Dy Morricone-t e mëdhenj në Tiranë!

Nga Zhani Ciko

Më kujtohet një bisedë e kohëve më parë, së paku katër-pesë vite të shkuara, që në fakt mbyllte ciklin e një mardhënie me Morricone-t, në linjat personale. Nuk dua të filloj me konkluzione mbi sa ndodhi, në dy a tre tablo të një fiction, (me që jemi në botën e artit të shtatë, gjithsesi). Aty nga mesi i viteve ‘90, në RTSh ku isha i përqëndruar në drejtim të zgjerimit të rolit të veprimtarive radiotelevizive muzikore, si drejtues “mundësiplotë” i departamentit dhe njëherësh drejtor artistik i stinëve koncertore të Orkestrës Simfonike, isha i përkushtuar tërësisht bashkëpunimit me artistë nga jashtë, sepse e mendonja këtë si rrugën më të mirë për integrimin e kulturës sonë muzikore. Shfrytëzoja çdo kontakt të mundëshëm për të plotësuar vonesën e krijuar nga vitet e izolimit.

Në një nga bisedat me mikun bashkëpunues, dirigjentin Vittorio Parisi, mësova se ai ishte impenjuar tërësisht për realizimin e një Koncerti Simfonik, me veprat e kompozitorit Ennio Morricone, në Auditorin e Romës, që sapo ishte përuruar, mbase ende jo i plotë. Pak gjë dinja për “muzikën klasike” të Morricones. Ne dinim muzikën për filmin “Sacco e Vanzetti”, që e kishte qejf ekrani ynë i vogël, apo westeri i parë italian “Për një thes me ar”, a ndonjë tjetër.

“Jo, tha Parisi, një ditë kur e pyeta Ennion për mardhënien me këto zhanre të ndryshme dhe preferencën e tij, ai më tha se fillimisht dhe unë desha të merresha me muzikën e madhe dhe kur miku im, Serxhio Leone, më futi me botën Hollivudiane, thashë me vete: Po fitoj jetën me muzikën e filmit dhe pastaj po i rikthehem asaj seriozes! Po ja që nuk ndodhi kështu. Jam njësoj i dashuruar me të dyja. Përherë e më pak po kam kohë për dashurinë e pare”.

-Shiko Vittorio, ‘gjej rastin dhe propozoi, në se ka dëshirë ta ftojmë për një Koncert në Tiranë në Pallatin tonë të Kongreseve, ku kanë ardhur tani ky dhe ai, madje ta drejtoje ai vetë’, u mundova t’i hedh grepin Ennios unë.

Diçka po vihej në vijë. Ai ishte ngacmuar nga sinqeriteti ynë dhe përshkrimi dashamirës i maestro Parisit, për Tiranën, muzikantët miqësorë dhe pak të zhurmshëm të orkstrës sonë dhe sidomos që në Tiranë s’ke nevojë për përkthyes, askund.

Siç e kam thënë, kur ne na ecin punët, ndodh diçka që “dikush na e sajon”. Kishim mbërritur në të mbrapshtën vitin ’97!

Erdhëm në mileniumin e ri. Kohët po punonin prapë për ne. Unë kisha tejkaluar mendimin e parë, për vetëm Koncertin “Tirana-Klasik” të maestro Morricones. Diçka kisha dëgjuar për problemet financiare të muzikantëve italianë, krizën me orkestrat e Rai-t, etj.

Ja gjetja thashë: Ti propozojmë të vijë të regjistrojë muzikën në RTSh, në studion e madhe të Orkestrës, për më shumë që regjistrimet digitale, që ne nuk i kishim filluar ende, për orkestrat kishin dalë nga moda, kurse tek ne ishin si para 15 vitesh, analoge. Pra ne ishim “ende në mode”.

Nuk u prit pa interes propozimi. U çuan fotot e studios dhe mbi të gjitha një plan pune i favorshëm e i stërhollshëm provash.

Kur në bisedë me zonjën producente të Maestros, nga aksenti i kësaj të fundit dallova se ajo duhej të ishte rumune, unë shpejt e kalova bisedën në këtë gjuhë, si rastësisht i propozova që kostot e tyre tek ne, do ishin më të ulta se në çdo vend tjetër të mundëshëm, bjondja simpatike xhentile, por dhe e rrahur me përvojat lindore të vëndit të saj e më gjerë, premtoi: Atëhere unë do të vij në Tiranë. Nuk tha se kur, por kuptova se ajo njihte tashmë gjithçka për ne. Ermir Krantja që do vinte ato ditë tek ne për një koncert, ishte në dijeni, njihej, bashkëpunonte dhe lobonte për ne.

Biondja sipmatike erdhi, u kënaq nga pritja, humori, restoranti dhe dëshira jonë e flaktë, për të realizuar prodhimin e muzikës së filmave të Morricones, për shtëpitë filmike më të mëdha në botë. Çfarë realizimi madhor. Çfarë triumfi mbi të kaluarën e mbyllur dhe sidomos për strategjinë e shumë artistëve që dëshironin me zjarr në shpirt, që jetojnë dhe prodhojnë artin e tyre në shtëpi, por ta përhapin atë në ekranet e mëdha dhe të vegjël të botës. A s’ishte krijuar orkestra e RTSh-së për këtë? Në fakt ne ruanim destinacionin e saj, por përmasat nuk ishin më lokale, por ndërkombëtare.

Por institucioni kishte ecurinë e vet. Koha kishte sjellë zhvillime të reja. Po lindnin mediat jo publike, me dëshira të mëdha. Brenda zienin debate të egra mes strukturave. Dikush largohej, të tjerë vendosin. Ne qëndronim në skenë a mikrofon, ose dhe “mbaheshim si të fortë”. Pyetjeve preçize të produksionit, “Morricone”, i vonohej përgjigjia.

Kur menaxherja u informua për realizimin real të kontratës etj., kuptoi ngathtësinë administrative dhe ligjore tonën, si dhe probleme të vetat që nuk na i zbuloi. Mes buzëqeshjes dhe mëdyshjes u largua. Na njohu, na vlerësoi për përkushtimin dhe i erdhi keq për dështimin.

Për projektin “Prodhimi i muzikës së filmave Morricone”, mbeti kujtimi dhe respekti i pakufishëm për mjeshtrin më të madh të botës kinematografike dhe besimpatundur, për talentet muzikore shqipëtare. Një vënd tjetër vëllezërish ballkanikë, e kish akaparuar producenten, që nuk i rezistoi kohës tonë të realizimeve të shtrira.

Ndërkohë dhe unë vetë u largova në detyrën mbi dhjetë vjeçare në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Kisha realizuar në RTSh dhjetë vjet veprimtarie intensive, brenda dhe jashtë, disa produksione simfonike tonat në disa shtete, si dhe regjistrimin e një opere të rrallë që do publikohej së shpejti. Kënga jonë kishte marrë krahë në disa veprimtari ndërkombëtare dhe gjithashtu një hap e ndante nga kompeticionet më të mëdha europiane. Duheshim shumë me muzikantët dhe një pjesë e mirë e stafit drejtues, që na mbështeste.

Tablloja e dytë e fictionit

Vitet kaluan në një dekadë marramëndëse. Përmes miqve vinin lajmet mbi shëndetin e Maestros, çmimet madhore Oscar, e onorifikime të tjera. Ndonse diku tjetër ruajta lidhje me disa nga miqtë internacionalë të RTSh-së. Dikush dhe ndizte ndonjë xhelozi institucionale, jo dashamirëse. Normale dhe kaq.

Kur u lirova nga impenjimet institucionale dhe dola në “krijimtari të lirë”, më qëlloi në Romë, të më ftojnë në shtëpinë e Morricone junior, maestro Andrea Morricone, djalit të madh të Ennios, njëherësh dhe trashëgues i traditës muzikore familjare. Erdha shpejt në klimën e parë 15 viteve, pa ditur psenë e ftesës. Atmosfera e njohur mirë prej meje. Gjithmonë lidhjet e vjetra përtërihen shpejt.

Përmes diologut, kuptova se ishte dëshira për t’a rrimarë dhe një herë projektin e hershëm të produksioneve dhe koncertit të munguar në Pallatin e Kongreseve. Ah sikur të të realizohej dhe më në fund dhe Maestro ‘Oscar’ ta shkelte tokën tiranase dhe tapetin jeshil, ndonse tashme të vjetruar të Pallatit të Kongreseve?!

Si gjithëmonë koha s’mjafton. Mendova lidhjen e koncertit me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, që e realizonte gazetarja dhe drejtuesja e emisioneve të kulturës në RTSh. E bisedova menjëherë me Anilën, (Varfi) që e kuptoi menjëherë se çfarë sinjifikati kishte relizimi i projektit. Koordinatorja në Romë, Ester Gjika, vajza juriste e të paharruarit regjisor, Viktor Gjika, instaloi linjën direkte me ne. Takime, plane, shpresa, jo vetëm për një herë, por për vijimësi…?!

Prapë koha shqiptare e pamjaftueshme! Institucionet tona në ngërç. Nuk përfundonin proçeset atje ku mund të realizohej dhe akoma s’kishte kompetencë njeri. Madje dhe vete Film-Festivali Ndërkombetar nuk u zhvillua. Pimë një kafe me Anilën, shprehëm konsideratën për miqësinë dhe…nuk u pamë më.

Kohë pandemie

Të gjithë vuajnë për ardhmërinë. Ka dhe nga ata që ndjekin përditshmërinë. Bëjnë një foto duke qeshur dhe lajmërojnë botën mbarë. Ndarja me Oscare-t e Artit është më e hidhur se gjallimi është orientues dhe protektor. Do gjehen të tjerë me kohë dhe gjëndja me siguri do marrë udhë…?!

/Memorie.al/

SHKARKO APP