Leximi i Dostojevskit në Antarktidë gati sa nuk e ktheu në vrasës

Dyzet vjet më parë, në vjeshtën e vitit 1979, një grup eksploratorësh britanikë u nisën nga Londra në një mision dukshëm të pamundur; një lundrim nga poli në pol. Për më shumë se tre vjet të asaj që njihet si Ekspedita Transglobale, ata do të hasnin vështirësi përballë deteve të hapura në Erërat e forta të Perëndimit, t’u shmangeshin arinjve polarë, t’ia dilnin përballë dunave gjigante të rërës dhe xhunglave të pakapërcyeshme.

Kishte edhe një rrezik tjetër, më tinëzar e më pak fotozhenik se të tjerët, por që përbënte jo më pak kërcënim në aventurën e tyre – mërzia. Kjo ishte tejet akute në Antarktidë, ku, pasi kapërcyen Afrikën, grupi u detyrua të kalonte muaj i zhytur në terrin e akullt.

Sër Ranulph Fiennes dhe ekipi që kish mbledhur e ndërmorën udhëtimin në epokë jo aq teknologjike, sa sot. Nuk ishte lundrime satelitore; mesazhet nga kampi bazë dërgoheshin në kodin Mors nga bashkëshortja e Sër Ranulph-it, Ginny, e cila ishte e ngarkuara me komunikimin. As kishte tablete Kindles. Një pjesë e madhe e ngarkesës në bordin e Benjamin Bowring, akullthyesit të ekspeditës, ishin libra.

Përforcuar me këto rezerva, ekipi ndërmori dy aventura njëherësh – një të trupit dhe një të letrës, të dyja përfshinin kushte ekstreme, pamje të pafundme dhe klaustrofobi trazuese. Të dyja i zhveshën personalitetet e pjesëmarrësve dhe të dyja lanë shenjat e tyre.

Dete të huaj mendimi

Plani për Antarktidën ishte të kalonin një verë të shkurtër për t’iu bashkuar grupit kryesor – Sër Ranulph-it, Ginny-it dhe dy ish-anëtarëve të Shërbimit Special Ajror, Charlie Burton dhe Oliver Shepard—në rrafshnaltën antarktike, ku do të prisnin një dimër polar tetëmujor përpara se të niseshin për xhiron e kontinentit në pranverë. Ata ia dolën të krijonin vetë një guvë akulli prej 3 mijë metrash.

“Gërmova shumë dëborë, tunele, gropa dhe nevojtore”, kujton Sër Ranulph, tanimë 75 -vjeçar. Këmba antarktike “kërkonte një sasi të madhe kohe, kryqëzuar mbi harta. Por kishte plot kohë edhe për të lexuar dhe ne, lexuam shumë”.

Në Eton, i kishte mësuar frëngjisht David Cornwell, alteregoja e John le Carré: “Ai zhvilloi tek unë një dashuri jetëgjatë për letërsinë, tingullin e gjuhës së madhe.” Penguin, botuesi, i pat ofruar t’i sponsorizonte, shpjegon Sër Ranulph. Ai mori 50 vëllime nga autorët klasikë anglezë – Dickens, Scott, Thackeray dhe Trollope (“Dickens ishte gjithnjë si të ktheheshe në shtëpi”).

Nga ana e tij, Burton u kërkoi një kuti me autorë perëndimorë. Z.Shepard ndërkohë do të thoshte: “vështirë se kisha lexuar para se të nisesha”. Përpara ekspeditës kishte punuar në tregtinë e verës; tashmë jeton në Francë. “Por ishim në një kasolle sa hangari i një kopshti”, kujton ai dhe leximi “ishte e vetmja mënyrë arratisjeje që kisha”.

Parapëlqimet e tij ishin historitë epike të aventurave, që zhvilloheshin kundrejt një peizazhi armiqësor dhe të rrezikshëm. E lexova trilogjinë “Kryezoti i Unazave” shtatë herë”, thotë z.Shepard. “Dukej aq e ngjashme, me atë që kishim vendosur të ndërmerrnim”.

Ai beson se angazhimi i tij i zgjatur me letërsinë, i ka lënë një mbresë të madhe në kohë. Më shumë sesa një shmangie, “më futi në shtegun e lexuesit të zellshëm”. Ai kujton “Lufta dhe Paqja” dhe Kafkën si “vepra të vështirë” por “që ia vlejtën”. (Ginny Fiennes u nda nga jeta më 2004-n, Burton më 2002-shin.)

Të paktën, ekuipazhi i ekspeditës kryesore ishte pjesërisht i zënë nga parashikimi i shtegtimit polar. Ekipi kishte ngritur edhe një kamp tjetër, në buzë të Oqeanit Jugor, mbushur me akuj. Aty, dy burra të rinj, Anto Birkbeck dhe Simon Grimes, ishin caktuar të ruanin karburantin dhe ushqimet, që do i dërgoheshin Sër Ranulph-it dhe kolegëve të tij, kur dimri të kish mbaruar.

Në atë kohë, z.Birkbeck, i cili tani është menaxher fondesh, ishte vetëm 22 vjeç dhe sapo kish dalë nga universiteti; ai përqafoi mundësinë për të kaluar një dimër ekzotik në terrin polar. Ai dhe z.Grimes, që nuk ishin takuar më parë, u vendosën në një kasolle edhe më të vogël se të kolegëve, në rrafshnaltë. Kishte dy shkrimore, dy krevate marinari dhe mbi 200 libra.

“Kasollja jonë ishte një flluskë në rastin e akullin, milje bardhësi e sheshtë me qindra metra akull nën ne dhe qielli mbi kokë dhe deti përtej”, kujton z.Birkbeck.

Këto ishin rrethana jonormale dhe siç dolën më vonë, të rrezikshme, “Sa më shumë mendoj rreth saj, aq më e çuditshme më duket të parkohesha në një kuti me libra shumë të mirë dhe ide të mëdha…Përfundon duke parë shumë thellë në Syrin e Sauronit, “antagonisti i keq i “Kryezotit të Unazave”.

Z.Birkbeck nisi një plan të qartë për ditët e tij; një orë fizkulturë në mëngjes, ndjekur nga një orë fizikë, një orë studime të spanjishtes dhe më pas një orë lexim poezish. Pjesa tjetër e ditës do të kalohej me një roman. “Ndërsa dimri trokiti, romanët fituan terren. Zgjohesha në mesditë dhe vetëm sa lexoja një roman derisa bija për të fjetur.”

U kishte kërkuar miqve t’i rekomandonin librat që do të zgjidhnin nëse do të banonin në ishuj të shkretë dhe sipas rregullit ia doli me Tolstoy, Hardy dhe George Eliot, plus “Don Kishoti”, “Njëqind Vjet Vetmi” dhe “Uliksi” i Joyce, si edhe “Odiseja” e Homerit. Po ashtu dhe poezi (Chaucer, Milton, T.S. Eliot dhe “Sër Gawain dhe Kalorësi i Gjelbër ”), kishte filozofi (Nietzsche, Hegel, Bertrand Russell dhe Aristoteli). Dhe pothuaj fatalisht, lexoi Dostojevskin.

Pati një çast, nga fundi i dimrit, ku z. Birkbeck sapo pat lexuar “Krim dhe Ndëshkim” dhe e gjeti veten duke ndjekur z.Grimes, në akull. Në kujtesën e tij, ngjarjet e asaj dite tanimë janë të errëta. “E kam të vështirë ta di nëse ishte pjellë e imagjinatës sime apo jo”, thotë ai, “Nuk ka dyshim se nëse i vendos dy njerëz në një kasolle me përmasat e një karvani dhe i mbyll aty për nëntë muaj, do të prodhosh ndrydhje të madhe”, për të cilën “personi tjetër është fokusi i dukshëm”

Në atë ditë, “nuk mbaj mend nëse patëm grindje, por kujtoj se isha shumë i irrituar prej tij”, kujton z.Birkbeck, duke shtuar se kishte një sëpatë akulli në dorë, ndërsa e ndoqi shokun e kasolles, nëpër bardhësi. “Mbaj mend se kisha të ngulitur në mendje Raskolnikovin dhe mendoja rreth vrasjes së tij në gjakftohtësi”, të cilën anti-heroi i Dostojevskit e kryen me një sëpatë. Në të njëjtën kohë ai kishte ngritur pyetjen nëse e mira dhe e keqja ekzistonin vërtet. “Nuk e di në të vërtetë nëse z.Grimes ishte në rrezik apo jo.”

Tani, kur e mendon pas katër dekadash atë që e quan “Aventura personale e Djemve”, z.Birkbeck thotë se përvoja ishte “më e fuqishme dhe kuptimplotë” sesa e kishte kuptuar ai. Me vitet dy tiparet e përfshira, një mendore dhe tjetra fizike, secila formuese në mënyrën e vet, kishin arritur të pajtoheshin dhe mjegulloheshin. “Nuk ka të bëjë vetëm me Polin e Jugut”, përmbyll ai. “Ka të bëjë edhe me Dostojevskin dhe James Joyce” dhe me “fuqinë e përjetshme të librave të mëdhenj”.

The Economist

SHKARKO APP