Valë vandalizmi në Gjermani kundër policisë, zjarrfikësve dhe skuadrave të shpëtimit

Pas sulmeve ndaj zjarrfikësve, policisë dhe skuadrave të shpëtimit natën e Vitit të Ri në Berlin, janë shtuar zërat që kërkojnë masa. Por ka dhe të tjerë që kërkojnë të mos përhapet panik.

Natën e ndërrimit të viteve zjarrfikësit në Berlin njoftuan për 38 incidente të rënda, përfshirë edhe 14 raste në të cilat makinat e zjarrfikësve  “u zunë në pritë” dhe u sulmuan nga persona të ndryshëm me fishekzjarre dhe objekte të tjera, si shishe birre, gurë dhe sende të tjera.

Shkalla e agresionit ndaj shërbimeve të urgjencës ishte krejtësisht e papritur, tha zëdhënësi i zjarrfikësve të Berlinit, Thomas Kirstein, në një deklaratë për RBB. Gjithsej 15 punonjës të këtij shërbimi janë plagosur në Berlin, njëri prej të cilëve duhej të trajtohej në spital. Policia kumtoi se gjatë aksioneve janë lënduar edhe 18 policë.

Zjarrëfikësit e Berlinit janë të “tronditur dhe të mërzitur” nga këto incidente, të cilat nxitën edhe pyetje të shumta, seçfarë qëndron pas rritjes së dukshme të dhunësndaj shërbimeve të urgjencës dhe pse ato janë bërë objektiv i sulmeve, kur janë në shërbim të qytetarëve. Ngjarjet nga nata e Vitit të Ri janë publikuar edhe në videot e zjarrëfikësve dhe shumë qytetarëve.

“Sulmet vdekjeprurëse” ndaj policisë shumë të rralla”

Sociologu Rafael Behr nga Akademia e Policisë së Hamburgut tha se incidentet duhet të analizohen deri në detaje dhe më pas të nxirren konkluzione. “Ne nuk kemi vërtet një pasqyrë të qartë të kompleksitetit të rrethanave pas dhunës. Në vend të kësaj, ne kemi deklarata nga sindikata të ndryshme të policisë ose shërbimeve të urgjencës dhe palë të tjera që thonë se dhuna po rritet. Por ne nuk e dimë nëse kjo është e vërtetë dhe nuk e dimë se cili ishte qëllimi i kësaj dhune”, tha ai për DW.

“Natyrisht është shumë tronditëse të dëgjosh për raste të këtilla, sepse ne mendojmë se shërbimet e urgjencës janë atje për të shpëtuar jetë dhe për të bërë mirë, ndaj nuk jemi mësuar që ata të sulmohen në të njëjtën mënyrë si policia, e cila shpesh përfshihet në situata konfliktesh”.

Zyra Federale e Policisë për Krimet e Rënda njofton se në vitin 2021 është shtuar numri i sulmeve të dhunshme ndaj nëpunësve të policisë me 689 raste të tjera, krahasuar me një vit më parë, kështu që numri i përgjithshëm i sulmeve ka shkuar në 39.649. Prej vitit 2012 deri më sot, rastet e dhunës ndaj punonjësve të policisë janë rritur me 22.5 për qind. Behr thotë se shoqëria është shumë më e ndjeshme ndaj dhunës, veçanërisht ndaj policëve dhe punonjësve të urgjencës. Tashmë edhe ofendimet klasifikohen si dhunë, gjë që nuk ka qenë më parë.

“Ne e dimë se sulmet vdekjeprurëse ndaj policisë dhe punonjësve të shpëtimit janë shumë të rralla.” Nuk është rritur numri i akteve më të rënda të dhunës, ndërsa numri i lëndimeve fizike “është rritur pak, por jo në mënyrë dramatike”.

Numri i sulmeve të dhunshme ndaj oficerëve të policisë është regjistruar në statistikat vjetore të Policisë, por jo edhe incidentet e dhunshme që përfshijnë anëtarë të shërbimeve të urgjencës. Shifrat e këtyre sulmeve futen shpesh në një grup me sulmet ndaj policisë, nuk ka ndonjë përkufizim të saktë.

Dhuna e të rinjve

Një konstante duket të jetë fakti se shumica e akteve të dhunës kryhen nga burra të rinj, thotë Alfred Gebert, profesor i psikologjisë dhe sociologjisë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Münster.

“Respekti për punonjësit me uniformë ka rënë në mënyrë drastike, veçanërisht tek të rinjtë nga mosha 20 deri në 29 vjeç”, tha Gebert në një intervistë për DW. “Ata dehen dhe duan t’u tregohen miqve të tyre, kryesisht përmes abuzimit verbal. Mendoj se ky është një dështim për t’u mësuar të rinjve respektin në shkolla – por këtu luan rol edhe mungesa e pasojave për autorët.”

Edhe Rafael Behr pajtohet se dhuna është pjesë e demonstrimit të një forme të caktuar të maskulinitetit: “Kjo ka të bëjë patjetër me mënyrën se si disa të rinj duan të shihen në publik, gjë që shpesh është një demonstrim i forcës.” Por, shton Behr, gjërat ndonjëherë dramatizohen edhe nga mediat.

“Nuk ka dëshmi për një rritje të vazhdueshme të dhunës. Përkundrazi, ka shpërthime të kohë pas kohshme të dhunës në kontekste të caktuara. Kjo ndodh në të gjitha vendet ku ka ngjarje të mëdha – normat shoqërore dhe ligjet shkelen veçanërisht kur përfshihet edhe alkooli. Viti i Ri është një ngjarje ekstreme sepse përfshihen edhe fishekzjarre”.

Në kohën e pandemisë Corona kanë qenë të ndaluara përdorimi i piroteknikës dhe fishekzjarreve, me qëllim që të mos ketë përhapje të virusit. Këtë vit janë lejuar, ndaj ka qenë mbase e pritshme që të shtohet edhe numri i incidenteve të dhunshme.

“Nuk mendoj se grupet e meshkujve që kryejnë këto akte dhune kanë një ndikim të madh në shoqëri”, thotë Gebert. “Përkundrazi, unë besoj se publiku i gjerë i konsideron këto sulme krejtësisht të papranueshme dhe kërkon dënime më të ashpra për autorët.”

Edhe sindikata e policisë në Gjermani ka kërkuar tashmë dënime më të ashprapër shkelësit e dhunshëm ndaj shërbimeve të urgjencës. Zjarrfikësit kërkojnë mundësinë e përdorimin të kamerave gjatë aksioneve për të vërtetuar se aktet e dhunës kanë ndodhur me të vërtetë.

“Ky do të ishte edhe apeli im për të mbledhur më shumë të dhëna dhe për të analizuar gjithçka që ndodhi në detaje. Mendoj se realiteti atëherë do të ishte shumë më pak dramatik sesa mund të duket,” thotë Behr për DW. “Nuk duhet të beim në pakin se Gjermania është shndërruar në nëj shesh dhune”, pohon ai./DW/

SHKARKO APP