Ilirian Zhupa: Vargjet e mia janë prizmi ku pasqyrohem unë, me gjithçka që kam dhe jam
Albert Vataj
Më grishi një publikim për Ilirian Zhupa, që Daut Vela, publicisti, poeti dhe shkrimtari, i njohur për kontributet e tij me botime të një game të gjerë veprash në fushat e filozofisë, historisë, letërsisë dhe shkencës, duke u fokusuar veçanërisht në temat e intelektualëve shqiptarë dhe historinë e industrisë së naftës në Shqipëri, bëri në faqen e tij personale në Facebook. Trajtimi i personaliteteve të tilla si poeti, eseisti dhe publicist shqiptar, Ilirian Zhupa, janë një pasurim që na bëhet në njohjen dhe vlerësimin e atyre që kjo e sotme e zhurmshme, po i zhvendos në periferi, por pa mundur dot ta zbehi çfarë ato kanë bërë dhe bëjnë, për kontributet që kanë dhënë dhe japin, duke treguar përkushtim, pasion dhe talent.
Për të krijuar një qasje përafrimi shpirtëror të Ilirian Zhupës, shfrytëzojmë çfarë Daut Vela ka përcjellë përmes publikimit.
Ilirian Zhupës mëton se: “Poeti pasuron botën me një qenie poetike unike që rrëfen vetveten për të ngjashmit e tij, ndryshe nga prozatori, që rrëfen të tjerët për të tjerët dhe kësisoj mund të mbetet me shumë historira njerëzore…
Në të gjitha kohët, në të gjitha vendet dhe në të gjitha sistemet, me vetëdije apo jo, njerëzit në përgjithësi, por edhe njerëzit e artit në veçanti, bëjnë lëshimet dhe kompromiset e veta. Kjo është ajo që shpesh me një gjuhë të rrumbullakosur ne e quajmë vulën e kohës, vulën e shoqërisë ku jetojmë
Poezitë e mia, vargjet e mia, fjalët e mia të thëna publikisht, janë pasqyra e prizma ku pasqyrohem unë, me gjithçka që jam, kam, më mungon, besoj, vë në dyshim, dua, urrej, kam frikë, bëj luftë, gjej paqe… Në të gjitha nisjet vetjake që përmenda, është koha ime reale. Më tej fillon koha ime poetike, e cila është dje dhe pardje, sot dhe tani, nesër dhe pasnesër. Koha që në një mënyrë më të përgjithshme mund të përkufizohet si Koha e Njeriut, nga fillimet e gjer në fundin e saj. Duke “situr” veten, kam mbajtur nga ajo atë lëndë poetike e cila nuk është vetëm e ditës, motit, shekullit tim, por e gjithëkohshme.
Dashuria gjithmonë është delikate, e druajtur. Uria, etja janë tjetër gjë: bërtitëse, agresive… Në dashuri njeriu pastron pasqyrat që i vishen me avuj, rregullon këndshikimet e tyre, me qëllim që tjetra të duket më e bukur, më e fisme. Kësisoj, ajo bëhet njëherësh më e paarritshme, më e lakmueshme dhe më e mistershme. Nuk besoj se ka dashuri pa ndrojtje dhe mister. As ngasje kalimtare…
Idetë e lira vdesin përditë si njerëzit, gjallesat dhe bimët. Vetëm se ato vdesin me hekë më të rëndë se ata. Kur vdesin njerëzit, në çdo tokë të bien, nuk rilindin më. Kur vdesin bimët, nëse farat e tyre bien në tokë të shëndetshme, ato rimbijnë… Kur vdesin idetë e lira, mund të kalojnë shumë breza gjer në mugullimin e tyre sërish.”
Por nuk mund të ishte e plotë ky profil pa lëndën kryesore të Ilirian Zhupës, poezin e tij, të cilat Vela i solli në këtë qasje bashkëpërfshirjeje përjetimi.
PËRTEJ
Përtej jetës është vdekja: – Po ç’është përtej vdekjes?
Përtej dashurisë është urrejtja: – Po ç’është përtej urrejtjes?
Përtej dritës është errësira: – Po ç’është përtej errësirës?
Përtej së keqes është e mira: – Po ç’është përtej së mirës?
Përtej fajit është falja: – Po ç’është përtej faljes?
Përtej heshtjes është fjala: – Po ç’është përtej fjalës?
Përtej shpirtit është syri: – Po ç’është përtej syrit?
Përtej zjarrit është hiri: – Po ç’është përtej hirit?
Përtej ëngjëllit është djalli: – Po ç’është përtej djallit?
Përtej harresës është malli: – Po ç’është përtej mallit?
Përtej meje je ti: – Po ç’është përtej teje.
AH…KUR ZHVESHIN KËMISHAT!
Gjethja është këmisha e rrushit,
Bari është këmisha e tokës,
Hiri është këmisha e prushit,
Ajri është këmisha e botës,
Fjala është këmisha e shpirtit,
Puthja është këmisha e mallit,
Drita është këmisha e syrit,
Rrasa është këmisha e varrit,
Rrezja është këmisha e diellit,
Avulli është këmisha e ujit,
Reja është këmisha e qiellit,
Lëkura është këmisha e trupit…
Ashtu të veshura më trondisin të gjitha,
Me bukuritë që frymojnë e magjepsin.
Po, kur i zhveshin këmishat…
Ah!… kur i zhveshin këmishat…
… vdesin!
Në një intervistë të publikuar në YouTube në tetor 2024, Ilirian Zhupa rrëfen rrugëtimin e tij përmes fjalës dhe poezisë, duke ndarë përvojat e tij në letërsi dhe sfidat që ka hasur gjatë karrierës.
Përmes angazhimeve të tij në fushën e letërsisë, gazetarisë dhe diplomacisë, Ilirian Zhupa ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në kulturën dhe shoqërinë shqiptare.
Sakaq ndërmendim se Ilirian Zhupa në shkurt 2025, ka publikuar në portalin Alfapress.al. poezinë “Burri ka dalë nga zjarri”, një shpirtje poetike e sjellë si një altar rrëfimi, për të dëshmuar, më shumë se atë që thuhet, atë që ndihet.
BURRI KA DALË NGA ZJARRI
Burri ka dalë nga zjarri, mes një nate të errët, ku pikturohen tmerret,
Dhe është ndjerë i vetëm, në këtë botë të qelqët, duke lënë shenja zjarresh përqark.
Ato shenja zjarresh, janë bërë qenie të tjera përmes klithmash, misteresh,
Dhe lozin me atë që kanë At.
Pastaj flaka ka dalë nga burri, është bërë bukuri tronditëse, është bërë grua,
Ka kaluar përmes tij lozonjare, e brishtë dhe e ka lënë të presë si fëmijë.
Kjo ka të ngjarë të ketë ndodhur me shumëkënd, po së pari, ka ndodhur me mua,
Kur u shfaqe ti!
Atëherë kam thënë me vete: -Ç’të bëj me bukurinë tënde, me sytë e tu që magjepsin,
C’të bëj me zjarrin tim brufullues, që është Ti e më djeg pa mëshirë.
Kam thirrur djajtë e zinj të më vijnë me të keqen, po ty s’të ka trembur e keqja,
Kam thirrur engjëjt, të të marr me të mirë.
Ti veç ke heshtur. Po heshtja jote ka folur: -Kot thërret frikën, pajtimin.
Burri ka dalë nga zjarri. Zjarri ka dalë nga burri. Po flaka është grua gjithmonë…
Kështu të stepur nga nata, ndezim zjarrin që zgjohet e zbukurohet te flaka
E djeg qenien tonë.
KOHA JONË SONDAZH

