In Memoriam/ Në 74-vjetorin e lindjes së Ndoc Gjetjes, simboli i integritetit moral të “pushtetarit”

Nga Pashk Luka

Për Ndoc Gjetjen si poet i njohur i Lezhës kanë folur e shkruar mjaft kolegë e studiuesë, por spikat për kontribut të veçantë shkrimtari e publicisti Kujtim Dashi, një ndër miqtë më të afërt të jetës së poetit, i cili në dy libra monografikë kushtuar tij (“Thellësia e thjeshtësisë – Njeriu dhe poeti Ndoc Gjetja”, Tiranë, 2004 dhe “Të krijosh duke krishtëruar”, Tiranë, 2014) në të cilat ka bërë një ekspoze të gjallë të jetës e krijimtarisë poetike të tij. Poezitë e Ndoc Gjetjes janë të një lloji, apo stili të veçantë, përmbajtja dhe mesazhi që ai percjell për të gjithë ata që kanë lexuar zbulojnë shpirtin, humanizmin, ndjenjë që ata që e njohën nga afër Ndocin e transmetonte në çdo komunikim qe mund të kishe me të. Besoj se nuk mund të gjendet një përcaktim tjetër më esencial për poetin Gjetja, veç asaj që Kujtim Dashi e gjen e që titullohet në librin e tij monografik “Të krijosh duke Krishtëruar”.

Ndoc Gjetja ishte nga ata njerëz që të bën të ndjehesh fatlum që e ke njohur në jetë, por unë e konsideroj veten me më shumë fat, pasi kam pasur rastin të punoj nga afër me të. Ngjarjet e vitit të mbrapshtë ‘97-të dhe ata që pasuan dyfish trishtim të vitit 98-të, krijuan tronditje të thellë sociale kudo në Shqipëri. Në këtë situatë poeti Gjetja u vlerësua si zgjidhja më e mirë e gjithëpranuar për t’u zgjedhur në krye të këshillit pluralist të rrethit Lezhë, diçka e pazakontë për një poet. Ishte e kuptueshme se një figurë si Ndoc Gjetja edhe pse i propozuar nga grupi i këshilltarëve në pakicë të PS-së asokohe do të merrte në shumicë votëbesimin e gjithë grupeve të tjera, si zgjidhja më e mirë e mundshme. Natyrisht një përgjegjesi e tillë në ato momente kur thuajse çdo gjë ishte jashtë kontrollit, për cilindo do të ishte një sprovë e veçanërisht kjo për poetin. Jo thjeshtë për mungesën e eksperiencës në drejtim shtetëror, por dhe në kushtet e një shëndeti të paqëndrueshëm duhet të ketë qenë barra më e rëndë e jetës së tij. Në një intervistë që Ndocit i morën në atë periudhë ai shprehej: “Natyra e krijuesit, natyra ime njerëzore e lidhur me pejza të hollë ndjeshmërie të lartë nuk ndjehet mirë nën prerjen precize të petkut të kryetarit, më duket sikur kam veshur një kostum llamarine. Nuk besoj se do arrij të klimatizohem në këtë detyrë pushtetare mandatshkurtër, por sidoqoftë duke i kushtuar detyrës më tepër shpirt, sesa profesionalizëm do të arrij të paktën të dëshmoj se posti dhe korrupsioni nuk do të jenë dy vëllezër siamezë, siç kanë qenë këta pesë vjet të neomonizmit blu”, shprehej ai. Ndoc Gjetja ishte poet, vërtetë nuk vinte nga eksperienca e drejtimit zyrtar, përveç asaj si kryeredaktor i revistës kulturore-artistike “Skena dhe ekrani” (15 vjet), por ai dinte t’i zgjidhte punët me fuqinë e arsyes njerëzore. Janë të pafund në kujtesën time episode pune e ato jashtë saj sa është e pamundur t’i përmendësh në pak rreshta, por mjaftojnë disa për të risjellë në kujtesë portretin e rrallë njerëzor të tij. Rastisi shumë shpejt si kohë të udhëtonim së bashku në Kashnjet të Lezhës për ngushëllim në familjen e të ndjerit, Ndrec Nikolli, drejtori i shkollës 9-të vjeçare që ishte vrarë pa asnjë faj në emër të gjakmarrjes në lule të rinisë, një vrasje makabër në sytë e fëmijëve dhe bashkëshortes, fare pak metra larg shkollës. Tek po ecnim në këmbë ndaluam shumë here, pasi Ndoci nuk kishte fuqi fizike ta përballonte lëvizjen, ndjente vështirësi në frymëmarrje. “Më fal”, më tha tek po frymëmerrte thellë, “jam me gjysmë mushkëri, kam jetuar keq në biruca shtëpie me lagështirë e myk”, më rrëfeu. Unë e njihja këtë fakt edhe nga shumë miq të afërt të tij, por dija se ajo që e kishte rënduar shumë më thellë shëndetin dhe shpirtin e poetit ishte edhe vrasja e djalit të tij të vetëm në vitin e zi, 97-të. Gjatë periudhës së punës në këshillin e rrethit, Lezhë kontaktet tona kanë qenë të shpeshta, jo vetëm për arsye zyrtare, por ishte e pafund dëshira ta nxisja në biseda, në kafe, apo momente çlodhjeje, të flisnim hapur tashmë për të shkuarën, ashtu siç kishte qenë ajo, por dhe daljen jashtë kontrollit të jetës në këto vite, trishtimin që kishim kaluar në vitet e çmendurisë ‘97-‘98 dhe pasigurinë për të ardhmen. Kujtoj një rast që Ndocin e thirrën në një mbledhje në Ministri dhe të nesërmen jo rëndom, por për të testuar mendimin e tij e pyeta se si kishte shkuar takimi. “Ma mirë të mos më pyesje”, ma ktheu, “nuk di çfarë te them, janë “lojacakë” këta qeveritarët tanë, nuk shoh seriozitet, këta sillen sikur s’ka ndodhur asgjë me këtë popull” dhe vazhdoi rrëfimin në pakënaqësinë e tij të thellë. Po promovohej një libër me kujtime për të ndjerin Mark Zef Markun, nxënësin më të talentuar në historinë e gjimnazit “H.Lezha” të Lezhës në vitet 70-80, fitues në Olimpiadën e Matematikës në Shqipëri, por që i ishte privuar e drejta e shkollës së lartë për arsye politike. Po evokoheshin me dhimbje kujtime të asaj kohe nga bashkëkohës, por në fjalën e Ndoc Gjetjes si gjithnjë do të kishte diçka pikante. “Fatkeqësi”, tha Ndoci në fjalën e tij, “që sistemi e frenoi këtë talent të rrallë që sot mund të ishte një shkencëtar… lakuriqët e natës”, vijoi ai, “nuk e lejuan atë të shkollohej, por lakuriq nate ka edhe sot e do të ketë edhe nesër”. Me “lakuriqët” poeti e kishte fjalën për një kategori njerëzish që ishin më të zinj se koha që vërtetë ia kishin nxirë jetën në ato vite të diktaturës, por dhe pas 90-ës. Me këtë kategori ishte përballur disa herë në jetë. Në atë kohë dhe në këtë gjysmë demokraci e kemi pësuar edhe ne të tjerët.

Në  ngjarjet e Kosovës të vitit 1999-të, tek po ndiqnim me trishtim gjithçka që po ndodhte atje, në mbyllje të orarit zyrtar na njoftuan disa shefa zyre për një takim me kryetarin.  E nisi shpejt fjalën. “Sapo më njoftuan nga qeveria se presim të mbërrijnë në Lezhë një kontigjent rreth 100 familje kosovare, ju lutem të bëjmë gjithçka. Ata vijnë nga lufta, janë të rraskapitur, të ngremë një kapanon tek shkolla, t’u drejtojmë një thirrje përmes televizionit lokal qytetarëve që të afrojnë mundësi pritjeje, pasi e kuptoj se thuajse është e pamundur në fare pak kohë të sigurojmë mundësi strehimi dhe ushqimi”, vazhdoi gjatë të porosiste gjithë shqetësim. Vërtetë u bë një punë e jashtëzakonshme për të ngritur kapanonin e parë në një shkollë që më vonë mori emrin shkolla “Kosova”. Por solidariteti lezhjan ishte i pamasë, i pa  menduar edhe për vetë ne. Në fare pak minuta gjithë familjet kosovare u morën dhe u strehuan në familjet qytetare lezhjane, gjë që jo thjesht na lehtësoi zgjidhjen, por na bëri të ndjehemi krenarë. Të nesërmen na thirri kryetari, na përgëzoi për gjithçka kishim bërë, por në fund do të kishim një ndarje detyrash, duhej të përgatisnim për qindra e mijëra të tjerë që pritej të vinin. E kështu ditë pas dite ai do ta kishte punë të parë informacionin për strehimin, gjendjen shëndetësore, apo mbështetjen në raste vdekjeje natyrore që ndodhën në periudhën që vijoi me popullsinë kosovare. Mjerisht askush nga gazetarët e atashuar në Lezhë, apo ato lokalë nuk ka fiksuar një nga fjalimet më emocionuese që kam dëgjuar ndonjëherë nga Ndoc Gjetja, kur foli si një tribun para popullit të Lezhës dhe ardhëtarëve nga Kosova në sheshin e qytetit. Kujtoj flokët e tij të kërleshura, shprehjen poetike e dramatike dhe emocionuese në përshkrimin e situatës, si dhe thënien e tij brilante, “Ra kjo tragjedi dhe u pamë e do ta përballojmë bashkë, për të mos u ndarë më kurrë në jetë të jetëve”. Ndoc Gjetja nuk vinte nga eksperienca zyrtare, por ai ishte drejtuesi i duhur në kohën e duhur, modeli që të impononte me personalitetin, me integritetin e tij të lartë moral dhe fuqinë njerëzore. Thuajse ishte e pamundur për cilindo ta kundërshtoje, apo t’i imponoheshe për diçka që ishte jashtë bindjes së tij, apo më keq në cënim të ligjit. Kam qenë disa herë prezent kur deputetë, apo të tjerë njerëz me pushtet më të lartë ushtronin presion për të bërë ndryshime në administratë me pretekse “politike”, por në të vërtetë nuk kishin të bënin fare me këtë, por ishin orekse tarafesh për të hequr disa e zëvendësuar me të tjerë. Në të gjitha këto raste përgjigjia e Ndoc Gjetjes do të ishte e prerë, JO. Ju keni në dorë të më lëvizni mua, apo nëse doni u jap dorëheqjen, por kurrë nuk  do firmos largimin e pamotivuar me ligësi nga pas për cilindo, shprehej ai në një rast me revoltë, që dukej se dilte thellë nga shpirti. Ishte krejt e rrallë, ose më saktë e pazakontë që ai të ngrinte zërin, por në një rast dëgjova që Ndoci t’i bërtiste përjashta një personi zyrtar që unë e pashë tek po dilte nga zyra e tij. E dija se këto momente në shëndetin e Ndocit lënë pasoja, ndaj me takt e ftova të pinim një kafe. Dallohej lehtë tensioni që kishte, zverdhja, djersët ishin prezentë në ballë. E hapëm bisedën për rastin dhe më shprehu se personi, me të cilin ishte revoltuar i kërkonte firmosjen e një projekti ndërtimi në një zonë problematike me ligjin dhe se ai i kishte ofruar një shumë parash. Diskutuam gjatë për fenomenin që fatkeqësisht ishte bërë morali i kohës dhe se paraja po merrte nëpër këmbë çdo ligj në këtë vend. “Dua ta lë këtë punë”, shtoi ai, “shëndeti, por jo vetëm, nuk e duroj këtë shëmti amoraliteti që po ngremë, e vetmja gjë që mendoj është të largohem nga kjo jetë pa e njollosur moralin tim. E kështu ndodhi, në pak kohë, shëndeti problematik, mospërshtatja, mospajtimi me të keqen që ishte në revansh e sulm të përditshëm ndaj shtetit dhe Ndoc Gjetja u dorëheq në jetën e tij familjare pranë bashkëshortes, Leze dhe mbesës së dashur Ejsi, vajzës së djalit të ndjerë, e vetmja trashëgimi e gjakut të tij. Pak nga pak shëndeti i Ndocit do rëndohej dhe mjekët i rekomanduan që ai ta linte shtëpinë ekzistuese thuajse të pabanueshme me lagështirë, e mbështetur pas shtëpisë së prindërve të tij, buzë Drinit në lagjen, “Skënderbeg” dhe të vendosej në një zonë tjetër të qytetit në banesa me kate të larta. Në këto kushte ai u vendos me qera në lagjen “Besëlidhja” në katin e 8 të një pallati, por kjo zgjidhje që i rekomanduan mjekët për pak sa nuk rezultoi fatale për jetën e tij. Ngjan thuajse komike, por e vërtetë e njohur. Në ato vite ndërprerja e energjisë elektrike ishte fenomen i zakonshëm dhe për fatin e keq në një moment lëvizjeje Ndoci u bllokua në ashensor nga ku për shkak të ndërprerjes së energjisë për një kohë të gjatë i shkaktoi  gjendje të fikti dhe përfundoi në spital, ku u trajtua për disa kohë. Në një analizë të thjeshtë kur mendonim se Ndoc Gjetja që konsiderohej nga kolegë të tij, poeti brilant i viteve ‘80-të, dekoruar me Urdhrin “Naim Frasheri” të klasit të parë, fitues i Çmimit të Republikës, ish kryetari i një rangu të lartë për disa vite kishte mbërritur në fund të jetëes në një shtëpi me më pak se 40 m2, jashtë çdo kushti për jetesë. Ai e deklaronte vetë, gjysmë me humor, “E Keni të paaftë kryetarin tuaj, pasi është i paaftë për të qenë i lig, i poshtër dhe i korruptuar”. Ne që punonim nga afër e dinim që dora e Kryetarit kishte firmosur 17 leje ndërtimi pika karburanti dhe mjaft leje ndërtimi të tjera, pa pranuar të marrë nga asnjë person “dhuratat” që të tjerët i merrnin në forma nga më të ndryshmet si “gjobëvënie” të majme dhe që po vinin nën këmbë pasuri pa fund jo vetëm në raste të tilla, por në dhunim të pasurisë shtetërore, duke çimentuar pozitat e tyre pasurore e shtetërore, lehtësisht për t’u ngjitur e mos me zbritë më prej karuselit politiko-mediatik. Jo, Ndoc Gjetja ishte një përjashtim i madh dhe i rrallë, ishte një simbol, që jo vetëm “ruante” moralin e tij të lartë, por kur e me sa mundej edhe të shtetit, të detyrës që kryente me përpikmëri të rrallë, shpeshherë të pabesueshme nga vartësit, apo dhe thashethemxhinjtë e pazarit, të kthyer mbrapsht e të refuzuar prej atij, që, sipas tyre “donte të hiqej më i kshtenë se Papa”. Ndoc Gjetja nuk aktronte, ai ishte i brumosur i tillë! I pathyeshëm, i bindur dhe konseguent në rrugën e ndershmërisë e të përkushtimit ndaj atdheut që kishte zgjedhur. Ngjarja e ndodhur ne ashensor jo thjesht bëri lajm në Lezhë, por ishte një moment reflektimi i thellë njerëzor dhe shërbeu që shumë adhurues, miq, kolegë ndër ta edhe biznesmenë të bashkohen nga ku u vendos si zgjidhje që të bëhej në një kohe rekord rikonstruksioni dhe një shtesë e vogël kati mbi shtëpinë ekzistuese të poetit. Puna nisi dhe mbaroi shumë shpejt e tashmë Ndoc Gjetja ish kryetari i këshillit të rrethit, do të bëhej  me shtëpi fare të thjeshtë, por e thënë ndryshe për herë të parë në jetën e tij do të kishte një ambient normal për jetesë. Poeti tashmë do të jetonte në një dhomë dhe aneks në katin e dytë pa lagështirën që ishte kthyer vrastare e jetës dhe i rrethuar nga pasuria e paçmueshme që e shoqëroi gjithë jetën, “libri”. Këtu në këtë ambient të transformuar shkuam shpesh për ta vizituar e uruar për daljet e shpeshta nga spitali, pasi sëmundja po avanconte, si dhe i bëmë urimin në ditelindjen e fundit sa ishte gjallë. Aty e vizitonin shokë e miq të shumtë nga Tirana, Shkodra, Kosova e nga gjithë Shqipëria…

E kështu u shua ky burrë prej virtyti të lartë nga më të rrallët, poeti që jetoi në varfëri ekonomike, por në pasuri të madhe shpirtërore. Në kujtimet e tij, poeti i njohur Agim Isaku do shprehej;  Vështirë të gjesh në historinë e letërsisë shqiptare një koherencë sjellje si ajo e Ndocit njeri me Ndocin poet.

Ndoc Gjetja provoi të ishte “pushtetmbajtës” dhe bëri gjithçka që mund të bënte një zyrtar i përgjegjshem asokohe, por nuk u tundua të bëhej pis, të zhytej në pusin e thellë të korrupsionit që hapëm këto vite dhe s’po ia dalim ta mbyllim edhe sot e kësaj dite. Ai ishte dhe do mbetet simboli i moralit të “pushtetarit”, ashtu siç duhej të ishte dhe kërkohet  të jetë çdo zyrtar.  E tek mendojmë sikur këto vite të kishim në drejtimin e punëve të shtetit shumë nga “soji” njerëzor i Ndoc Gjetjes, Shqipëria jo vetëm nuk do të kishte lënguar kaq thellë në këtë tranzicion të gjatë e të pambarim, por do të ishte krejt ndryshe. E sikur ky “model” njerëzor i mendjes dhe shpirtit do promovohej e të ishte në drejtimin e politikës ndotja morale e vetë politikës, në zyrat e shtetit dhe në organet e drejtësisë nuk do të ndodhte në këto përmasa shkatërruese për shoqërinë. Për fatin e keq politika këto vite u mbështet jo në pak raste tek njerëzit e “muskujve” për të fituar e dominuar në zgjedhje e pastaj “shqyer” copa e vënë nën këmbë pasuri pa fund. Kësisoj politika ende vazhdon të jetë e ngërthyer më shumë në një luftë me veten, sesa në projektin për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Nëse politika do mbështetej në pushtetin e vlerave nuk do kishim edhe sot kaq shpirtra të trazuar që bëjnë thirrje për destabilitet, pasi vetëm në situatë kobëzeza mund të ruajnë pushtetin dhe pasuritë e tyre. Në kësi analizash reflektuese duhet të ketë qenë poeti Ndoc Gjetja kur shkruante; “O ç’mrekulli do të kishte qenë sikur të jepnin dorëheqjen presidenti dhe çdo lloj ministri/ dhe ta merrte pushtetin shpirti”! Kjo fjalë edhe pse kuptohet “utopike” e poetit e nënkupton analizën, por rezonon aq bukur me fuqinë e tij prej shpirti të pastër si kristal.

Ndoc Gjetja ishte dhe do mbetet, jo vetëm poeti, por dhe kryetari model, më i “nalti” kryetar i Lezhës, atje ku zor ta krahasosh me ata që ishin, por vështirë ta arrijnë të tjerët që do vijnë. Ka një sentencë; Fjalët mësojnë, shembulli udhëheq. E, në këtë kuptim Ndoc Gjetja “pasurinë” që krijoi, poezinë dhe modelin e lartë njerëzor e ka lënë të hipotekuar për brezat e sotëm e ata që do të vijnë. Më 9 mars 1999, në 55-vjetorin e lindjes, Ndoc Gjetja është shpallur “Qytetar Nderi” i Lezhës, por ai është sot e do të bashkëjetojë gjatë me historinë e këtij qyteti si një vlerë identifikimi dhe krenarie, frymëzuese për brezat.

SHKARKO APP