Të martën nis rinumërimi i votave,Tirana dhe Fieri kontroll i plotë, kurse Durrësi vetëm 275 kuti

Zgjedhjet kanë mbaruar, dihet fituesi, por akoma humbësi kapet te manovrat e rinumërimit për të gjetur artifica për humbjen e thellë. Berisha insiston se nuk jep dorëheqjen nga kryetar i PD se, sipas tij, nuk kishte zgjedhje, por farsë. Nga ana tjetër Ilir Meta nga burgu urdhëroi analizën e PL që pse dolën kaq dobët.
Të martën pallati i Sportit “Farie Hoti” do të hapë dyert jo për tifozët, por për politikën për të ndjekur rezultatin e një ndeshje që u mbyll me 11 maj, por që nuk pranohet nga Partia Demokratike.
Anëtarët e propozuar nga opozita në KQZ i dhanë dritën jeshile hapjes së 2 mije e 240 kutive për t’i kaluar në një sitë të hollësishme verifikimi dhe rinumërimi.
96 kutitë e Elbasanit do të jenë të parat që do të hapen, por jo për tu rinumëruar, por për të hetuar nëse treni bullgar është ndaluar në stacionin e Gramshit dhe Peqinit me 11 maj siç pretendon opozita.
Kësaj dileme do i japë fund stafi i KQZ që do te krahasojë nëse në kutitë e përzgjedhura për hetim ka më shumë vota sesa zgjedhës që janë paraqitur në qendrat e votimit.
Pasi të mbyllet hetimi për qarkun e Elbasanit do nisë procesi maratonë i rinumërimit i të gjitha kutive të qarkut Tiranë dhe Fierit dhe 275 kutive te qarkut Durrës, ku fillimisht do të lexohet vota për partitë garuese e më pas në një raund të dytë do të numërohet vota e kandidatëve. Në kampin blu, ata që humbën shpresojnë që fati ti buzëqeshë pas pretendimeve se vota e tyre është trafikuar brenda llojit, por pritshmëritë e partisë dukshëm shkojnë në një kah të kundërt me atë të kandidatëve.
“Si përfaqësues ligjor i PD përfaqësoj vetëm interesin e Partisë Demokratike dhe qëllimin që ka PD për të faktuar farsën elektorale kandidatët e PD janë në të drejtën për të ngritur çdo lloj pretendimi që ka të bëjnë me rezultatin dhe renditjen e tyre në liste përfundimtare”, tha Logu.
“Partisë Demokratike iu krijua gjithë komoditeti për të gjetur provat dhe për t’i sjellë para KAS dhe nuk e bëri në asnjë moment, çdo pretendim ishte mbi hipoteza mbi denoncime në rrjete sociale”, tha Elena Xhina, përfaqësuese ligjore e PS në KQZ.
Por nga rinumërimi asgjë nuk lëviz në mandatet e PS, por mundet PD-ja të fitojë një mandat me tepër në Tiranë duke ia marrë Agron Shehajt.