Homazh Vilson Blloshmit
Nga Sadik Bejko
Sot, më18 mars 2018, poeti Vilson Blloshmi do të ishte 70 vjeç. Më 17 korrik 1977 ai u pushkatua nga shteti diktatorial me akuzën e sajuar politikisht: si kreu i një grupi sabotatorësh në ekonomi. Prej tij kanë ardhur poezi, përkthime dhe letra në një botim me rreth 400 faqe Përkushtimi i vëllait të poetit, i Bedri Blloshmi, është në themel të gjithë punës kërkimore për gjetjen e botimin e krijimtarisë së Vilson Blloshmit.
Botimi i kësaj vepre krejtësisht postume ishte ngjarje për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Edhe Serembja, edhe Migjeni, dy poetë që u bënë të famshëm pas vdekjes, në gjallje të tyre kishin arritur të botonin diçka, kishin marrë dhe vlerësime të bashkëkohësve. Vilson Blloshmi në gjallje të tij nuk pa asnjë rresht të botuar nga vepra e vet. Ai krijoi i izoluar dhe larg rretheve letrare. Punoi si kafshar në fshat, si druvar në sharra, si minator në Përrenjas dhe gjithësa shkroi e përktheu i ruante në fshehtësi të plotë. Regjimi atë e kishte përjashtuar nga e drejta për t’u marrë me punë mendore, për të punuar si mësues, për t’u marrë me letërsi sepse për shkaqe politike: familja e tij që më 1945 ishte shpallur zyrtarisht armike e shtetit shqiptar.
Edhe për diçka tjetër në historinë e letërsisë shqipe Vilson Blloshmi është rast unikal: gjithë sa u botua prej tij, u nxor nga arkivat e policisë dhe të Sigurimit të shtetit diktatorial. Kjo mund të jetë e pashoqe edhe në historinë e gjithë Lindjes komuniste. Katër muaj para se poeti të arrestohej, poezia dhe përkthimet u sekuestruan nga sëndukët e shtëpisë së tij në fshatin Bërzeshtë, u përpunuan në zyrat e Sigurimit, u përdorën si akuzë në gjyqin kundra tij dhe, pas pushkatimit të autorit e deri më 2000, u kyçën të varrosura në arkiva.
Botimi i veprës se tiij na dha një autor të talentuar. Kështu letërsia ia ktheu, ia vuri në vend nderin një autori të egzekutuar me plumb, te nxire e te nëpërkëmbur nga politika. Letersia po… ia ktheu nderin. Ia ktheu emrrriin e miire nje burri Dhe jo vetëm atij. Rastii Blloshmi na dha e vazhdon të na japë nder edhe ne të tjerëve. Duke qenë një i përjashtuar nga jeta shoqërore e kohës deri dhe i martirizuar prej saj, ai ka pasur përkushtimin, pasionin e lindur dhe elegancën e një talenti origjinal për të shkruar poezi, për të përkthyer disa nga poetët e mëdhenj të letërsisë botërore. Duke u vetëshprehur në heshtjen e eremitit të shpellave, ai i është kundërvënë ndalimit, përjashtimit. Poezia e tij estetikisht është katërçipërisht e kundërt me parimet estetike të kohës. Është një poezi meditative, që jep kënaqësi estetike për vërtetësinë dhe thellësinë imagjinatave të saj, një dëshmi letrare e një njeriu të nëpërkëmbur padrejtësisht nga një e keqe që nuk ishte vetëm e tij.
Me zbulimet e poezive të përkthyera nga Bodleri, Verleni, Malarmeja, nga poemat e Viktor Hygoit, e një novele të Volterit, me fragmentet nga esetë e E. A. Poe, ese nga Viktor Hygo, nga Pol Klodel etj. ai ridimensionohet në regjistra të tjerë. Veç që ka qenë i mahnitur nga kultura frënge, me leximet e shumë filozofëve e të poetëve botërorë, me shënimet prej krijimtarisë së këtyre mendimtarëve dhe poetëve në ditarët e tij na dëshmon se pa lexim dhe pa meditim, nuk do të kishte formuar atë karakter aq të pashoq. Ai diti ta sfidojë dhe estetikisht, dhe me ide kohën e tij, nuk e shiti artin, as veten, edhe kur u ndodh nën torturat e policisë së kohës. Ai na dëshmon se ka diçka që është e shtrenjtë dhe që duhet mbrojtur e pohuar dhe përtej jetës dhe përtej vdekjes sonë. Ai është unik në këtë shkrirje të jetës dhe të artit: nuk dihet ku fillon dhe mbaron therorizimi i tij si artist dhe ai i njeriut që nuk u dorëzua përballë së keqes, përballë torturave në qelitë e burgjeve komuniste.