Ermonela Jaho shkëlqen në Operën Kombëtare Greke
Opera Kombëtare Greke ka rihapur dyert, duke prezantuar një video sa inteligjente aq dhe humoristike, të titulluar “Opera greke është e sigurt”, me qëllim informimin e publikut për masat mbrojtëse të marra në perfeksion.
Shfaqja e parë për sezonin e ri është “Madama Butterfly” nga Giacomo Puccini. Ishte një punë historike për Operën Kombëtare Greke, pasi është opera e parë e vënë në skenë ndonjëherë nga ajo si një organizatë e sapo-themeluar, më 25 tetor 1940, tre ditë para shpalljes së luftës italo-greke. Ermonela Jaho është rikthyer në skenë pas 8 muaj ndërprerje.
“Përpara dhe pas çdo shfaqjeje jam e përlotur, sepse ndihem me fat që jam atje. E puth skenën sa herë që marr duartrokitje. Ndoshta sepse mund të jetë hera e fundit. Ndoshta sepse shfaqja tjetër do të jetë pas disa muajsh. Emocionalisht është diçka e pabesueshme. Më tepër se e çuditshme është paksa e vështirë të mos e shohësh të gjithë publikun, të ndjesh energjinë që përcjell ai. Por sërish, edhe nëse është një person i vetëm që të sheh, që krijon një lidhje me ty, është një arritje”, tha Jaho.