At’ Zef Pllumi dhe librat e kujtimeve
Nga: Kujtim M. Shala
I. KUJTESA E LIBRI
Sintagma kujtesa e letërsia (libri) shënjon raport të ndërliqshëm, sidomos në rastin e letërsisë personale e autobiografike, e cila shkruhet në prerjet e rrëfimit me kujtimet që, përmjet rrëfimit, kthehen në libër, dmth. në kulturë. Ky raport duket së paku që nga Rrëfimet (397-401) e pashoqe të Shën Augustinit, por është një dukuri tipike e modernitetit, meqë kujtesa e shënjon subjektivitetin e strukturuar letrar, madje identitetin e shënjuar apo të rrëfyer të autorit.
Kështu, kujtesa vihet krah dëshmisë apo krah fiksionit, madje e zënë në rrjetin e fiksionit, në një grackë të përjetshme e cila do që dëshminë ta bëjë fiksion të besueshëm e fiksionin dëshmi të provuar. Vërtet, kështu rrëshqasim në fushën e retorikës së letërsisë, kur atë e mendojmë përtej zhanrit e të identifikueshme me pretendimin që ka një klasë veprash letrare për të bindur. Në rrënjë e në majë të bindjes letrare ndodhet motivimi letrar, ndërsa rrëfimi, siç na mësojnë estetika e vjetër dhe ajo e reja, do ta thotë atë që e besojmë. Nga kjo kuptojmë se letërsia e shënjon të besueshmen dhe se e besueshmja nuk është e identifikueshme me dëshminë e me të vërtetën.
Po kujtesa, çfarë shënjon, dëshminë, të vërtetën apo të vërtetdukshmen?
Kjo pyetje merr kuptim, në radhë të parë, kur kemi në tavolinë vepra si ajo e At Zef Pllumit, të dëshmitarit e të shkrimtarit që jeton Vetëm për me tregue, dmth. Vetëm për me dëshmue.
Kështu, çfarë na tha Zef Pllumi apo çfarë shkroi ai?
Vetë Pllumi, në përkorjen e tij françeskane e humane, thoshte që ai nuk është një shkrimtar, ndoshta edhe pse kujtonte aty Fishtën e Harapin, Kurtin e Prendushin, Rrotën e të tjerë. Në këtë pikë bëhet e nevojshme të thuhet se çfarë shkroi Pllumi për nga zhanri apo, edhe më saktësisht, çfarë shkroi Pllumi që merr përgjigje kur ai lexohet nga fillimi, bashkë me shenjat që jep vetë për lexim, dmth. bashkë me udhëzimet se si ta lexojmë. Madje, pasi kishte botuar librat e tregimeve, vetë i përkufizonte e ngulmonte:
Kur i kam shkrue këta libra, nuk kam dashtë me ba letërsi. I kam shkrue që të mos harrohet, mos të harrohet – po e përsëris – çka kemë hjekë, jo vetëm na, por gjithë populli shqiptar.1
Ky asht libër (Rrno vetëm për me tregue – K. M. Sh.) i saktë dhe e kam shkrue për histori, as për letërsi e as për me prekë zemrat e njerëzve. Këte libër e kam shkrue vetëm për histori, për me tregue se ç’jemë kenë, se nuk ka fillue kultura në Shqipni bashkë me komunizmin, por se ma të kulturuem janë kenë njerëzit përpara. Dhe kanë punue në kushte shumë ma të veshtira, se s’kanë pasë kurrfarë ndihme shtetnore, por e kanë ba me forcën e sakrificat e veta. Ndërsa komunizmi të gjitha veprat e tyne jo vetëm i ka ndalue, por edhe i ka djegë që të mos gjinden as nëpër biblioteka.[i][ii]
Teoria letrare moderne e shënjon si dije, por letërsia e kishte si vetëdije se kujtesa është shtresë tekstore, intertekstuale, ndërsa rrëfimet e shkruara shpesh janë rrëfime të kujtuara, prandaj dhe të mbajtura mend. Kjo është një klasë e tërë e letërsisë, e quajtur mneomatike, e kujtimeve, madje (si një variacion i letërsisë personale), autobiografike. Vërtet, letërsia e tillë do të dëshmojë e dëshmia do provën, ndërsa letërsia jep motivim e figurë. Ky është paradoksi tipik e universal i kësaj fare të letërsisë. Ndoshta, një dalje e shënjon pikëpamja për autobiografinë si zhanër në të cilin dominon informatori, përballë informacionit (Zherar Zhenet), ndërsa fiksionin kategorial e dominon informacioni, që do të thotë rrëfimi. Gjithë kjo merr trajtën: rrëfehet për vete apo për të tjerë, por duke pasur parasysh se letërsia e kujtesës, në rrënjë e si diskurs, është atributive.
Kështu, kujtesa e libri hapen si faqe të një raporti, të një ndërliqësie të natyrës humane e estetike-letrare, kur ajo do ta kapë letërsinë në nyjën në të cilën zë e thuret, dmth. në nyjën në të cilën krijohet.
Libri i kujtimeve, në traditën e në bashkëkohësinë teorike evropiane, klasifikohet si non-fiction, duke njohur natyrën e tij dëshmuese. Klasifikimi disi rrëshqet, meqë skajimi i kujtimeve si dëshmi është i rrëshqitshëm, i pamjaftueshëm dhe bëhet pa e kujtuar (sic!) ndërliqësinë e raportit të kujtesës me fiksionin, si dhe të rrëfimit me jetën e gjallë, të cilën do ta kapë në prerje apo në shtrirje e ta japë (ta thurë) si tekst e si libër. Kujtesa nuk është historia, por kujtesa e shkruar. Ndërsa, paradoksalisht, vetë Zef Pllumi na mëson se shkrimi është i konstruktuar, kujtesa selektive e jeta – e vërteta totale, e jetuar dhe e provuar me qenie, dmth. me trup e me shpirt.
Por, çfarë pamjeje merr kjo kur e lexojmë Zef Pllumin shkrimtar për vete e dëshmitar për ne? Pllumi rrëfen jetën e tij si dëshmi, rrëfimet për të tjerët si tekst të mbindërtuar e portretet si sintezë të të dyjave, ndërsa shkëlqen me stilin e me gjuhën e tij (gegnishte). Po, se gegnishtja, funksionalisht, është gjuhë, ndërsa te Pllumi e vetmja gjuhë.
Vepra e Pllumit kujtesës e librit ua jep termat rrnesë e tregim, ndërsa vetë lidhet në formulën monumentale: Rrrno vetëm për me tregue.
II. LIBRAT E KUJTIMEVE
Zef Pllumi la tre libra të kujtimeve, të lidhur nën titullin Rrno vetëm për me tregue (2006), të strukturuar sipas viteve e tematikisht, përmes zgjedhjes së rrëfimit që do të dëshmojë. Vetë autori e tha që kujtesa (dëshmia) është më e gjerë, ndërsa ai nuk i tregoi të gjitha, meqë nuk donte të bëhej i pabesueshëm, sepse kishte ndodhi që dukeshin krejt të pabesueshme. Këtu kapim problemin themelor të librave të tij të kujtimeve, meqë ai zgjedh çfarë do të tregojë, do ta japë dëshminë e do ta mbajë të besueshme, meqë ka ngjarje që, edhe pse ndodhin, askush nuk i beson. Duket krejt aristetolike, edhe pse kemi para një vepër të shekullit tone, madje të viteve tona. Vërtet ky problem duhet shpjeguar bashkë me statusin e Pllumit shkrimtar e të tregimit të tij dëshmues. Se vetë e tha nuk jam shkrimtar, por vepra shkrimtarin e provon. Pllumi është rrëfimtar e çdo rrëfimtar (me shkrim të motivuar) është shkrimtar.
Kujtimet e Pllumit janë të jetës së tij, të njerëzve të bindjes e të vuajtjes, madje të xhelatëve të tij që vetë u bënë viktima të diktaturës së cilës i shërbyen. Pllumi dëshmon për të gjithë me dhimbje, duke i njohur viktima të një sistemi të egër që njerëzit i ktheu në skllavë e në kafshë pune. Ai tregon pa zemërim, pa refuzim e pa përjashtime, ndërsa këto e bëjnë kujtesën e tij rrëfim të besueshëm, një dëshmi për jetën e gjallë, për dhunën e për vuajtjen e egër.
Por, kujtesa e kthyer në rrëfim, edhe kur do dëshminë, kalon përmjet shkrimit dhe jetën e bën tekst. Ky nuk është një proces teknik, por imitim i jetës përmjet kujtesës, përftim i përvojës në një ontos të ri, në trajtë diskursi verbal. Këtu, nuk shtrohet çështja e saktësisë dhe e të vërtetës, por e statusit të informacionit në një rrëfim. Vetë Pllumi do të na thoshte se dëshmia nuk është rrëfim letrar dhe ngjarjet që do të ngjanin si letërsi i la jashtë librave të kujtimeve; nuk i rrëfeu, sepse bota nuk do t’i besonte. Pllumi do të lerë dëshminë e tij, në vend të dokumenteve të konstruktuara e të të vërtetës së manipuluar, ndërsa dëshmia shtrihet në disa zhanre, si rrëfim, rrëfime në rrëfim, portrete e anekdota.
Gjithë kjo, për një autor (aristotelik) si Pllumi, mund të shtrohet përmes raportit të historisë me letërsinë, të skicuar herët nga Aristoteli, e para si thënëse e asaj që ka ngjarë, ndërsa e dyta si thënëse e asaj që ka mund të ngjante. Duket skicë tematike, por që ka brenda edhe kushtet e thënies (modalitetet), meqë ajo që ndodh e ajo që ka mund të ndodhte nuk thuhen në të njëjtën mënyrë.
Po Pllumi çfarë na tha, atë që ngjau apo atë që ka mundur të ngjante?
Paradoksalisht, që të dyja. Atë që e jetoi vetë (që ka ngjarë) e dha si një gjë që mund të ngjajë prapë. Rrno vetëm për me tregue është formula që shënjon ato që kanë ngjarë e që nuk duhet të përsëriten dhe që të mos përsëriten, duhet të njihet, prandaj duhet të tregohen (me shkrim). Kështu, ngjarjet konkrete rrëfehen në kushtet e një universaliteti të të ndodhurave, ashtu siç e do letërsia. Së paku në këtë kuptim, dëshmia vlen më shumë se dokumenti, ndërsa dokumenti i manipuluar prodhon mashtrim e të pavërteta.
Nëse këto shenja që jep vepra e Pllumit do të mund të universalizoheshin në rrafsh teorie, është çështje tjetër, ndërsa mësimi (edhe teorik) që marrim nga vepra shënjohet edhe me parathëniet e me parantezat e Pllumit, në të cilat e skajon veprën e tij dhe do ta skicojë leximin e saj. Vepra do të duhej të lexohej bashkë me to, edhe këtu, edhe tani.
Vetë Pllumi thotë se ngjarjet që rrëfen në librat e vet “nuk janë fantazi, as trillime e shpifje të njaj propaganda politike, por pershkrime të zbehta të atij realiteti t’idhun historik që u zhvillue në Shqipn për gati 50 vjet”.[iii] Më tutje saktëson: “vendi im nuk asht në fundin e botës o diku në skajin e saj, por në Europë, ku farkëtohen fatet e qytetnimit prendimnor” .[iv] Skajon: “Ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue, prandej autori u kërkon të falun mbasi nuk asht shkrimtar” .[v] Dhe jep porosinë: “(autori) me dashamirës^ ju këshillon që të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë se pse ndodhën ato… Pse?”[vi]
III. RRNESA E TREGIMI
Vepra Rrno vetëm për me tregue lidh tre Librat e kujtimeve të Pllumit, ashtu siç vepra lidh tekstet (Zherar Zhenet). Pra, tekstet janë shkruar e publikuar gjatë disa vjetëve, ndërsa Rrno vetëm për me tregue i merr bashkë në trajtën e veprës (së kryer). Kështu, Rrno vetëm për me tregue është Vepra e kujtimeve e Zef Pllumit, ndërsa veprat e kujtimeve janë vepra të jetës.
Pllumi ka portretuar edhe etërit e mëdhenj françeskanë, ka dhënë histori kurrë të shkrueme e autobiografinë, madje shkroi poezi, por vepra e kujtimeve është kryevepra e tij, dëshmia e tij për ne, kujtimet që duhet t’i bëjmë tonat, të mos i harrojmë që të mos përsëriten. Ndërsa, kujtimet e dëshimtë, autobiografia e poezia shënjojnë jetën e gjallë të tij, si dëshmi, e imagjinimet e tij, si poezi. Autobiografia, e shtruar si rrëfim, por e nisur dhe e pakryer, lidh jetën e gjallë, me psike-në e autorit, ashtu siç bën ky zhanër përgjithësisht. Pllumi rrëfen e dëshmon për jetën e të tjerëve, prandaj rrëfen edhe për veten. Vërtet, kudo ai rrëfen për veten me të tjerë, kështu që është aq atributiv. Në nyjën në të cilën lidhen rrnesa e tregimi i kujtuem. Prandaj, vepra merr shenja identitare të autorit e të epokës së tij, në (për)thyerjen politike e fatale të jetës nën diktaturën komuniste.
Rrnesa e tregimi janë kategori që përftojnë dy ontos-e, jetën e gjallë, të jetuar, e jetën e kujtuar, të treguar. Kështu, raporti themelor ndërmjet tyre është mimetik, ndërsa vepra bëhet porosi e jetës; tregimi do të jetë fytyrë e fiksuar e jetës, ashtu që të mbetet e të mos harrohet. Tregimi do të thotë e të mbajë përherë të vërtetat për epokën e rëndë të shqiptarëve nën diktaturën e egër që e ngrenë vetë për vete. Ndërsa, Pllumi, i sinqertë deri në fund, është dëshmitar i besueshëm deri në fund. Ai është i besueshëm, sepse tregimi motivohet, ai bind, sepse teksti ka provën. Vetë Pllumi e tha që e vërteta për këtë epokë nuk ndodhet në arkiva, meqë dokumentet janë konstruktuar nga vetë ata që projektuan epokën e tmerrit, e vërteta gjendet në rrëfimet e njerëzve për jetën e tyre e për njerëzit me të cilët bashkëvuajtën. Kështu, historia qenka tregimi për jetën personale, të kujtuar e të shkruar, në pikën ku ajo takon të tjerët. Historia qenka më shumë e përtej dokumentit. Sepse, ajo do ta thotë atë që ka ngjarë, e ajo që ka ndodhur është jeta e gjallë e individëve dhe e kolektivitetit (individëve të lidhur).
Rrno vetëm për me tregue përbëhet nga tre libra të kujtimeve, të strukturuar kronologjikisht e tematikisht: Libri i kujtimeve 1944-1951, Liria midis dy burgimeve 1950-1967 dhe Robnia e gjatë 1967-1989. Vetë titujt shënjojnë zhanër e kthehen në emërtime për epokën, ndërsa vitet janë evidenca që e orientojnë tregimin dhe që vetë ndiqen edhe nga leximi.
Libri i parë ka dëshminë më të rëndë personale, kur përshkruan torturat që iu bënë autorit në hetuesi e në ambiente që t’i kujtojnë rrëfimet kafkiane, torturat e jetët e humbura të njerëzve të tjerë, sidomos të drejtuesve e misionarëve të Kishës katolike, të shënjuar e të goditur si përfaqësues të kulturës perëndimore evropiane. Dëshmia është e rëndë, e zezë, sidomos kur ke parasysh se veprat e tilla çnjerëzore patën autorë shqiptarë, e që jepet nga një shqiptar, gjakon e át. Tregimi është i drejtpërdrejtë, i përqendruar, pa figura e pa shmangie, ashtu që të marrë copat e thyera të jetës e ne t’i lexojmë copa-copa, si të gjalla. Ky libër ka rrëfimin për ditët e për vitet e para të regjimit të ri e që, si në çdo rast, janë më të egrat. Ky është libri i kujtimeve më të zeza shqiptare. Ndërsa, strukturalisht tregimi ndjek vitet e situatat tipike të tyre, secila më e rëndë se tjetra. Struktura e tillë rrëfimin e bën kronologjik.
Libri i dytë është tematik dhe këtë e reflekton struktura dhe rrëfimi i lidhur me situata që shtrihen në disa vjet. Rrëfimi i tillë është tipik për zhanrin e kujtimeve e që është një zhanër tematik, me veti narrative, disi universale, i skajuar për nga evokimi dhe i lidhur me fabula të caktuara. Vetë titulli e shënjon lidhjen tematike të teksteve, Liria midis dy burgimeve, liria midis, burgimet para e prapa, ndërsa tema themelore është misioni/shërbimi i fratit Zef Pllumi ndër male. Kjo është epoka kur Kisha përballet me regjimin diktatorial në rrafsh ideologjie, e para si mësim moral universal, i mbrujtur me dashuri për njerëzit, e dyta si propagandë që klason e deklason shqiptarët. Ndoshta, këtu përballja ishte më e ashpër sesa kur regjimi kishte mjet të vetëm dhunën. Propaganda indoktrinon e lëshon rrënjë që e forcojnë mësimin se si të urresh, të refuzosh e të zhbësh gjithë çfarë nuk të ngjan, ndërsa jeta hapet me ngjyra e nuanca, me të gjitha diferencat, në pasurinë më të madhe të saj. Vetë historia shqiptare nën diktaturën komuniste e provon se ideologjia e tillë i kthen bijtë kundër etërve, në trajtën më të egër të mohimit e të etiketimit të tyre.
Robnia e gjatë kap vitet 1967-1989 dhe është strukturuar në rrëfim e portrete, zhanër që do dhe që e shkruan mjeshtërisht Pllumi. Portretet e provojnë rrëfimin për personin në situata, duke ia shtuar sprovës së tij skicën karakterologjike e rrëfimin e përqendruar për jetën e tij, në trajtë të një biografie të anticipuar. Meqë rrëfimi kap situata tashmë të provuara, edhe dëshmia bëhet disi më e prerë dhe më e ftohtë, si provë e zhanrit që kujtesën do ta japë si provë e provat e lidhura si shenjë themelore të dëshmisë, të tregimit të rrnesës. Robnia e gjatë është rrëfimi për 22 vjet robëri, punë e vuajtje, burgjeve e kampeve të punës, në kushtet më të egra e me mungesat më të mëdha. Libër i robërisë e i daljes në liri, atëherë kur “liria erdhi vetë”.
Të lidhur në një vepër, Librat e kujtimeve janë testamenti i madh i Zef Pllumit për ne e për të tjerë që do të vijnë pas, jo veç për ta njohur epokën e egërsisë e të zisë, por edhe për të mos e përsëritur kurrë. Librat duhet të lexohen së bashku, të lidhur në një vend, si tregim i një përvoje të gjatë, prandaj ashtu na i dha Zef Pllumi nën titullin Rrno vetëm për me tregue.
Rrno vetëm për me lexue. Aty janë dëshmitë, provat e mësimet.
Vetë Pllumi, një tregimtar që jetoi për vetëm për me tregue, vetë shtrin rrëfimin për kujtimet e tij dhe librat (pjesët) i përshkruan me saktësi, si strukturë e synim, por dhe si mësim se si të lexohen ata:
Në kje se vëllimi I kujton kryesisht vuejtjet e klerit katolik e të nji pjese të intelektualëve, vëllimi II asht për të gjithë Shqipninë, e cila quhej e lirë, por e lirë nuk ishte. Në sa pjesa III përfshin vuejtjet e burgut jo vetëm të mijat, por të shumkuj, madje ma shumë të tjerëve. Qellimi i tyne asht kryesisht historik, për me kundërshtue historinë krejt rrenacake, krejt gënjeshtare që asht shkrue gjatë këtyne 50-vjetëve. E mjerisht, mjerisht, tue kenë në burgjet e vuajtjet ishin të panjoftuna, jo prej shumkuj, por gati prej gjithkuj (…) [vii]
IV. PORTRETET
Portretet, të shtrira në rrëfime e në dëshmi, janë strukturime tipike për Rrno vetëm për me tregue, në nyjën në të cilën rrëfimi duhet të provohet me figura, dmth. me shembuj (personazhe).
Pllumi i portreton njerëzit e vuajtjes e të jetës së humbur, të besës (religjionit), të dijes, madje edhe njerëz të diktaturës që vetë ajo i rrënoi. Portretet e tij janë dëshmi të lidhura në diskurs moral, ndoshta dhe moralizim, e të dhëna nën vetëdijen se portreti bëhet mbi njohjen e mbi përvojën e vet e zgjedhet sipas shijes personale, e cila përherë është vlerësim.
Diskursi është i prerë, por i peshuar, ndërsa portreti zbulon përkorjen tipike të një françeskani që nuk do të cenojë asnjë shpirt dhe që kur flet e njohim në çdo shenjë, ndërsa të vërtetën e thotë për ne ashtu si e mendon, pa e barazuar me tjetrin. Portreti i tillë nuk njeh asnjë akuzë, por thuret si apologji humane, ndoshta ashtu siç e jepte tradita e humanizmit, por saktësisht ashtu siç mëson Urdhri i tij: jetë e përkorë, dashuri e flijim, e këto bashkë janë dashuri për njeriun: Pax et Bonum (Paqe e mirësi). Një dashurues i tillë ishte Zef Pllumi, kur jetoi e vuajti, apo kur shkroi e vuajtjen e përjetoi edhe një herë nga fillimi.
Portretet e Pllumit janë të përqendruara, kapin karakterin e personazhin në situata tipike (dhe provojnë karakterin e Pllumit në situata jotipike), shpesh duke ilustruar me rrëfime që e provojnë këtë karakter apo ilustrojnë situatat. Asnjë nuk kalon kategorialisht në biografi, meqë të gjitha portretet së bashku janë shembuj, pra prova, të rrëfimit e të dëshmisë së Pllumit. Kështu, ndodh që rrëfimi themelor të provohet me një rrëfim tjetër (intradiegjetik) e që personazh ka ndonjë nga të burgosurit që Pllumi e njeh në të gjitha situatat e rënda të vuajtjes së përbashkët.
Vetë Pllumi, në një parantenzë, e tha: “Lexues i dashtun, që në fillim të këtij kapitulli (është fjala për kapitullin Portrete të ndryshme të burgosunish, të Librit III të kujtimeve – K. M. Sh.) due me deklarue se ata shka po shkruej nuk mund jetë vetë realiteti, por vetëm përshtypjet e mija personale ose edhe të nji grupi që mendojshin si un. Nuk kam ndërmend të fyej kurrnji njeri e aq ma pak ta akuzoj. Në ketë kapitull due me ba vetëm pjesën e nji ciceroni që u shoqnon në ni galeri artesh figurative, sigurisht jo n’ato të perandorëve e mbretënve, dukëve e papëve që gjinden në Versaje, British Muzeum, Tetriakovski, Eskurial apo Vatikan, por në nji galeri të errët burgjesh, ku tirania, për qëllime të veta të caktueme, bashkon gjithfarë tipash njerëzorë. Në të vërtetë mund të ishin të panumërt, por kam zgjedhë në përshkrim ata që i rrijnë ma afër shijeve të mija personale”.[viii]
Prandaj, duke e marrë këtë mësim, duhet ta nisim edhe leximin e portreteve të tilla.
V. MËSIMI
Rrno vetëm për me tregue, nga porosi jetësore e At Marin Sirdanit për At Zef Pllumin, u bë vepër e Zef Pllumit (autor) e titull i saj. Si porosi e kryer, pra si vepër e shkruar, Rrno vetëm për me tregue do ta japë mësimin për ndodhitë e treguara, që ato të mos përsëriten.
Ky mësim duhet të merret.
A thua e morën shqiptarët?
Vetë Pllumi, kur komentonte Lahutën e Malcis (1937) të Fishtës, e shënjonte largimin e brezit të ri nga vepra si ajo e Fishtës, duke e shënjuar largimin nga një kulturë autentike shqiptare, me shenjë të parë gjuhën. Si dëshmitar apo, i kthjellët si ishte ai, në fund tha vetëm “Okej”. Pra, si të doni! Mësimi propozohet, por mësimi duhet të mësohet. Një mësues i vërtetë është pak, pa një lexues të vërtetë.
Ndoshta, ky është mësimi themelor i dëshmitarit Zef Pllumi. Vepra u kushtohet:
Atyne që vdiqën njerz,
atyne që qëndruen njerz
gjatë asaj periudhe të vështirë
në të cilën njeriu u shnderrue në kafshë pune.[ix]
Ndërsa, mësimi të gjithë atyre që kanë zotësinë ta marrin. C’est la vie. Rrnesë, tregime e mësime (për vete e për të tjerët).
Një rrëfimtar si Pllumi është një mësues i përjetshëm, prandaj mësimi nuk merr fund asnjëherë. Vetëm se kalon mosha e mësimi merr trajtë skeleti, bëhet më i vërtetë e më i saktë. Prapë, mësimi e do një lexues që mësimin e merr me saktësi e saktë lexon kush e njeh të kaluarën.
Tashti termeqet nuk mund t’i parashohë kurrkush se kah vijnë e tekk vijnë e sa ballsh kanë me kenë, kur të vijnë… këto i ka jeta… por do të mësojmë prej tyne se si me i bajtë me durim e me vendosmëni. Ka randës sidomos mos me i luejtë kurrë parimet. Mjerisht – tue kenë njerëz – ndoshta gabime të vogla, të parandësishme, edhe mund të bahen, por pa damtue idenë.[x] [xi]
VI. LETËRSIA E KUJTIMEVE
Librat e kujtimeve, së bashku, konstituojnë një letërsi të kujtimeve, të shënueshme në letërsinë shqipe si tipike, për shkak të natyrës mimetike të saj. Shenjat duken qysh tek autorët e hershëm, forcohen përgjatë Rilindjes e bëhen themelore në modernitet, kur jeta, kultura e kujtesa kthehen në subjektivitet letrar.12
Në këto shenja, leximi i letërsisë së kujtimeve shënjon lexim të një klase (tipologjie) të letërsisë shqipe, me shtrirje përtej epokave e shkollave letrare, madje përtej estetikave të artikuluara e personale. Kështu, shkrimet e libri i kujtimeve kthehen në shënjues tipikë historikë e tipologjikë të letërsisë shqipe, që nga parateksti i Mesharit (1555) të Gjon Buzukut e te veprat e sotme, në variantet e kujtesës si intertekst, të kujtesës si tekst apo dëshmi e të rrëfimeve të rirrëfyera.
Kështu, letërsia e kujtimeve shkon përtej fushës së fiksionit, përherë duke u kryqëzuar apo duke shemruar me të, dhe hapet si shkrimtarí, që nuk e kap një zhanër. Këtu do të mund të skajohej edhe letërsia e kujtimeve e Zef Pllumit, me termat e një shkrimtarie, e cila bëhet duke shkruar shkrimtari e duke strukturuar autori.
Vepra e Zef Pllumit, përpos një vepër që duhet lexuar, kthehet në shënjuese të një tipologjie të tërë letrare shqipe, e cila duhet studiuar si e tillë.
Shënjimi i tillë veprën e Pllumit, nga një vlerë, e kthen në vlerësi, që do të thotë në vepër të rëndësishme. Ndërsa, të gjitha veprat e rëndësishme kthehen në vepra klasike. /Revista “Akademia”/Telegrafi/
_______________
[i] Kështu foli At Zef Pllumi me gazetarët, Onufri, Tiranë, 2008, f. 86
[ii] Po aty, f. 120-121
[iii] At Zef Pllumi, Rrno vetëm për me tregue, shtëpia botuese “55”, Tiranë, 2006, f. 15
[iv] Po aty
[v] Po aty
[vi] Po aty
[vii] Kështu foli.., f. 86
[viii] Át Zef Pllumi, Rrno vetëmpër me tregue, f. 599
[ix] Po aty, në paratekst
[x] Kështu foli…, f. 89
[xi] Shih Kujtim M. Shala, Zbulesa e modernitetit, Fondacioni “Ibrahim Rugova”, Prishtinë, 2017
_______________
Bibliografia
• At Zef Pllumi: Rrno vetëm për me tregue, Shtëpia Botuese “55”, Tiranë, 2006
• Kështu foli At Zef Pllumi megazetarët, Onufri, Tlranë, 2008
• At Zef Pllumi: Saga e fëmijnisë, Botime Françeskane, Shkodër, 2009
• At Zef Pllumi, OFM: Rrno vetëm për me tregue I, Botime Françeskane, Shkodër, 2015
• At Zef Pllumi, OFM: Rrno vetëm për me tregue II, Botime Françeskane, Shkodër, 2015
• At Zef Pllumi, OFM: Rrno vetëm për me tregue III, Botime Françeskane, Shkodër, 2015
• Aristoteli: Peetika, Rilindja, Prishtinë, 1984
• Zherar Zhenet: Figura, Rilindja, Prishtinë, 1985
• Gjon Buzuku: Meshari, Rilindja, Prishtinë, 1987
• Gerard Genette: Essays in Aesthetics, University of Nebraska,. Lincoln and London, 2005
• At Gjergj Fishta, OFM: Lahuta e Malcts, Botime Françeskane, Shkodër, 2006
• Shën Augustini: Rrëfimet, Plejad, Tiranë, 2006
• Kujtim M. Shala: Zbulesa e modernitetit, Fondacioni “Ibrahim Rugova”, Prishtinë, 2017