Supermarketet britanike racionojnë shitjen e perimeve, nuk ka furnizime nga Afrika! Po pse nuk merrni në Shqipëri!?
Një numër supermarketesh britanike, si Tesco, Aldi, Asda dhe Morrisons, kanë vendosur kufizime për blerjen e disa frutave dhe perimeve. Cili është shkaku?
Supermarketet dhanë si arsye për racionimin e frutave dhe të perimeve probleme me furnizimet nga Evropa Jugore dhe Afrika veriore.
Racionime të sasisë së blerjes për klient janë bërë kryesisht për domatet, specat dhe kastravecët. Por disa rrjete supermarkatash kanë racionuar edhe blerjet e sallatës marule, brokolit, lulelakrës dhe të mjedrave.
Brexiti apo moti i keq?
Ndërsa kundërshtarët e vendimit të Britanisë së Madhe për t’u larguar nga Bashkimi Evropian fajësojnë Brexit për raftet boshe, gjë që nuk shihet në pjesën më të madhe të vendeve të BE-së, ekspertët thonë se shkaku për mungesat e furnizimeve është moti i keq.
“Kushtet e vështira të motit në jug të Evropës dhe në Afrikën veriore kanë ndërprerë vjeljen e disa frutave dhe mbledhjen e disa perimeve, si p.sh. domatet dhe specat,” tha Andrew Opie, drejtor për ushqimin dhe qëndrueshmërinë në Konsorciumin Britanik të Shitjes me Pakicë. Ky konsorcium përfaqëson të gjitha supermarketet kryesore të Mbretërisë së Bashkuar.
Spanja ka pasur mot jashtëzakonisht të ftohtë gjatë muajit të kaluar. Për këtë shkak në Spanjën e Jugut pati anulime tragetesh, gjë që i përkeqësoi problemet e furnizimit.
Edhe kultivuesit dhe furnizuesit në Marok njoftuan për ulje të vëllimeve të prodhimit për shkak të temperaturave të ftohta, shiut të dendur dhe të përmbytjeve.
Supermarketet po përpiqen të gjejnë rrugë të reja furnizimi dhe po punojnë me fermerët për të siguruar që klientët të kenë mundësi të gjejnë në treg një gamë të gjerë prodhimesh të freskëta,” tha Andrew Opie sipas DW.
Por derisa nuk po gjejnë andej, pra në Afrikë dhe Spanjë, pse nuk vijnë të blejnë në Shqipëri, ku po hidhet në kanale perimet se nuk ka kush i merr?!
Britanikë!
I kemi perimet dhe frutat shumë më të mira këtu në Shqipëri se sa andej ku keni mbetur tash sa vite, duke prit motin e Afrikës dhe Spanjës!