Johann Wolfgang von Goethe gjeniu që më 22 mars 1832, në grahmat e fundit të jetës kërkoi “Më shumë dritë!”

Nga Albert Vataj
Madhështia e Johann Wolfgang von Goethe nuk mund të përmblidhet lehtë, çdo përpjekje për ta thënë rrezikon ta zvogëlojë atë që ai i dha botës, një univers letrar dhe filozofik i pamasë, i përkushtuar ndaj zbulimit të thellësive shpirtërore, në një kohë kur iluminizmi dhe materializmi po mjegullonin dimensionin e brendshëm të njeriut, pasoja të të cilave ndihen ende në ndërgjegjen bashkëkohore.
Goethe nuk lexohet thjesht, ai përjetohet. Në faqet e tij rrjedh një frymë e dendur natyre, një aromë e gjallë që tejkalon tekstin dhe përshkon qenien e lexuesit. Personazhet e tij nuk janë vetëm krijime artistike, por bartës emocionesh të fuqishme, të cilat e bëjnë leximin një përvojë të thellë dhe transformuese. Në themel të gjenialitetit të tij qëndron një aftësi e rrallë: vetëdija për të dalluar dhe për të përjetuar fazat e evolucionit shpirtëror, duke harmonizuar përvojat e jetës me një proces të qetë, por të pandërprerë rinovimi të brendshëm. Në figurën e tij përmblidhen tensionet dhe aspiratat e shoqërisë borgjeze evropiane në lindje, duke e bërë atë një sintezë të gjallë të epokës moderne.

Maksima e tij e njohur, “Çdo ditë duhet të dëgjojmë një këngë të vogël, të lexojmë një poezi të bukur, të shohim një pikturë të arrirë dhe, nëse është e mundur, të themi sa më pak fjalë”, nuk është thjesht një këshillë estetike. Ajo është thelbi i filozofisë së tij jetësore, një thirrje për të jetuar me ndjeshmëri, për të kultivuar shpirtin përmes artit dhe për të gjetur dritën në përditshmëri.
Në çastet e fundit të jetës, më 22 mars 1832, ai pëshpëriti “Mehr Licht”, “Më shumë dritë”. Ky nuk ishte vetëm një fjalë e fundit, por një simbol: një kumt që vazhdon të përshkojë kohën si një thirrje për ndërgjegjësim, për kthim tek arsyeja dhe ndriçimi i brendshëm. Ishte si një rreze që shpërthen nga errësira e fundit, një kërkesë e pashuar për qartësi dhe kuptim, që edhe sot i fton njerëzit të dalin nga plogështia shpirtërore dhe të jetojnë në dritë.

Si përfaqësues i shquar i racionalizmit dhe romantizmit në letërsinë gjermane, Goethe ishte njëkohësisht poet, dramaturg, romancier, eseist dhe mendimtar me përmasa enciklopedike. Vepra e tij la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në letërsinë gjermane, por në të gjithë kulturën evropiane. Ai mishëroi një humanizëm të thellë, duke e gjetur kuptimin e jetës në dashurinë për dijen, për punën dhe mbi të gjitha për krijimin.
Kjo frymë përmblidhet në mënyrë monumentale në kryeveprën e tij, Faust, ku përmes figurës së Faustit sintetizohet vetë drama e njeriut: etja për dije, përjetimi i së mirës dhe së keqes, dhe përpjekja për të përfshirë në një jetë të vetme përvojën e të gjitha kohërave. Në këtë vepër, jeta shfaqet në shumëformësinë e saj, si në natyrë ashtu edhe në shoqëri, duke e bërë atë një nga kulmet e letërsisë botërore.

Swiss Digital Desktop Reklama

I lindur më 28 gusht 1749 në Frankfurt am Main dhe i ndarë nga jeta më 22 mars 1832 në Weimar, Goethe mbeti një figurë qendrore e kulturës gjermane. Pas vitit 1776 ai mori edhe përgjegjësi shtetërore në oborrin e Weimarit, duke dëshmuar se mendimi dhe veprimi mund të bashkëjetojnë në një personalitet të vetëm.

Swiss Digital Mobile Reklama

Krijimtaria e tij është e gjerë dhe e shumëllojshme: poezi, drama, romane, novela, ese, shkrime shkencore dhe një korpus i pasur letrash që dëshmojnë një dialog të pandërprerë me kohën dhe bashkëkohësit. Nga impulset e para të iluminizmit te shpërthimi emocional i “Stuhi e vrull”, e deri te suksesi evropian i romanit The Sorrows of Young Werther, ai përshkoi dhe formësoi epoka të tëra estetike. Më vonë, në bashkëpunim me Friedrich Schiller, ai u bë një nga përfaqësuesit më të denjë të klasikës së Weimarit.
Si një personalitet kompleks dhe i gjithanshëm, Goethe mbetet një pikë referimi e përhershme në historinë e kulturës evropiane, një mendje që kërkoi dritën deri në frymën e fundit dhe një shpirt që vazhdon të ndriçojë përtej kohës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ikja e Berishës nga kryetar e dëmton PD apo e shpëton?