Vrasja makabre në Mirditë dhe heshtja jonë si KOMUNITET

Nga Gjergj Marku
“Damka e të paburrave”, HESHTJA jonë si komunitet dhe tre jetimet kërthinj të Esmeraldës!

Tashmë ajo nuk jeton më, iku nga kjo jetë në mënyrën më mizore sëbashku me të vellain 34 vjecar, azgan djalë. Një dorë gjakatare nuk iu dridh dora të derdhë plumba kallashnikovi mbi trupat e tyre të pafajshëm.
Po kush ishte Esmeralda?

Sot qyteti dhe fshatrat e gjithë Mirditës gëlonin nga të qarat, sepse shumë prej tyre e njihnin Esmeralden e shenjtë në sjellje dhe gjithçka, që rrekej me shpirt nëpër dhëmbë të mbante të tre fëmijët duke ardhë nga fshati në qytet, çdo ditë, për të punuar.
E divorcuar dhe e përndjekur në ekstrem nga ish-burri, siç dhe rrëfehet nga persona që e kanë njohur, jeta e saj kaloi përmes një kalvari vuajtjesh fizike dhe psikologjike, sa nuk ka Perëndi që mund t’ia qajë hallin. Ajo gjeti guximin për një zgjidhje përmes divorcit kur gjendja bashkëjetuese ishte kthyer në makth e në tmerr. Kësisoj e kthyer në familje te prindërit ajo punonte nga mëngjesi në darkë si punëtore krahu, duke u munduar t’i shkollonte fëmijët, tre vajza ku më e vogla në kopësht, tjetra në klasën e dytë dhe tjetra në klasën e pestë. Por sot bankat e shkolles “Pashko Vasa” në Rreshen, ku ato mësonin, ishin bosh. Nuk dihet çfarë do të ndodhë me to, si do mund të rriten këta kërthinj, qoftë dhe nga trauma psikike, kur kanë parë në një minutë të vetëm nanën e tyre të sharruar nga plumbat e po ashtu dajen e tyre Vledisonin të shtrirë në mes gjakut mu para derës së shtëpisë.
Mirdita, pa e tepruar, u godit rëndë nga një ngjarje e tillë, u godit në ashtin e vet sa dokësor e moral, po aq dhe ligjor. Mirdites pra, iu dëmtue rëndë një nga familjet më model, siç shprehen në atë fshat, “familje shenjterish”.

Duke qenë se për vite e vite jam marrë me gazetari dhe me ka rënë të raportoj nga terreni ngjarje të trishta, madje edhe me dhunime apo vrasje grashë dhe fëmijesh, mendoj se ka ardh koha për një reflektim të thellë, që nis nga MOS-HESHTJA komunitare.

Po, po, duhet t’ia nisim prej këtu.

Sepse ne heshtim! Ne e dimë farë mirë që fqinji ynë në fshat apo qytet, është i dhunshem mbi bashkëshorten apo fëmijet e vet, por heshtim, sepse sa nga përceptimi skandaloz “ç’më duhet mua” apo të pasurit frikë nga damka e “spiunit” nuk bëzajmë para të KEQES. E në fakt duhet të bëhemi “spiuna” për këdo të paburrë që ngre dorën mbi gruan apo fëmijët. Më së paku, duhet të sinjalizojmë organet ligjzbatuese, dhe më e shumta pse jo, edhe t’i denoncojmë publikisht. Nuk ka fshat apo hyrje pallati, që shoqeria e atyshme, komuniteti, të mos e dijë si sillet ky burrë apo ai burrë në familje, mirëpo heshtim të gjithë duke pritur sa të ndodhe hataja, siç dhe ndodhi në Zall Zme në Mirditë. Ne heshtim për t’u bërë thjesht “keqardhes të përshpirtë” por vetem kaq, si dhe të numërojme rastet e vrasjeve apo maltrajtimeve të tjera mbi gra e fëmijë.
Në njëfarë mënyre, me heshtjen tonë, jemi bashkëfajtorë me të keqen. Ndaj damka e të paburrave, duhet të shkojë edhe për NE, që nuk duam të trazojmë “tymin tonë të duhanit” me idenë idiote për të mos hyrë në “punët e dynjasë”!…
Është koha për reflektim serioz si komunitet, që të mos kemi jetë të prera në mes në këtë mënyrë si mbrëmë në Mirditë!

SHKARKO APP