Enxhi Cuku: Eksperienca ime te “Gjyshja” dhe mesazhi që përcjell roli i Shpresës

Intervistoi: Albina Gjergji

Quhet Enxhi Cuku, është 23 vjeç e deri tani numëron shtatë role të suksesshme në kinematografinë tonë. Edhe pse shumë e arrirë profesionalisht për moshën që ka, sapo nis bisedën me të, vëren që Enxhi karakterizohet nga një modesti tejet simpatike. E tërhequr nga “zhurmat” që qëllimisht personazhet mediatikë shkaktojnë për efekt pompoziteti, ajo ndryshe nga ata preferon qetësinë dhe përkushtimin me seriozitet në punë. E kjo duket se e ka bërë të veçantë në llojin e saj, pasi për Enxhin ambicia profesionale duhet patjetër të përkojë edhe me talentin. Virtyt me të cilin natyra e ka bekuar. Roli i saj më i fundit në kinematografi është ai i Shpresës në filmin me metrazh të shkurtër “Gjyshja”. “Shpresa, pra, personazhi që unë luaj në këtë film është një rol delikat për mua, pasi luaj gjithe kohës me emocione dhe e gjitha shprehet pa fjalë në këtë film”, tregon për gazetën “Koha Jonë” aktorja Cuku, duke shtuar më tej se, “Ky film flet për një temë shumë delikate dhe mendoj se do të shkaktojë diskutime”.
“Gjyshja”, e cila trajton një dramë shqiptare pritet të vijë premierë mbrëmjen e datës 7 tetor në kinema “Millennium”. Me skenar dhe regji të Eduart Grishaj ky film artistik sjell në role aktorë të mirënjohur si, Cun Lajçi, Ema Andrea, Rita Gjeka, por edhe të rinj mjaft të talentuar siç është dhe Enxhi Cuku.

Aktore e re në moshë, por me disa pjesëmarrëse në filma me metrazh të shkurtër e të gjatë. Mund ta na flisni pak për eksperiencën tuaj ne kinema Enxhi?

Unë jam e dashuruar me botën e kinematografisë. Që në rolin tim të parë protagonist në filmin “Femrat” nuk jam ndalur më. Kuptova që është aktrimi ajo që dua të bëj dhe po punoj fort që ta kthej në profesion sa më shpejt. Kanë kaluar 6 vite që nga roli i parë dhe ndjehem mirë me aq punë sa kam realizuar në Shqipëri. Kur kthehem dhe numëroj rolet që kam luajtur, arrij në përfundimin që kam interpretuar vetëm role që i dua, role me “esencë” i quaj dhe sigurisht në skenare që vërtetë besoj.

Po për përfshirjen tek filmi “Gjyshja”, i cili sapo është prezantuar si i përfunduar nëpërmjet trailer-it?
Mund të them që ka qenë një eksperiencë shumë e mirë. E dua shumë si skenar dhe më ka pëlqyer shumë korrektesa dhe pasioni i regjisorit, Eduart Grishaj. është shumë i rëndësishëm roli i regjisorit në film, pasi është ai drejtuesi i të gjithë punës. Filmi “Gjyshja” është realisht një nga projektet që kam më shumë përzemër dhe kam pritshmëri.

Një film i ideuar nga regjisori, Eduart Grishaj, si erdhi tek ju oferta për të qenë pjesë e “Gjyshes”?
Më kontaktoi vetë Edi për këtë rol. Mendoi se do ishte shumë e përshtatshme ta luaja unë këtë rol, pasi isha imazhi që ai kishte në kokë. Plus edhe premiera e filmit “Internimi”, ku luaj një vajzë të viteve ’80-të, i dha dhe një imazh më të freskët për t’u qasur në një tjetër rol të ngjashëm.

Roli juaj? Mesazhi që përcjell personazhi që interpretoni dhe si ishte të futeshe nën këtë “lëkurë”?
E dua shumë këtë rol. E them shpesh në fakt për cilindo rol që me pyesin, por është e vërtetë. Krijoj një lidhje shumë të fortë me personazhet që luaj. U jap diçka nga Enxhi dhe u marr diçka të re. Shpresa, personazhi që unë luaj në këtë film është një rol delikat për mua, pasi luaj gjithë kohës me emocione dhe e gjitha shprehet pa fjalë në këtë film. Filmi flet për një temë shumë delikate, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën dhe shkakton diskutim. Nuk po e zbuloj tematikën, sepse edhe pak ditë na ndajnë nga premiera.

Në këtë film që i përket metrazhit të shkurtër, ju interpretoni përkrah artistëve të mëdhenj si, Çun Lajqi, Ema Andrea, Rita Gjeka. Si ishte të luaje përkrah tyre?
Për mua si aktore është jashtëzakonisht shumë mirë të luaj në krah të aktorëve të talentuar (jo medomos të njohur) dhe të ndaj ekranin me ta. është shumë i rëndësishëm partneri, aktori/ja që ndaj skenën. Nuk ka rëndësi roli yt sado i mirë të jetë, në momentin që ti ndan skenën me një aktor që nuk të ndihmon në marrëdhënie. Filmi mendoj se është punë grupi, pra duhet bashkëpunim. Të gjithë për një qëllim, të realizojmë një film shumë të mirë.

Është më e vështirë, apo më e lehtë të aktrosh përkrah aktorëve të mëdhenj?
Këtu kemi të bëjmë dhe me personalitetin e vërtetë. Gjatë xhirimeve unë shikoj rolin tim, fokusohem në skenën e radhës dhe merrem me punën time. Kjo është në fakt çfarë duhet të bëjë çdo aktor në punë (të punojë me rolin). Sigurisht, që ka raste që aktorët marrin dhe rolin e “mësuesit”, kanë teka, kanë dëlir, por për mua është ok. Nuk më cënojnë në punën time, kështu që s’mund ta ndaj është e lehtë, apo është e vështirë. Për mua, është vetëm një punë që duhet bërë dhe unë kam për detyrë të realizoj pjesën time.

Po me regjisorin Eduart Grishaj dhe gjithë stafin si rezultoi bashkëpunimi?
Ishte bashkëpunim shumë i mirë. Nëse çdokush fokusohet te puna e tij, ta realizojë atë sa më mirë, kur ndërthuremi bashkë arrin puna e dëshiruar. Ishin 3 ditë xhirime, intensive dhe korrekte. I kam shijuar shumë.

Sa vite keni që merreni me aktrim dhe sa role numëroni deri tani Enxhi?
U bënë 6 vite. Kam filluar me rolin tim të parë në moshën 17 vjeç. Shpresa është roli im i shtatë në kinema.

Dhe, cili prej roleve mbetet me i veçantë për ju deri tani?
Për secilin rol mund të them diçka. E vështirë t’i ndash, sepse sa herë që kam marrë skenarin e tyre në duar kam thënë, “e dua këtë rol”. Por me Fridën, në filmin “Internimi” kam një lidhje të fortë. E kam më pranë zemrës si rol, sepse ka qenë shumë sfidues nga çfarë kisha realizuar më përpara.

Edhe pse mjaft e arrirë profesionalisht për moshën që keni, dukeni shumë modeste në mënyrën sesi e prezantoni veten në publik. Kjo ka te beje më shumë me natyrën tuaj, apo më shumë me dëshirën për të qenë ndryshe nga “turma”?
është natyra ime. Kështu kam qenë që e vogël dhe si rrjedhojë “veçohem” nga turma. Por edhe kam kuptuar që ndjehem shumë mirë kështu. është zgjedhja ime sot. Përkundrazi, fokusohem totalisht në punën që dua të bëj dhe te vetja ime.

Artistikisht, cili është projekti i radhës që do jeni pjesë e tij?
është filmi autor “Shadow of the sun” me regji nga Julian Canameti dhe Dritan Mesareja. Pritet të dalë premierë në muajin nëntor. Me një kastë aktorësh në role kryesore: Eva Alikaj, Gent Decka dhe Andi Begolli.

Ambiciet tuaja për të ardhmen, ku e shihni veten profesionalisht më vonë?
Dëshira dhe përfytyrimi im është duke ushtruar vetëm aktrimin. Të kthej pasionin tim në profesion jashtë Shqipërisë.

Në këtë sezon jeni edhe pjesë e ekranit të Vizion plus me emisionin, “Who’s next”. Dëshirë e vjetër e juaja prezantimi televiziv, apo…?
Prezantimi më pëlqen, por nuk e mund dot dashurinë që kam për kinemanë. Vij në ekranin e “Vizion plus”, pasi m’u propozua një program ku mund të flas për kinemanë. Meqenëse, kinematografia është me ritme më të ngadalëta në vendin tonë, më pëlqen të jem aktive në program, por të paktën të përfaqësoj atë që unë bëj dhe më pëlqen.

Një vajzë kaq e bukur sa Enxhi, a ka menduar ndonjëherë të bëhet pjesë e spektakleve të bukurisë?
Faleminderit shumë. E kam menduar në adoleshencë para se të merresha me art dhe televizion. E kam menduar më shumë si trampolinë, por që gjërat morën një rrjedhë tjetër, ndoshta edhe më të mirë. Kështu që them se kam formuar tjetër figurë, apo imazh për veten.

Si e shihni bukurinë si koncept? Si avantazh, apo disavantazh në kohët që po jetojmë? Pse?
Bukuria… s’mundem dot ta përkufizoj. është koncept dhe shije shumë personale. Në kinema nuk është kriter. Mund të jetë kriter për një rol specifik, por nuk do të thotë që të zbeh talentin, apo se nuk ke të ardhme në kinema. Ashtu si në jetën reale, ku gjejmë individë, karaktere, paraqitje dhe jetë të ndryshme, ashtu edhe kinemaja nuk njeh filtër dhe ka nevojë gjithmonë për realitet.

/Koha Jonë/

SHKARKO APP