Turqi, gazetarët kritikë përballen me gjoba dhe arrestime. Me shumë se 90% e medias është nën kontrollin e qeverisë

Organizatat që mbrojnë të drejtat e gazetarëve në Turqi po paralajmërojnë se media e pavarur turke përballet me gjoba dhe arrestime pas raportimeve kritike mbi reagimin e autoriteteve pas tërmeteve të muajit shkurt. Shumë ekspertë dhe gazetarë thonë se situata do të përkeqësohet ndërsa në vend do të zhvillohen në muajin maj zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Në Turqi, mediat lokale si “Jin News” ishin në ballë të raportimit për tërmetet vdekjeprurëse të muajit shkurt. Por raportimet e gazetarëve që kritikonin reagimin e ngadaltë të qeverisë dhe shërbimeve të urgjencës tërhoqën vëmendjen e autoriteteve.

“Policia na mori kartat e gazetarit, që na identifikojnë. Dhe më pas na çuan në rajonin e policisë. Na mbajtën atje për 3 deri në 4 orë dhe na pyetën: ‘Pse keni ardhur në zonën e tërmetit?’”, tregon gazetarja Sema Caglar.

Sipas organizatave që mbrojnë të drejtat e mediave disa gazetarë u arrestuan në zonat e tërmetit dhe pajisjet e tyre të punës u konfiskuan ose u shkatërruan. Qeveria këmbëngul se nuk ka asnjë politikë kundër medias, duke pretenduar se çdo abuzim është kryer nga oficerët, që punojnë në një situatë të vështirë.

Por stacionet televizive të pavarura si Halk TV, të cilat kanë qenë kritike për mënyrën e reagimit të qeverisë pas tërmetit, u vunë gjithashtu në shënjestër me gjoba të rënda dhe ndalime të përkohshme të transmetimit për “nxitje të urrejtjes publike”.

“Në Turqi, më shumë se 90% e medias është nën kontrollin e qeverisë. Pra, e dinim që gjobat do të vinin sepse po përcillnim zërin e popullit dhe zërin e të mbijetuarve nga tërmeti”, thotë Bengü Şap Babaeker, drejtore e “Halk News”.

Grupet ndërkombëtare për të drejtat e gazetarëve kanë dënuar gjobat, duke thënë se stacionet televizive janë të angazhuara në raportime kritike dhe se ndëshkimet kanë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në Turqi.

“Duhet të theksojmë se këto gjoba kanë në shënjestër stacionet kryesore televizive që janë kritike me qeverinë para zgjedhjeve të ardhshme që do të mbahen më 14 maj”, thotë Erol Önderoğlu, nga organizata “Reporterët pa Kufij”.

Për ngritjen e akuzave, tani prokurorët po mbështeten tek një legjislacion të ri, sipas të cilit dezinformimi në mediat sociale konsiderohet vepër penale dhe dënohet me burg. Me zgjedhjet presidenciale, disa gazetarë thonë se gjërat mund të përkeqësohen.

“Nuk mendoj se tyrsnia e qeverisë ndaj shtypit do të ulet, madje do të bëhet më e vështirë me procesin zgjedhor përpara”, thotë Sema Caglar, gazetare në “Jin News”.

Ndërsa numri i të vdekurve nga tërmetet në Turqi po e kalon shifrën 50 mijë dhe miliona persona janë ende të pastrehë, analistët sugjerojnë se qeveria mund të përpiqet të kontrollojë ose të shtypë çdo raportim kritik mbi reagimin e qeverisë./VOA/

SHKARKO APP