Tension i madh në Serbi: Vuçiqi është tradhtar!
Presidenti i Serbisë, Vuçiq damkoset në Serbi si “tradhtar”, njeriu që i ka anashkaluar interesat e Serbisë. Vuçiqnga ana e tij sulmon opozitën dhe mediat, madje edhe RTS dhe Tanjugun. Vuçi paralajmëroi një fjalim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është vendosur në shënjestër të kritikave të mëdha të opozitës dhe disa mediave në Beograd. Ndërsa ai pohon se së shpejgi do të përgjigjet. Në profilin e tij në Instagram ai ka postuar një mesazh pas kthimit nga Brukseli dhe ka paralajmëruar një fjalim tjetër “të rëndësishëm” për sonte, ku do të shpjegojë se “çfarë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Bruksel”.
Mesazhi i Vuçiqit – opozita dhe mediat po përhapin rrena
Në mesazh ai falënderon qytetarët e Serbisë “për kujdesin dhe mbështetjen tuaj gjatë një dite të vështirë të djeshme”. “Arritëm në Beograd në orët e hershme të mëngjesit dhe tani po analizoj se çfarë ka ndodhur. Ne luftuam sa më shumë që ishte e mundur në kushte të vështira, luftuam për të ardhmen e Serbisë në paqe, për vazhdimin e investimeve në vendin tonë, për të mbajtur betimin tim dhe Kushtetutën e Serbisë si dhe Kosovën e Metohinë si pjesë të Serbisë”, deklaroi Vuçiq.
Presidenti i Serbisë sulmoi “mediat manjate” (siç i quan ai mediat opozitare në Serbi), por për herë të parë ai sulmoi edhe Radio Televizionin e Serbisë dhe agjencinë e lajmeve Tanjug, se “po përhapin gënjeshtra për të”. Ndaj ka vendosur që sonte në orën 21:00 t’u drejtohet qytetarëve të Serbisë “për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur në Bruksel”.
“Sonte po i përgjigjem të gjithë manipuluesve politikë dhe mediatikë që do të shkelnin vendin e tyre për një thërrime pushteti. Serbia nuk ka çmim. Ne do t’i mundim ata. Serbia do të fitojë”, ka paralajmëruar Vuçiq.
Vuçiqi “është tradhtar”
Opozitarët në Beograd thonë se Vuçiqi e ka pranuar dje de-facto pavarësinë e Kosovës dhe ka bërë “tradhti”. “Marrëveshja nga Brukseli është kolaps i plotë i politikës së jashtme të Vuçiqit. Me të nuk u arrit asgjë dhe jemi aty ku ishim në fillim kur Vuçiq erdhi në pushtet”, thotë kryetari i lëvizjes SRCE (ZEMRA), Zdravko Ponosh.
Savo Manojloviq, drejtori i fushatës “Kreni-promeni” (Nisu ndrysho), thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke pranuar planin franko-gjerman, ka mundësuar që pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, ta bëjnë këtë tani. Lideri i partisë ultradjathtiste Dveri, Boshko Obradoviq, pohon se në propozimin e dakorduar bëhet fjalë për “përmbysjen e Kushtetutës dhe njohjen e hapur të pavarësisë së Kosovës”.
“Neni 4 paragrafi 2 i marrëveshjes franko-gjermane, të cilën Vuçiq e pranoi mbrëmë në Bruksel dhe BE-ja e shpalli publikisht thotë: ‘Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare’. Kjo është një njohje e hapur e shtetit të rremë të Kosovës. Ky është rrënim i Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, pohon Obradoviq./DW/