Synimi i Edi Ramës:Reforma në Drejtësi, apo Byro Hetim-Arrestime?
Debatet politike prej tre ditësh janë përqendruar në ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit. Nga ajo çfarë kanë thënë palët, tre drejtuesit kryesor të partive politike, Edi Rama, Luzlim Basha dhe Ilir Meta kanë rëndë dakord për ngritjen e një strukture të posaçme që do të hetojë zyrtarët e lartë. Projekti, sipas kreut të PD-së, Lulzim Basha është hartuar para 4 muajsh nën asistencën e Ambasadës së SHBA dhe ekspertëve amerikanë. Drafti parashikon ngritjen e një strukture të posaçme të e cila fillimisht mund të jetë pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Këtë variant Basha thotë se është gati ta miratojë që të enjten e ardhshme në Kuvend.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste e cila e ka pasur ngritjen e Byrosë së Hetimit premtim elektoral dhe para një vitit depozitoi një draft që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, tashmë kërkon një institucion më të fortë, sipas saj. Juristët e Partisë Socialiste kërkojnë që ngritja e Byrosë së Hetimit të miratohet me ndryshimet Kushtetuese për reformën në drejtësi dhe të jetë një institucion që nuk varet direkt nga Prokuroria. Edhe pse duket si një skemë që garanton pavarësinë e institucionit të ri, por për PD-në ky është dhe problemi sekret që fsheh kryeministri. Drejtuesit e Byrosë do zgjidhen nga Parlamenti dhe në parlament votat i ka me shumicë Partia Socialiste. Pra teknikisht, për PD-në nëse ndryshon drafti aktual i Byrosë së Hetimit, ky institucion do të jetë nën varësi të Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të pres datën 12 mars për Byronë, kur Komisioni i Venecias të ketë sjellë rekomandimet për gjithë reformën në drejtësi dhe më pas projekti të kalojë i plotë për miratim.Edhe kreu i Parlamentit dhe i LSI-së Ilir Meta ka qenë konstant në këtë pikë: duhet Byroja dhe siç do ta sjellë rekomandimin Komisioni i Venecias, parlamenti do ta votojë.
Në gjithë debatin për reformën në drejtësi, Byroja merr një rëndësi të veçantë. Është institucioni që do të ketë si detyrë vetëm hetimin e zyrtarëve të larë, deputetë, ministra, ish-ministra, drejtues dhe ish-drejtues qeverie etj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të investojnë 8 milionë dollarë vetëm për trajnimin e prokurorëve dhe ekspertëve që do të kryejnë hetime. Përzgjedhja e njerëzve do të kalojë në shumë filtra dhe do jenë prokurorët më me shumë integritet. Është një nga investimet më serioze në drejtësi dhe për një klasë politike të akuzuar si në Shqipëri duket se është institucioni më i frikshëm, pasi po krijohet për të vënë pranga dhe jo për tu gjetur vende punë juristëve. Loja e qëndrimeve politike mes opozitës dhe mazhorancës, ku palët herë janë pro dhe herë janë kundër fsheh frikë, por edhe qëllimin për të pasur sadopak kontroll mbi institucionin e ri. Edi Rama synon, sipas opozitës, që ta ketë këtë Byro instrument “gestapo” për të arrestuar kundërshtarët e tij politikë dhe aleatët që i prishin punë me vota.
Pavarësisht se është një investim i partnerëve tanë strategjikë, nëse një institucion i tillë lihet vetëm në duart e mazhorancës, kushdoqoftë ajo, është një problem. Është një problem, pasi mazhorancat janë gjithmonë politike dhe goditjet ndaj korrupsionit mund të jenë selektive. Në Shqipëri rastet kur institucionet janë shpërdoruar politikisht nuk kanë munguar. Edi Rama duhet të tregojë se është i interesuar për të reformuar krejt sistemin e drejtësisë apo nën këtë reformë fsheh synimin për Byronë me të cilën, siç pretendon PD, kërkon të arrestoj kundërshtarët.
Ndaj duhet maturi në hartimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, që të jetë mbi çdo politikan, lider opozite, kryeministër, kryetar parlamenti por ti sherbejë ligjit dhe Kushtetutës.