Kthejeni karantinën në orë leximi
Nga Luljeta Nelallari – Përtej informacionit për situatën e krijuar nga koronavirusi, këto janë ditë që duhet të mbushen me një lloj aktiviteti, qoftë dhe në ambientet e shtëpisë ku po qëndrojmë përkohësisht.
E çfarë më mirë se shoqëria e një libri mund ta kryejë këtë mision? Një gjë të tillë e ka propozuar Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, institucioni dedikuar librit në vendin tonë.
Drejtorja e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, tha për Gazetën “Si”, se thënia e famshme e muzikantit amerikan, Frank Zappa, ‘Kaq shumë libra, kaq pak kohë’, është marrë nga Qendra për të realizuar një video sensibilizuese për ta kthyer karantinën në orë leximi.
“Këto kohë na ftojnë të gjithëve në një lloj reflektimi dhe kthimi te vetja, dhe libri është mënyra më e mirë si mund ta bëjmë këtë. Por leximi është një ftesë për të mos humbur dhe kontaktin me botën, pasi librat kanë botën brenda tyre”, thotë për Gazetën “Si”, Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së.
Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së, sugjeron “Lulja e kujtimit” të Foqjon Postolit
Duke na ftuar që të kalojmë këto kohë karantine duke lexuar, ajo na sugjeron të lexojmë autorë shqiptarë. Në bibliotekën e saj, Bardhyli ka zgjedhur Veprën letrare të Foqion Postolit duke u ndalur te “Lulja e kujtimit”.
“Personazhet kryesorë të romanit ‘Lulja e kujtimit’ janë në qendër të ngjarjeve që rrjedhin midis gëzimeve të pakta e më shumë midis fatkeqësive që u ranë mbi krye. Krijesa tepër të ndjeshme ata jetojnë vazhdimisht në gjendje të tensionuar psikologjike dhe ndjekin vetëm ligjin e zemrës, që bëhet forcë lëvizëse për të përballuar pengesa nga më të ndryshmet. Besimi te një fuqi gati hyjnore është në bindje të Foqion Postolit dhe te pjesa më e madhe e shkrimtarëve sentimentalistë”, thotë Bardhyli.
Librat në mënyrë të natyrshme na çojnë te besimi. Ndaj nëse shohim librat e përzgjedhur nga personazhe të ndryshme që i janë bashkuar ftesës së QKLL-së për lexim, vëmë re që në pjesën më të madhe janë libra që të përçojnë besim.
I tillë është dhe libri “Murtaja” me autor Albert Kamy zgjedhur nga gazetarja Monika Stafa. Ajo beson se ky libër është një leksion më i mirë për kohën.
“Unë kam zgjedhur Murtajën e Albert Kamysë. Dikur e kam lexuar, por tashmë me një sy tjetër, për të mësuar më shumë se çfarë është kjo katastrofë e madhe që po i ndodh botës. Bashkë jam e sigurt që do e kalojmë. Qëndroni në shtëpi, lexoni një libër”, thotë gazetarja Monika Stafa.
Gazetarja Monika Stafa sugjeron “Murtajën”, të Albert Kamysë
Romani “Murtaja” i vendos ngjarjet në qytetin algjerian Oran, përshkruar si një qytet bregdetar i ngathët e i pluhurosur, “ndërtuar me shpinën e kthyer nga porti”. Romani nis kur protagonisti Dr. Rieux, fillon të shohë minjtë e ngordhur. Shpejt edhe njerëzit po bien përdhe të vdekur e me gjasa, Oran e gjen veten në karantinë, të izoluar nga pjesa tjetër e botës.
Nuk është vetëm Kamy ai që ka rrëfyer murtajën. Poeti Italian Manzoni edhe pse s’e ka parë murtajën ka shfletuar kronika e kronika mbi të. Dhe kështu përshkroi marrëzinë, psikozat, teoritë qesharake për prejardhjen e saj, për barnat shërues.
Përshkruan skenën e një të huaji (një “turisti”) në Milano, që prek një mur nga të katedrales dhe përndiqet nga turma me pretendimin absurd se ai ish shpërndarësi i mikrobit. Por ka diçka që Manzoni e përshkruan më së miri, mbi të gjitha, dhe që e huazon nga Bokaçio: çastin e sprovës, të poshtërimit, mes të njerëzishmes dhe çnjerëzores.
Por ka edhe romane shqiptarë që japin idenë e fitores mbi të keqen e një i tillë është romani “Aksidenti” i Ismail Kadaresë, sugjeruar nga gazetari Isli Islami.
Gazetari Isli Islami sugjeron “Aksidenti” të Ismail Kadaresë
“Në një periudhë të tillë që është vetëizolimi, le të përpiqemi ta shfrytëzojmë për t’u rikthyer te librat. Gjithë këtë kohë të lirë që kemi në shtëpi, përveç zbatimit të rregullave të higjienës, le të përpiqemi të rikthehemi te libri dhe të lexojmë ato libra që për shkak të kohës nuk kemi mundur dot të ulemi e t’i lexojmë me qetësi. Do ju sugjeroja romanin “Aksidenti” të Ismail Kadaresë, një libër që na bën të reflektojmë mbi fitoren e dashurisë, mbi të keqen që është shumë e rëndësishme, sidomos në këtë periudhë. Shijoni kohën në shpi dhe lexoni sa më shumë libra”, shprehet moderatori i Wake Up, Isli Islami.
Ftesës për lexim i janë bashkuar edhe autorë të rinj dhe lexues që këto ditë kërkojnë të gjejnë një mënyrë për të besuar se e gjitha kjo është një ëndërr që nuk do të zgjasë shumë.
Lexoni edhe
Shkon në 38 numri i të infektuarve nga koronavirusi në vend
Temperaturë dhe dhimbje fyti? Shefi i urgjencës: Si të kuroheni në kushte shtëpie
“Është vetëm fillimi!” Mjeku infeksionist: Ky virus ka frikë vetëm kujdesin e disiplinën
Covid-19/ Majko: Kjo situatë nuk është çështje ditësh! Durim dhe kurajo!
Ambasadorja Kim uron Ditën e Verës: Le të mbajmë distancë fizikisht,
Dom Gjergj Meta, qeveritarëve: Sigurohuni të mos mungojë sapuni dhe uji, lini mjekët të flasin
Këshilla e pedagoges shqiptare në Oxford: Ja pse sapuni vret virusin më mirë