“Eja n’Lis”, poezia geg vjen n’betejën e saj t’përfaqësimit dhe konkurrimit si vlerë e epërme e këndimit shqyp

T’shtunen e parë t’marsit, n’fillim t’pranverës, përnjiher me sythet e para e kur ka xanë me çil lule kumlla, kur dielli fillon me dritt, ma shumë se me nxe, Klubi i Letrave “Ndoc Gjetja” Lezhë, i ka ba za poetëve gegë, “Eja n’Lis”, me këngu n’gjuhën e shenjtorve t’shqypes.

Me iniciativën e një myzeqareje, qi shpirti dhe pena i këndon gegnisht, Bruna Gjoni Përvathi, më 2 mars 2024, bahet i mujtun nji tubim i poetëve geg, ma shumë se si nji konkurs, si nji t’shtrume, naltue n’obligim krijuesish. Me këndu e me kuvendi n’sofrën lezhaine, tankush don me zemër e maston me shpirt, lëvron me mendje dhe kultivon me përkujdesje, mëkimin e hyjshëm.

Bahen z’bashku prej gjithëkah flitet shqyp e asht Shqypni, e sosin tue shpalue zemrën, e blatue shpirtin, n’gjuhën qi naltuen zanin dhe emnin e ma t’zashmëve të shqiptarisë, qysh se kjo vullnes e perëndishme xuni me kushtrue, tue fillues me “Formulën e pagëzimit” të Pal Engjëllit, “Mesharin” e Gjon Buzukut, “Çetën e profetëve” nga Pjetër Bogdani, veprat e Pjetër Budit, Frang Bardhit etj. Po, tue yshtun për ma nej, me veprat monumentale “Lahuta e Malcís” e Gjergj Fishtës, si dhe u kodifikua Kanuni i Lekë Dukagjinit nga Shtjefën Gjeçovi. Për me u mbarështue me emna, vepra dhe vlera, rrugtue prej; Pashko Vasa e Ndoc Nikaj, Át Justin Rrota, Gjon Kamsi, Luigj Gurakuqi, Lazër Shantoj, Ndre Zadej, Anton Harapi, Vinçenc Prennushi, e vazhdue me Koliqin, Mjedën, Shllakun, Camajn, Pipën, etj., etj., etj..

N’konkursin e shpallun para nji mueji, mbyllun me 20 prill, për me u kushtrue më 2 mars, ora 13:00, prej 97 poetëve qi janë pjesëmarrë në këtë sfidë konkurrimi, juria ka ba t’mujtun me përzgjedh 50 prej tyne, t’cilët tue u ballafaq mesvedi, kanë me nxjerr fitusit, qi munden mos me kan ma t’mirët, por n’ma t’mirët, ata kan me shënju emnat dhe poezit e tyne në librin e kësaj tradite, që asht nji tjetër faqe në promovimin qi Lezha i ban krijimtarisë n’përgjithësi, poezis n’veçanti.

Asht ba publike përmes postimeve n’rrjetet sociale, se ka nis puna me e ba sa ma t’kandshme aktivitetin n’Lezhë; n’bashkëpunim me aktorët e tjerë, artistat e zhanreve të ndryshme, lezhjanët, Bashkinë Lezhë, Bibliotekën, Pallatin e Kulturës, krejt bashkë.

Më 26 prill organizatorët kanë ba publike atë ç’ka juria ka përzgjedhë mes poezish që u janë dhanë për gjykim të numërtueme, që don me thanë pa emnat përkatës të poetëve, për me qenë kështu sa ma të drejtë me gjithsecilin.

Poetët finalistë janë:

  1. Alma Zenellari, “Mit i pritjeve”
  2. Valbona Kolaveri “Dekën kam me ba pë ty”
  3. Fatbardha Behri Kaçi “Fluturim malli”
  4. Eftali Dingo (Efti Mboqe) “Gjethet vjeshtanake!”
  5. Adem Abdullahu “Kush e do nji pikë shi”
  6. Margarita Nikolli Bardhi, “Pak relaks n’kët zagushi…”
  7. Vjollca Keqi “Konakut t’vjeter”
  8. Ramë Oraca “Arka e nanës”
  9. Mirela Papuçiu “Ban’mu det”
  10. Mimoza Rexhvelaj “Çka humba mbramë!”
  11. Manjola Brahaj Halili “Kam”
  12. Drita Ademi “Andërr e flutra”
  13. Melita Vjerdha “Rikthim”
  14. Rozafa Shpuza “Autoportret”
  15. Azem Baliaj “Me lirikat notuem…”
  16. Arbana Arba “Amaneti”
  17. Bledar Tafaj “E deshta…”
  18. Kaltrinë Uka “Kthehu për hatër t’hanës”
  19. Gabriela Mujaj “I dashtuni jem zdrukthtar”
  20. Sami Mulaj “Nuk kam Bjeshkë me falë”
  21. Ger Totraku “E fundit dhe e para”
  22. Majlinda Toma “Nën lekurën time”
  23. Ibrahim Berjashi “Jeta jonë”
  24. Luerda Avdiaj * * *
  25. Gëzim Murajza “Letër”
  26. Asja Mulgeci ‘Kangt e shpirtit gjithqysh me t’i kndue”
  27. Ali Gjeçbritaj “Kohët e mija”
  28. Bislim Ahmeti “Qaj në gjuhë të huaj, qesh në gjuhën time”
  29. Dije Demiri-Frangu “Grue e ujit grue e gurit”
  30. Luiza Makaj “Ekstazë e dëshprueme… “
  31. Trandafile Malshi “Ajo ish’ nji gruè “
  32. Monika Muzikanti “Mbramë”
  33. Merita Berdica “Gonxhe”
  34. Vilson Cullhaj “Sytë dhe violina”
  35. Vlora Rexhaj Morina “Zjarrmi”
  36. Dhurata Haxhiu Kasa “Qe tash”
  37. Diana Markaj “Cuc’ e gjal”
  38. Arjola Zadrima “Të due”
  39. Matilda Brozi “Mos u kthe në asnjë 8 maj”
  40. Liza Brozi “Agoni”
  41. Alketa Gashi Fazliu “Dashinia jonë asht qelizë malinje”
  42. Jonida Çuko “Lule trishtili”
  43. Albert Vataj “I hyjshmi dëshirim i shpirtit tem”
  44. Besart Ramiz Tafaj “Shah – mát”
  45. Albina Idrizi “Muranë malli”
  46. Bike Tufa “A ban…”
  47. Bona Mulaj Lluka “I shtrenjti biri jem…!”
  48. Menduh Leka “Braktisja e Madhe”
  49. Andris Lleskai “Nuses seme”
  50. Adem Xheladini “Shpresë e vuejtun”

Ky organizim, kjo pjesëmarrje, ky tubim i poetëve qi shkruejn e përjetojnë n’gegnisht, ban t’pranishëm nji fakt shumë domethanës, qi ka t’baj me lëvrimin e gognishtes, me t’shkrumit në këtë gjuhë të perëndishme, e t’këndumit t’bylbylshëm t’shypes, jo veç prej gegëve, por prej tankun jetojnë shqyptarët.

Mbetet me promovu dhe me lavdëru kyt nisëm, me çmue iniciatorët për kyt akt t’nalt shqiptarie, me i ken mirënjohës autoriteteve vendore t’Lezhës për sportin dhe mbështetjen e pakursyme, qi kjo thirrje t’ndigjohet.

Albert Vataj

SHKARKO APP