori që po vjen, për risinë që folëm më lart, dhe, të shohim: sa do të jetë ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për krijimin e prodhimit industrial në Shqipëri, por edhe ngritjen e mëtejshme të nivelit të arsimit teknik dhe Universitetit Politeknin në Tiranë.
Koha e kërkon. Qeveria aktuale duhet ta studiojë me përparësi çështjen e prodhimit industrial në Shqipëri.
Shqiptarët po presin zhvillimin e Shqipërisë, kudo ku ata janë…