Kryeziu i Pukës, fshat me tradita etnokulturore e historike, me interes turistik

Placeholder Image

 

Nga Xhemal MEÇI

Xhemal MEÇI

Kryeziu, sot në administrim nga Bashkia Fushë-Arës, është një nga 100 fshatrat e caktuar nga Qeveria, për zhvillim ekonomikoturistik. Krzeziu është një nga fshatrat më të bukur të Pukës me një ekonomi të begatë, me resurse në të gjitha fushat,  dhe tradita të shumta historiko – kulturore.

Kryeziu , shtrihet në një luginë të bukur jug-veri për më se 3 km nga Ura Bardhetit dhe  Ura Kodergegë, e më vonë deri në Qafa e Ballçit, i quajtur dikur, –“ Misir i Vogël”  dhe me histori e personalitete në shkallë lokale e kombëtare , si: Ismajl agë Kryeziu, kajmekami i Pukës, mbrojtës dhe përkrahës i Omer Prizrenit, i cili ishte kryetari i LSHP 1878—’81 ( Dokumenta osmane, botuar 1878), Myftar agë Dervishaj, anëtar i këshillit të Prefekturës Shkodër për LSHP dhe Dëshmori i Atdheut Allaman Nuhi Dervishi.

Gjithashtu, nga Familja Gjeçi,/ Aliaj: vëllezërit Mark e Ndue Dodë Alia –, i pari dekoruar pas vdekjes, nga presidenti i republikës, me urdhrin “NËNË TEREZA”, i dyti, Ndue, me falenderimin apostolik, nga Papa Gjon Pali II, në vitin 1996. Gjithashtu në Kryezi është dhe vëllazëria e familjes  ALIAJT e Kryeziut, që janë trungu familjar, prej nga doli stërgjyshi i At Shtjefen GjEÇOV KRYEZIU, (sipas studiuesit kësaj teme, Tonin Dedë Alia, “Mjeshtër i Madh”, president i kompanisë “Ardeno”,aktivist i “SOFRËS PUKJANE” dhe aktiviteteve kulturore nga Fushë-Arrës deri në Zymë të Hasit, Prizren.

Po  kështu, në Kryezi është Familja Memë Quku me Dëshmorin e Atdheut, Nikollë Memë Çukui, i pari Dëshmor i Atdheut i LANÇ në krahinën e Pukës, rënë në qershor 1943. Në Kryezi është familja  Dodë Mark Lleshi, Dëshmori i Atdheut, që sakrifikoi jetën për shpëtimin e partizanit të plagosur të Brigatës XXII-S, rënë , më  7 nëntor 1944.

– Lugina e bukur e Kryeziut shkon duke u hapur me degëzime në  lagjet: Lajthizë, Orosh, Brahaj, Murataj, Arifaj dhe Dervishaj deri në Quk ballshit e Zallah, me ara e shtëpi të bukura, që tregojnë se banorët e tyre janë  punëtorë e bujq, të dalluar edhe për shije  e kulturë jetese, pune e ndërtimi.

-Luginat e Kryeziut përshkohen nga burime të pasura ujore: ku kalojnë  shumë prroje, shumica e tyre me ujë në çdo stinë, si:

-Prroni Fanit që nga Qafë –  Ballshi përmes lagjes Orosh ( sot fshat),Prroni Rrahit, Prr. Kronit Hys,  Prr.Pllaçka,  Prr. Bens , që nga Qafëbenë e Qafarrë, Prr. Prrezit, Prr. Nermjecë; Prr. Qaf – hijes;Brraka Kolics, Prroni Lum Mahalls; Brr. Hurdhans ,Pusi i Pusterrit, Hamalla Puçekve, Krepi Pusave, Pusi Megjs, Pusat e zez në lagjen Orosh, dhe Pusat e kqi në lagjen Lajthizë.

– Krojet: Kroni Likajs, Kroni Gurit,  Kr. Boraks, Kr. Hijes, Kr. Jazit, Kr. Kçirs,  Kr. Oroshit, Kr. Shoshit, Kr. Nermjec, Kr. Brraks, Kroni Gacs, Kr. Gryks, Kr. Suçelit, Kr. Larans etj.( hulumtim  nga Agim ÇAUSHOLLI, -Vështrim mbi toponiminë e KRYEZIUT të Pukës,  Puka dhe Shkolla, Shkodër, 1978, f.32-37). Gjithashtu është : kroni i Gjyshe, kr. Mejdanit, kr Qarrit, kr  Mems, kr sutit,  kr Vidhit, etj.

Në Kryezi është dëshiruar dhe punuar për elektrifikimin. Në vitin 1960 familja e Aliajve në lagjen Lajthizë, nën drejtimin e Ded Ndue Shalës (Qytetar Nderi) , u ndertue nji hec per nevojat familjare të ndriçimit, gjë që u pasue edhe nga Pashk Mirashi në lagjen Orosh, etj.

Sot janë ndryshuar kushtet ekonomike e financiare dhe vazhdon tradita e elektrifikimit , por në nivele të larta , me ndikim në rrjetin kombtar. Përroni Zallahave sjell aq shumë ujë sa  Muhamet Braha, një vendas edhe pse bisnesmen i thjeshtë, ka ngritur/ndertuar “ HEC –Kryeziu-1” dhe hec 2. ( kur në Kabash punohet prej  vitesh, që para Kryeziut  dhe firma ende nuk e ka përfunduar, kur Prroni Meçe në  muajt vjeshtë- pranverë sjellë ujë sa një lum, ku po përplitetet Firma aksionere,  që prej  10-vjetësh investimesh pa rezultat(!!) Këtu del në pah shembulli i Kryeziut, që  paraprinë në këtë drejtim, duke i shtuar vlera të reja Kryeziut.

Por Muhamet Braha ka  rindërtuar edhe një shtëpi të bukur vetjake, si edhe një xhami të re për lagjen e tij. Nën shembullin e tij, studiuesi Jaho Brahaj , si një nga bijtë me vlera kulturore e historike për fshatin Kryezi dhe kombtar, sado me banim  familjar në Tiranë, ka ndërtuar një vilë  në pronën e t’et, që ta ketë për rahati për  vitet e pensionit. Po kështu, kolonel Bilbil Dervishi me ndihmën e vëllezërve të tij, ka  bërë rikonstruksionin e kullës së prindërve të tij, ku ka organizuar pritje miqsh  e studiuesish nga Tirana e Shkodra, Puka , Kosova, etj, me raste përkujtimore e aktivitete social-kulturore per Kryeziun e zonat perrreth. etj.

Gjithashtu edhe  Tonin Alia ,“ Mjeshtër i Madh “, ka ndërtuar kullën  e tij  të bukur në përkujtim të prindërve të tij të nderuar , duke e përdorë  edhe për pritje turistësh, që dëshirojnë  rahatinë mes malesh me mjedis e klimë  e mirëpritje mjaft tërheqëse e mbresëlënëse.

Në Kryezi janë shtuar, e po shtohen çdo ditë bujtinat turistike, siç janë ajo e Pal Papushit, Hil Kolës, Nikolin Prenga, Pashk Rrapi etj.

Kryeziu në vështrimin ekonomik:

Fshati Kryezi, zarzavate stinore shumë cilsore, prodhon misër e grurë të cilësisë së lartë, patate dhe groshën. Qeveria shqiptare në vitet ’70 eksperimentoi në Kryezi, me  shumë sukses kultivoi groshën plloçkë për eksport. Kryetari i kooperativës bujqësore, Pjetër Gjoni, drejtues largpamës e me vullnet për fshatin e tij, i kushtoi kujdes, se me atë prodhim rriti edhe vleren monetare të ditëpunës kooperativiste,që kishte qenë në rënie.  Por në vitet ‘90 e vazhdim ky prodhim i kësaj groshe, me fitim, u la në harresë, si shumë gjëra të tjera.

Kryeziu njihet edhe për mjaft llojshmëri PEMTARIE: rrush, gështenjë, arrë, lajthi,  mollë, dardhë, qershi, mana etj. Po ka kohë që po praktikohet me sukses edhe bletaria, me një mjaltë mjaft cilësor, që mirëpritet deri në tregun e Tiranës.

PYJET e Kryeziut –kanë qenë  një pasuri e madhe drusore që u shfrytëzuan pa kriter, si gjatë Luftës II Botërore e sidomos gjatë këtyre 27 viteve të  fundit. Po ç’është  bërë për  ripyllëzimin, apo ç’ka në plan Bashkia e sotme  Fushë- Arësit në këtë drejtim?!

-Kryeziu njihet edhe për një BLEGTORI të shumtë, se ka kullota të pasura : në Benë, Lakhithi, Livadhi i Pelave, Guri Gjodhisë deri në Laverdardhë, Livadhi Ballshit, Kalipjetra Pjepishta, e tjerë. Këto kullota përballonin mijëra bagëti të Kryeziut. Shumë familje kanë arritur të krijonin  kope dhishë e dhenësh nga 400 -800 krerë. Po, sidomos, lopët e qetë ishin të njohura dhe jashtë Kryeziut. Dervishajt i lenin qetë në Kullotat e Lakhithit derisa fillonte bora e parë. Në shumë raste, me qetë ishin edhe dhentë. Po i zuri bora, atëhere nxirrnin qetë përpara me hapë rrajën, udhën e dhenëve përmes borës së madhe, që të i sillnin në shtëpitë e tyre për dimrim stallor.

Në të gjitha familjet e besimit katolik mbarshtrohet derri me ushqime bio, që konsumohet gjatë gjith vitit, i tharë/pastërma.

Gjuetija: Në Kryezi, qysh në kohë të lashta është ushtrua sporti i gjuetisë, gjë që është trashëguar deri në ditët e sotme. Gjuetarët Kryezias njohin dhe rrespektojnë ligjet e gjuetisë, masëshumti aplikojnë gjuetinë në kohë me dëborë, e sidomos në lartësitë e mëdha të pyjeve përrreth.

 Përbërja etnike: 

Kryeziu është njohur  si fshat prej 12 fisesh e dy besimesh (mysliman e katolik):  Fiset ishin/janë : KABASH, të vendosur në lagjen Zotnitë ( Arifaj, Dervishaj, Brahaj e Murataj))  dhe Grezda, ku dikur ishte qendra e fisit të larguar Bardhi, ose Bardhet, nga i cili kanë dalë edhe vëllezërit Mjeda , dmth, Lazër e Ndre Mjeda. Po kështu mendohet se edhe  Marin Barleti, (ku mungon dh-ja , se mungon edhe në italisht) . Mandej vijnë fisi GJEÇAJ,/ SHALË ( ALIAJT janë paraardhësit e Shtjefen Gjeçov Kryeziu); GJINAJ e Gegajt (vëlla me Gjinajt); QUKASIT, që janë nga  Kuzhnen; OROSH(që kanë ardhur nga Mirditë) , Mardodajt (ardhur nga  Temal);  Mehaj, në lagjen zotni, ( ardhur nga fisi Pukë); Gojanës, Berishë,Toplanë; Dushman. Toplana /Topjana, kanë ardhë nga Duzhmani, kanë jetue në Kryezi ( edhe Lumardh, Iballe, Bushat, ) nuk kanë dalë fare, por kanë emigrue e sot janë në Kosoë/Gjakovë )

Artistët Xhevat Limani, Llesh Biba dhe Tonin e Enio Alia

Por, këto fise kurrë nuk kanë pasë konflikte fetare e fisnore mes tyre. Përkundrazi, me unitet dhe organizim vendor e fisnor me mjaft harmoni. Përbërja fisnore pasqyrohet kryesisht në veshjen e grave. Kabashi, mysliman, veshen Kabashisht me pshtjellak, kanac, të kuq Shala( Gjeçaj) veshje me xhubletë ( pultake).

Gratë , bijë  Mirdite me veshje mirditore ( ishte kusht me familjet që kërkonin bija mirditore , veshen ta kishin gjithë jetën mirditore). Prandaj fshatrat fqinj me Mirditë , si Kryeziu, Fleti (pjesa katolike ), Kçira e Dushi dhe Bicaj me Blinishtin e Kabashit, duke parë veshjet(mirditor) të  grave  ngjajnë si fshatra Mirdite. Të duket se je në Mirditë. Por e folmja bazë mbetet ajo e Pukës, veç me ndryshime të rastit, sidomos te fëmijtë, siç ndodh më e theksuar në Plet ( Kçirë, ku martesat me bija mirditore  kanë shkuar deri në 5 brez).

KRYEZIU  në vështrimin HISTORIK dhe arkeologjik paraqet interes. Le t’i hedhim një sy Krepave të Kalasë ( apo Kalaja e Krepave).

-Si  futesh  në fshatin Kryezi, në drejtim  të lagjes Gojan, sipër qëndron  madhështor dhe hijerëndë një shkëmb i gjallë dhe i errët, enigmatik si vetë historia e këtij vendi.

Vazhdimisht më tërhiqte vëmendjen dhe më shtynte të hulumtoja rreth këtij shkëmbi, i cili në shekujt e lashtësisë e Mesjetës së Hershme duhet t’i ketë shërbyer  për mbrojtje si  popullit të këtij katundi dhe  udhës VIAPUBLIKA -Bregdet -Dardani.   Të moshuarit nuk dinin  për ndonjë gjurmë kalaje etj. Por pas afro tri vjetështë qëndrimit timnë Kryezi, mora   rastësisht  një përgjigje të saktë nga një nxënës i imi,  se kur e pyeta se ku i kishte kullotur bagëtitë asaj dite. Ai m’u përgjigj se i kishte kullotur shpatit deri tek krepat e kalasë(!?) ( pra mos t’i lëmë anash barinjtë se ata janë burim toponimesh historike . Kështu  mësova edhe nga bariu i asaj kohe , Murat Kamberi, i cili më tregojj se në jug perëndim të Lakhithit, ishin “  MURET E SERBIT”, NJË FORTIFIKIM  i ngritur në bjeshkë prej ushtrisë serbe më1912, për t’u mbrojtur prej malësorëve kryengritës).

Së pari u mora me KREPAT E KALAS -toponim me domethënie  me interes historik.

Një ditë vere,18 qershor 1969, bëra një udhëtim deri  tek ata shkrepa. Kalova pas tyre,kah lindja e tyre, dola deri përtej jakajve, kah Qafëmali për ta parë nga pozicione të ndryshme. Një radhë tjetër kalova në Qafë-Arrë, rashë nga jakajt dhe e kundrova me kureshtje nga Qafëmali. Të tretën herë, mora dy shoqërues( mësuesin Gani Elez Arifaj, dhe Pjetër Gjinin, nga lagje Mejdan, të cilët u treguan shumë të gatshëm) dhe e kontrollova me kujdes. Pyeta  nga jakajt etj.

Fshati Kryezi, ka edhe “Kalanë e Leks” apo “Gurin e Gjodhisë,” si dhe “Ferrcoji”. Kështu do t’i shërbehej  turizmit  kulturor e historik, ku aty  nuk mungojnë, por duhet të hulumtohen dhe të evidentohen  pa humbur kohë, sepse janë një pasuri vlerash, jo vetëm  për turizëm, por edhe për formimin dhe  edukimin e brezit të ri dhe të vetë  masës  malësore me dashurinë për vendlindjen. Ja, pra disa raste e fakte që duhen hulumtuar dhe studiuar, që nga lashtësia, që nga Kalaja e Krepave, Krepat e Kalasë, Forcoj, Guri Gjodhisë (apo kalaja Leks,) Familjet fisnike, dhe familjet e fiset që nga Bardhi,/ Bardhet. Banorë të parë mirditas të këtij fshati, kur erdhën Zotnitë, Agët, gjetën rrapajt, të cilët vazhdojnë të jenë këtu edhe sot. Si erdhën zotërinjtë,  vendosën kufijtë sipas te drejtës së tyre, po rrapajt nuk i çuan, veçse u vunë kufijtë dhe u ngushtuan hapësirën përreth. Pastaj zotërinjtë pranonin qipçinj nga Mirdita, Shalë, Temal, Berishë etj.

Ky fshat i bukur dhe pjellor padyshim që ka qenë i banuar prej kohësh të lashta. Këtë e tregojnë kishat  e vjetra që gjenden në atë vend, skoriet, “gurët e farkës” që ka përdorur herët “kaurri”; e tregojnë  MURET E VJETRA, që gjenden me shumicë në lagjen Gojan, në anën perëndimore deri tek Shtjeka e Korbit;  Shenjat e mureve të kësaj kalaje, si dhe legjendat për të.

Kishat e këtij fshati kanë qenë tri. Kisha e katërt, që sot  (1968) është kthyer në magazinë ku fusin kalin ngarkuar, kurse çela  u bë qendër sanitare. Kjo Qelë në vitet 1956 deri 1962 ka qenë shkolla për fshatin Kryezi. Kjo kishë është ndërtuar rreth vitit 1920 me ndërhyrjen  e Lazër Mjedës, i cili siguroi blerjen e tokës nga lulajt dhe ndërtoi atë kishë bashkë me të vëllamë , Ndre Mjedën dhe  edhe shkollën me ndihmën e fshatit.

Kisha kryesore, për të cilën na flet  edhe Frang Bardhi, i cili ka çuar meshë aty në  qershor të vitit 1637, është Kisha e Shnaprendes (Kisha e Shën Premtes). Kjo kishë ishte në tokën e rrapajve, afër shtëpisë së Ylli Rrapit i cili e rindërtoi pas vitit 1990. Kjo kishë në vitin 1971 është prishur nga brigada e kooperativës e  kësaj lagjeje e detyruar nga organizata bazë e Partisë, PPSH. U prenë qarrat shekullorë dhe afro 1000 m2 tokë e mirë u fut nën kulturën bujqësore. Po kjo kishë ka qenë dikur një kishë e vogël, që është rindërtuar para 300 vjetësh me madhësinë  10 x 6 m dhe e mbuluar me një çati të thjeshtë me rrasa; me mure pa suva, me dritare të vogla; shkurt, janë munduar që ta kenë në këmbë si një shenjë e  kujtimit të së parës, për të cilën tregonin me bindje se ka qenë herët shumë  e përmendur dhe aq e fortë, saqë  nuk duronte  të vdekur brenda  rrethimit të saj, sepse ajo kishë ishte bërë për të gjallët për t’iu lutur Perëndisë. Prandaj tek ajo kishë nuk ka varre. Kështu besonin deri vonë dhe e shprehnin të bindur  këtë gjë.

Sapo u emrova në Kryezi, rastësisht takova sekretarin e org.bazë të Kryeziut, Frr. RR, i cili më ngarkoi tëheq kryqin e hekurt, ngulur dikur në traun  derës së kishës së Shnaprendës. Ishin munduar ta hiqnin, po nuk kishin mundur se ishte gozhduar qëllimisht me gozhda të mëdha. Më tha se “kur kalojnë  njerëzit para atij kryqi bajnë kryq, gjë që edhe të Prtisë së rrethit ma kanë vue në duke. Prandaj më tha, hiqe ti me rininë shkollore.” Nuk e kundërshtova haptas, por mendova se më gjeti ai mua jo pa qëllim, por donte të më armiqsonte me fshatin besimtar katolik, si mysliman që isha unë, si dhe probleme biografije që kisha. Mbas disa ditësh më porositi prap.  I thash se unë nuk jam rini. Thuaja vetë drejtoreshës së shkollës. Nuk mbeti i kënaqur nga unë.” Gjete argument, ashtu është, se vepra të tilla janë të rinisë’’, –  e mbylli këtë  çështje me mua.

Kalaja, Krepat e kalasë ( Kalaja e Krepave) u bë objekt hulumtimi prej meje. Dukej se ajo kështjellë ishte e lashtë, e kohës antike.  Udhëtimit për atje i gjetëm njëfarë “rruge”. Kësaj “rruge” iu afruam aq sa na lejonte shkëmbi. Shoqëruesi ynë kaloi me lehtësi nëpër shkëmb dhe arriti deri tek vendi ku kalonte “rruga”. Kjo farë rruge kalonte për nën shkëmb, por pa e prekur atë në dy anët dhe për të kaluar në qafat e kodrës. Mundet që herët të ketë kaluar nëpër atë të prerë një rrugë më tepër me karakter strategjik, se sa për të shërbyer si rrugë kalimi, mbasi nuk ka përse të kalojë  një rrugë atij vendi, se s’ka ç’të lidhë. Andej nuk pritet të ketë pasë ndonjë rrugë që mund t’i ketë shërbyer fshatit ndonjëherë, aq më pak se një rrugë tjetër kalimi ishte, që mund të lidhej me rrugën kryesore  Shkodër-Prizren. U ngjitëm lart dhe hymë në një qafë të thellë që quhet Shtjeka e Korbave. Kalon Shtjekën (Shtekun) dhe del në Lakun e Shtjekës së Korbave. Poshtë, nga lindja shtrihet Gryka e Thanave.Po thana s’kish. Nga kjo grykë deri ku fillojnë shenjat e murit të kalasë, ishin nja 100 m. Nga ana lindore krepat ishin të mbuluar me dhe ranor.

Muri rrethonte kodrën në formë gjysmëharku. Shenjat e këtij muri kishin drejtimin horizontal dhe vazhdonin mbas krepave, duke filluar nga verilindja deri në jugperëndim. Kjo gjatësi e murit mund të jetë rreth 200 m. Muri kalonte nëpër një tokë jo shumë të pjerrtë, që kishte themele kurrizin e shkëmbit, që shtrihej nën një shtresë dheu ranor. Vendi rreth e përqark ishte i mbuluar me shtogrra,. Për ta vështruar më mirë formën e murit  dhe lidhjen e tij, duhej pastruar vendi nga ato shtogrra. Muri mund të zbulohej vende-vende, sidomos nga fillimi (verilindja), por ishte i rrafshët me tokën. Tregonte se ai mur ishte i lidhur me gëlqere. Sipër tij dukej një cung hardhie, për të cilin tregonin se kishte qenë një hardhi e madhe që kanë mbërri ta shohin ( afërsisht vitit 1900) duke dhënë edhe ndonjë kokërr rrushi. Nën të, ku mezi duken shenjat e murit, shtrihej muri, që para dyzet  vjetëve arrinte  në më se 80 cm lartësi duke humbur tej në shtogrrat. Nga jakajt tregonin se nëpër shtogrra kishin parë prej vitesh një mur gëlqereje (i ndërtuar me gurë të lidhur me gëlqere), që vende-vende shkonte deri në 50 cm. Gurët e mëdhenj janë shembur prej kohësh, duke lënë gurët e vegjël të murit.

Krepat e Kalasë përbëhen nga një kurorë që ndahet në dy pjesë me nga dy maja secila. Aty ku bashkohen këto dy pjesë, është një qafë e ngushtë, që sillte aq të ftohtë, megjithëse ishte 18 qershor. Qafa e ngushtë, si një grykë që gulçonte pa pushim, lidhej me majën e pjesës së parë, që quhej Guri i Shqipes.  se aty pushonin shqipet me gjahun e tyre në gojë për ta shijuar më me ëndje. Pas këtij vendi vinte lartësia e madhe e kodrinës, Kodra Madhe, që mbështetej në krepat, që i shërbenin si mur për të gjithë anën perëndimore, një mur natyral i patundshëm, me rrënjë të thella deri në zemrën e dheut. Mbi këtë pikë të KALASË horizonti hapej i plotë: Ç’të shikoje më parë! Male të mbuluara me pyje dhe lugina të thella, ku kalojnë burime të kulluar e jetëdhënës. Prej këtu mund të shikohen fare mirë: Lavër-Dardha, QafëBallshi (ana veriperëndimore), Qafë-Plaka, Fushë-Mriaj, Kalipjetra, Krrabi, Micoji, Kodra e kalasë së tij, Kunorat e Meçes, Puka,Terbuni, Rrapja e Prozhmi, Vasiajt, Palucajt, Lak- Roshi, Qafë-Mali, Maja e Blithit, Maja e Okolit, (vjen si samar); Qafa e Benës dhe Fusha e Okolit, përballë mureve  të serbit.

Në vitet 1930 e motra e priftit, që vinte për pushime verore, u kërkonte jakajve që ta shoqëronin deri te Krepat e Kalasë, ku i gëzohej dhe qetësohej shpirtërisht para horizontit të hapur pa kufij.

Prej kësaj kodrine mund të kontrolloje fare mirë rrugën që vjen nga Micoji, në Kryezi, Bardhet, për në Kryezi, zbritjen nga malet për në lugina dhe mbi të gjithë Rrugën e Madhe, rrugën tradicionale që lidh Kosovën e Danubin Jugor me Shkodër e bregdet. Kjo rrugë ishte nën  kontrollin dhe sigurinë e plotë të kësaj kalaje, pikërisht në pikën më delikate të saj, mbasi prej këtyre anëve kjo rrugë mund të bëhej fare e papërshkueshme, siç është bërë me të vërtetë sa e sa herë gjatë sundimit osman,siç na e përshkruan edhe Fr. Bardhi , më 1637. Rruga e Madhe, siç i thotë populli prej shekujsh, kalon nëpër Arst, Bardhet, Qafë-Mali etj. I  takon të kalojë bri kësaj kodre të kalasë, në anën jugore dhe juglindore të saj, duke kaluar nëpër rrapaj e vazhdim. Në këtë pozicion rruga nuk është as një kilometër larg nga kalaja në një gjatësi prej 3-4 km. Edhe më larg vazhdon të mbetet nën pushtetin e saj.

Edhe varianti tjetër i kësaj rruge tradicionale që lidhte dy krahët e Atdheut, që kalon nëpër Micoj – Lumardh – Kryezi ( Forcojë) – Qafë –Benë, është krejtësisht në zotërim të plotë të kësaj kështjelle të plotpushtetshme. Por që me pushtimin osman u braktisë, dhe ndoshta u shemb, për të mos   u shërbyer malësorëve kryengritës.

Ana lindore e kështjellës duket se ka pasë lidhje të kahershme me Jakajt, duke filluar nga muret rrethuese  dhe duke zbritur shpatit të kodrës së pjerrët, poshtë nga muret nja 500 m, shtrihen rrafshe të bukura që edhe sot e kësaj dite duken shenjat e një banimi të hershëm. Këtu janë Fushat e Jakajve dhe Kroni i Jakajve. Ky vend shtrihet në zotërimet e rrapajve, por mesa duket, me kohë i fituan jakajt këto vende. (Jakajt këtu në Qafë-Mali dhe Gojan kishin stanet, kurse në Gomsiqe kishin banimet dimërore dhe kullat e mëvonshme, duke u shtrirë që nga Gojani. Thonë se vetëm për festa bashkoheshin. Në këtë bashkim të madh të burrave dhe të të rinjve që mbanin armë, krijohej një çetë e madhe me rreth 80 pushkë të gjata- siç tregojnë të moshuarit).

Fusha e Jakajve prej kohësh ka qenë braktisur, duke lënë si dëshmi të një banimi të mëparshëm dhe dy qershi të mëdha, stoli  të atij vendi. Tani, ai vend ka filluar të punohet nga kooperativa bujqësore, po për mungesë uji nuk mund të sigurohet pjellshmëria e tokës me misër dhe patate, por me grurë, tërshërë a elb mund të merret një farë prodhimi. Në anën lindore dhe juglindore të këtyre  rrafsheve kalon bri tyre rruga tradicionale  e Karvaneve, sot udha automobilistike Pukë- Kukës- Kosovë.

Tej Qafës së Malit, nga ana verilindore, gjenden rrënojat e Kalasë së Fletit, së cilës populli i thotë Kalaja e Lekës, që, sipas Gjon Muzakës ka qenë kalaja fillestare e Lekë Dukagjinit.

Muret e Vjetra: Duke zbritur  anës perëndimore të krepave të kalasë, nga Hija e Keqe, pak më djathtas ngjitjes (që bëmë kur shkuam për të gjetur kalanë), shtrihet shpatorja për nën krepat e kalasë deri poshtë në lagjet Gegaj dhe Gojan. Gjithë kjo shpatore është me lisa të rrallë bunge dhe mbuluar me shtogrra. Për shkak të kodrës dhe të krepave kjo faqe mali është më e freskët, mbasi e rreh dielli  vonë dhe brinjas, por është më e mbrojtur nga erërat e ftohta të veriut e të lindjes, që rrahin gjithë dimrin. Kjo shpatore e ruan lagështirën mirë, se rrihet jo vetëm nga shirat, por ka edhe një shtresë të trashë dheu mbi rrënjët e shkëmbinjve. Prandaj ka të ngjarë që kjo shpatore e gjerë të mund të ketë shërbyer për ara të gjera gruri e thekre  për banorët e atij vendi dhe mbrojtësit e asaj kështjelle. Këtë e dëshmojnë më së miri muret anësore që duken kudo anës veriore të kësaj shpatoreje të pëlleshme, që nga lart-poshtë në një gjatësi afro 300 m  a ndoshta më shumë. Themi më shumë se nuk dyshohet që këto mure të mos kenë qenë nga krei deri në fund të kodrës. Kjo del e qartë se në vendet e mbrojtura nga erozioni janë mjaft të dukshme, aq sa t’habisin me gjatësinë dhe lashtësinë e tyre. Përballë Fushë –Groshës, përtej bërrakës, nga ana jugore e kësaj Fushe, fillojnë Muret e Vjetra. Këto mure nisnin nga qoshja e bërrakës që pret shpatoren në fjalë nga ana veriore. Një të tillë ka edhe  nga ana jugore e saj. Kuptohet që këto bërraka nuk janë të mëdha, mbasi vendi ku kalojnë është shumë i pyllëzuar deri poshtë kodrës, ku pyllëzimi, duke qenë afër lagjeve të banuara është zhdukur. Pra muret fillojnë në qoshen e bërrakës veriore dhe përgjithësisht shkojnë në drejtim të anës jugore ose anasjelltas. Po më të theksuar dhe të ruajtur janë në këtë bërrakë, në afërsi të saj dhe deri në 20-30 m thellësi. Muret janë thuajse paralele me njëri-tjetrin në distancë nga 10-15 deri afro 30 metra. Kjo distancë ngushtohet me uljen e pjerrësisë së tokës. Gjithashtu ka të ngjarë që toka t’i ketë zënë kund-kund këto mure, kur këta i janë bërë pengesë rrugës së tij të zakonshme të shkatërrimit. Në shumë vende dukej një fenomen i tillë. Poshtë kodrës që cilësuam më parë, përballë Fushë-Groshës, muret vijnë deri në brendësinë e bërrakës. Çka ishte dhe më interesant në këtë vend dhe pak më lart muri kalonte në të dy anët e kësaj bërrake, pra edhe në anën veriore  të saj. Në disa pika këto mure nuk vinin paralel; është fjala për muret anës së bërrakës në formë hinke, gjë që ia ngushton shtratin bërrakës për të ruajtur anët e saj nga gërryerjet gjatë shirave. Muret në brendësi të shpatit  në drejtim të Shtjekës së Korbave, ishin të larta mbi një metër deri në një e gjysmë.  Këto mure ishin ndërtuar me gurë të zakonshëm, po dukej se ishin bërë përpjekje që të përdoreshin më tepër gurë të mëdhenj, që vinin mbi një metër diametrin a perimetrin sigurisht ishin me llaç me gëlqere dhe pa as më të voglën gdhendje. Lidhja ishte bërë mirë, mbasi i kishte ruajtur nga shkatërrimi.

Kur u pyetën pleqtë për këto mure, ata shikonin me habi ,por tregonin se ato vende nuk janë punuar nga kjo popullsi që ka ngelur së fundi në Kryezi. Me qenë se ato mure nuk kanë lidhje me brezat e mëparshëm të banorëve të sotëm të fshatit, kjo tregon se janë të Mesjetës, apo ndoshta që nga kohët e hershme arbrore.

Këto mure shërbenin për tarracimin e shpatores, për ta bërë atë sa më të pëlleshme dhe njëherësh për ta mbrojtur nga gërryerjet. Ka të ngjarë që ata banorë të kenë pasë banesat aty, se kështu ishin më larg bregut, ku kalojnë rrugët  dhe më afër kështjellës, të cilën mund ta arrinin më shpejt se mund të vinte i huaji tek banesat e tyre nga bregu i lumit që përshkon Kryeziun. Kjo nuk do të thotë se tokat poshtë bregut të lumit të mos i kenë punuar që në atë kohë.

Në afërsi të krepave, nga ana perëndimore të tyre, janë gjetur patkonj dhe një shpatë e vjetër, të cilën fshatari që e ka gjetur, e paska pasë bër këmesë tek  kovaçi. Këto gjetje janë para vitit 1930. Janë gjetur edhe disa gjëra të tjera, por fshatarët dhe mësuesit nuk kanë treguar ndonjë interes për to, me qenë se ato gjetje nuk u vlenin direkt atyre. Prandaj, tani as që i kujtojnë më se ç’ishin ato gjëra, që i kanë gjetur, nga që fshatarët që i kanë gjetur rastësisht, kanë vdekur prej kohësh.

Duke marrë zemër nga gjetjet që u bënë rastësisht  afër Krepave të Kalasë, nga ana perëndimore e tyre, fshatarët filluan të mendonin se në Podin e Krepave të Kalasë duhet të ketë para/monedha të fshehura, -një tregues , se aty ka qenë një kështjellë me rëndësi.  Kështu, një ditë, një fshatar paska pasë filluar gërmimin në atë vend, pa rënë në sy të fshatit. Gjatë gërmimit i dukej se sa më thellë shkonte, aq më shumë dëgjohej një tingëllimë nga brenda, që tregonte për boshllëk dhe njëherësh për gjëra metalike, se kishte edhe një si tingull  metalik ( E kishte fjalën për para/lekë). Mirëpo, sa më poshtë gërmonte, aq më shumë rritej ai tingëllim , që iu bë sikur filloi të ndiente shqetësime të mëdha në kokë, që s’i pushoi deri sa vdiq. Prej atij rasti e mbas nuk kishte gërmuar më kush në atë vend.

Një plak besonte se do të kishte pasë edhe kambana  të fshehura në tokë. Për ato kambana bile disa besonin se dikush i kishte dëgjuar duke  rënë me një tingllimë të këndshme(!). Duket se tingëllima ishte jehona, që vinte nga kamban e kishës së  fshatit Shmi.

Për kështjellën në fjalë, jam konsultuar me të moshuarit: Osman Sheqeri, Pjetër Per’ Ndocin,Dedë Alinë dhe Marka Dodë Alinë, Koliq Pjetra, Muharrem Bajram Arifaj etj.

Bashkia Fushë-Arës duhet të krijoi grupe pune,siç po vepron Bashkia Pukë për fshatin Qelzë, për t’ u parapri punëve me  masa konkrete  organizimi, sepse në Kryezi ka edhe intelektualë  për hulumtime e studime me interes në fusha të ndryshme,  si: Jaho Brahaj, Ndoc, Gjovalin e Hilë Alia, kolonel Bilbil Dervishi, Tonin Alia,” Mjeshtër i Madh”; Nikolin Prenga,Tonin Lleshi, Fatmir Arifaj, Arlina  Simoni, Filip Koliçi, Naxhije Brahaj,  Mustaf Arifaj,Pal Papushi, Hilë Kola, Prengë Prenga.  Florin Pjetër Biba etj,

* “Mjeshtër i Madh”

SHKARKO APP