Leon Lekaj, kumton kujtesën e trishtë në “Stinët e andërreume të kthimit”
Nga Albert Vataj
“Stinët e andërreume të kthimit” asht i treti libër i Leon Lekaj, i cili i mbasvjen romanit, “Shpirti i braktisur” dhe monografisë, “Një artist nën pentagrame të kryqëzuara”. Kjo behje e radhës, tue ken me poezi, xuni vend në kryeherë të nevojës së tij me i’u fal nji shejtnie, por erdh i prami zai i trinisë, si ai fmija i ndrojtun, por jo ma pak i vyem. “Ka vetëm nji rrugë. Hyni ju vetë në shpirtin tuej dhe kërkoni nevojën që ju shtyn t’shkruani, kërkojeni dhe shtrijini rranjët e kësaj domosdoje n’thellësinë ma t’madhe të shpirtit tuej”- predikon Rilke. Dhe asgja s’ka me e ndal vërshimin e kësaj llave mbledhun atje thellë, atje ku munden me nejt gjallime qi presin zgjimin e potershëm. E kujt tjetër veç një zemre t’lëndueme, mundet me i shkulmue shpirti zjarm e përjetim, atij “që mbeti në hapat e dëshirës/ si diell i fikun”?
Leon Lekaj kishte fatin e keq të shumë prej atyne fatkqive, mbi t’cillt ra gjama e terrt’ e diktaturës. E ai tue dasht me than çka ma shumë se e mundon, e përtrin, shfleton kujtesën dhe rrëmon n’gjanat e nënshtrume qi e përgjojnë me sy t’trishtum përtej një perdeje qi nderun rrin qyshkur s’guxuem me besu n’andrra . E tue dasht me këndu, jo me kja, rrëfehet, kallzon, atë çka shpirti tij ka ruejt ma mirë se fletët e zverdhuna e blloqet e mykuna prej lagshtinet.
“Tash, kjo tokë e zhuritun/ nuk bekohet ma prej dashunish/ e në qiejt e mi prej kohësh/ shtegtojnë veç re lamtumirash”, gjimon ai za, kushtron ajo jehonë prej nevojës me u dorzan ndër ne njat shpirt qi flatron mundueshëm “me peshën e rand të lotit”. Ai nis me end me fjalë, metafora, vargje e poezi, pëlhurën e atij përfytyrimi, tue besu në flakërimin me yje të rrugës qi i difton kah mundet me zbritun thellë vetes, atje ku diçka pret t’i mëkohet dritës, ku nji pëshpërimë ngulmon të hidhet në krahët e nji zani buçitës, e nji vetmi e strukun drojet, lyp kurajë dhe besim ti përkasë jo veç vedit por edhe gjikujt qi dishrueshëm don me i lëshue vend t’andshëm.
E shkuemja, ajo qi ka lan plagë dhe vragë në shpirtin e tij, i kacavirret mureve të kujtesës dhe rigjen dritën në vullnetin e nji dëshirimi për epje. Ai, Leon Lekaj, i jepet këtij përgjërimi, frymë i nep gjendjeve të gremisura skutave të drojes dhe harrimit, dhe i sheh teksa bulojnë filizat e atyre çasteve, një e nga një duke çilun në hovin KU”… gjoksi shtypet prej lumtunisë”.
Risjell ikjen e asaj kohe të gremisur në terr dhe makth, “… tue folë për zgjedhën” dhe tue mëku dritë nga shpresa e fikun. I shpalon nji e nga nji krisjet, “… te kopështi i krrusun prej ernave/ ku ditët tërheqin trishtimin rrëshqanë”. Flet për sendet e mohit të një trazimi, tragjizmi dhe kohe absurdi, së cilës dot nuk i shpëtoi. Ai ka zgjedhun me ken za qi shpërfaq çka vite e vite, shtresë mbas shtrese asht ngurtësue në ndërgjegjen e tij. Tue zgjedhun poezinë, i ka besue kësaj shejtnie zanin ma t’zashëm të shpirtit, britmën ma therse të dhimbjes, shtërngimin ma zoritës të njatij gjoksi, njatij krahnori qi hoq njaq fort, por pa mujt mujt me gjimue.
E tash, me fjalën dhe ligjërimin poetik, kumton tançka thellë brenda tij asht ngjizë, në zjarm e cergë, në gjak e lot, në dhimbë e rënkim. Poezia e Lekajt asht njaj zog i trucun në kafazin e pengimeve, qi përpushet në dëshirën e etshme për fluturim, janë “… njata sy mshëhun mbas ofshamës …”. Asht njajo kangë strukun te sendet e ndalume, njaja andërr trucun n’drojen e pamundsissë me ken shpengim.
T’tan njaja e shkume, e tashme dhe e gjithmonshme te Leon Lekaj asht çast i ngërthyem në shkreptimën e nji lirike që prushet n’dëshirimin me i’u mëkue çdo shpalimi shpirti qi i blatohet si tue dasht “… mos me e lan vetëm në stinën e akullit”.
***
Sekush lyp me hy n’legjirimoren e vet poetike përmes nji timbri qi e veçon me tjetërkend. Kjo asht gjithqysh nji nevojë e orvatun në ç’ka mbetet vetiake dhe ç’ka mundet me marr trajtë tue gufu prej ngjizjes. Te Lekja, poezia, asht jo aq nji mënyrë për me rizgju kujtesën, se sa nji yshtje për me këndue dallueshëm prej kujt tjetër.
Zani, ritmi, muzikaliteti, stili, gjuha, e gjithseçka tjetër qi përban oratorinë poetike të tij, vijon saora tue ken, çka te autori asht kjo si nji qasje komunikimi, çka ai don me ken, kujt ai don me i’u drejtue, e çka impresionin e tij poetik përfaqson.
Rrëfysja peotike “Stinët e andërreume të kthimit”, mundem me than se asht nji autobiografi në vargje e autorit, gjithëpoaq asht nji qasje “… me vizatue dhimbjen/ në ranën që përtueshëm baticën pret” edhe pse ai diqysh ankohet se “Rruga jeme ka ndeshë në fjalë të ngrime/ që s’po dinë kurrë me u shkri/ as ndër stinë lënduese/ as kur gjunjt e lënduem puthin tokën”. Tue ken njaja përvojë jetsore, t’cillën ai tue dasht me e nda me t’tjetërt zgjon, ngucat, ndërmen përjetime në të. Fati i tij asht i venit t’vet, asht njajo e asokohëshme qi e ka “msue me vdekë shpesh/Mbi zjarrin okult, që digjte hanën e impulseve…/Mbi masakrën e tingujve që u shndërrue në lule gjaku/ Mbi vetë gjakun që s’dinte me gjetë rrugën e zemrës”.
Lirikat e Lekajt shkartisen përmes një amëlcimi të athët. Fjala pararend atij vërshimi uturitës qi zbret nga shpirti si një përrua i ndërsyem, e …”mbi krye e përgjon era e pamëshirshme e kujtesës që fryn/ sa herë zjarri asht gadi me u shue”… “e kur nata zbret me hapa t’vranët… pa prit që qiejt të derdheshin… mbi supin e lagun prej dhimbjes…”
Ai edhe n’se dikun lyp paqsisht me zhdryp, si tue dasht me djeg me amën e vet tokën e përzhitun t’pasioneve shpenguese, e ka t’pamujtun me e shue dhimbjen e njasaj plage qi i asht ngurtësue në kujtesën e largët të kohës, “qi e pret te derë e harrueme”.
Tançka asht në të, në poezinë e tij, në njat nevojë yshtëse të nji vullneti me i’u dhan nji zani kumtues e kushtrues, zafillin prej caqe qi nisin prej njatyne kohnave ku “… pengjet kanë ngjyrën e gjakut”.
Qëllimisht ai i mbasshkon ndërmendshëm, gjithnji asaj ndërkohje, “të zverdhuna prej ngazëllimesh… ndriçu prej nji dritë vetëtimash” atij pragu idhnak qi dikush e pret “te derë e harrueme”, i “mbetun larg peshës së vranët të atij qielli”, qi sa herë i asht rrëzue tue e zan përfundi.
“M’u lute të ecja në gjurmët e tua prej ajri/ ku toka asht me e shenjt se qiejt…u derdha me duert e lodhuna të pritjes”, kumton Lekaj.
Ai za këndon, ajo trajtë shprehëse vjen te lexuesi ma shumë se si nji shpalin i nji shpirti, ligjërim i nji andje poetikisht të mbarsun, e harlisun atij ngulmi qi Lekaj e mbrun me zjarmin e përjetimeve.
Tue ken nji gufim shprehës, i mbarsun prej nji gjendje tensioni, kjo oratori poetike asht njiherash njajo forcë e qëndresës qi gjeneron shpirti për me ba ball nji trazimi qi n’pamundsi me e mujt e ban ma t’fort, e ban “me kputë prangat e mendimit”.
Poezia e Leon Lekaj vjen nga “Stinët e andërrueme të kthimit” si zadhanës i nji shkulmi, i qëllimsisë me shndrrue në kangë, ç’ka do kishte dasht me ken nji shpërthim, si shtegu kah kalon. Njiherash kjo nevojë komunikimi asht edhe ai instument çlirues tingujsh dhe vijash muzikore, kah marrin gjallim e rivijen njajo e shkume, “ku çdo dëshirë e papritun shndrrohet n’ofshamë”, “kur zhgënjimi asht pjesë e andrrës qi diegjet”, qi me “peshën e rand të lotit… çdo ditë e shndrron në gur”
Kishte lindun nji e drejtë me besu te ligjërimi, si te çdo dëshirim tjetër, “qi ndezin kur fjalët rrëshqasin rrënojave të zanit, e si valë enden brigjeve të humbuna. I shmangun prej ngurimesh të gjithfarshëm dhe i ngucun prej nji nevoje me ken i përfshim prej vërshimit në “përrenjt e rrëmbyeshëm të kujtimeve”, poezia e Leon Lekaj vjen me rijetime, sod si atëherë, “Në ag…kur dita shkapet dhimbën për gur/ dhe fjalët e ithta digjen si eshkë”.
Po, ai sjell nji poezi shprehëse, nji ligjërim kryengritës, një za kushtrues. Sjell kujtesën qi i dhëmb atij dhe sekujt tjetër qi edhe pse s’ishte ai, kishte t’njejtin fat me te.