Malësia e Madhe vlerëson Ramiz Likën, Gjek Marinajn, Sokol Zekajn me titullin, “Qytetar Nderi”
Bashkia Malësia e Madhe ka vlerësuar, veprat, kontributet dhe emrat që nderuan dhe lartësuan këtë thesar të paçmim, që kjo trevë e pushkës dhe dijes, urtësisë dhe besës, i ka dhënë kauzave të larta të atdhetarisë. Me propozim të kryetarit të bashkisë Malësi e Madhe z.Tonin Marinaj, këshilli bashkiak miratoi dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për:
- Ramiz Lika, me motivacionin: “Për vlera të pamohueshme si arsimtarë i dalluar si dhe në fushën e krijimtarisë letrare, atë përkthyese dhe publicistike me kontribut në lartësimin e trevës sonë Malësi e Madhe dhe më gjërë”.
- Gjek Marinaj, me motivacionin: “Për vlera të pamohueshme në fushën e krijimtarisë letrare, atë përkthyese dhe publicistike me kontribut në lartësimin e trevës sonë Malësi e Madhe dhe më gjërë”.
- Sokol Zekaj, me motivacionin: “Për vlera të pamohueshme në fushën e krijimtarisë letrare dhe publicistike me kontribut në lartësimin e trevës sonë Malësi e Madhe dhe më gjërë”.
Ky vlerësim shënon mirënjohjen që rezervohet për këto emra, vepra e të cilëve bëri që Malësia e Madhe të njihet jo vetëm si vendi ku ata lindën, por edhe bekimi që ata morën, për ta lartësuar atë që ata patën të shtrenjtë dhe shenjtë; artin, dijen, krijimin. Ramiz Lika, Gjek Marinaj, Sokol Zekaj janë disa nga ato personalitete, të cilët me krijimtarinë e tyre vunë një gurëthemel të qenësishëm në traditën e arsimit dhe letërsisë shqiptare.
Është kontributi i këtyre emrave, i këtyre vlerave, i kauzës që ata ju përkushtuan me pasion dhe devocion, që pushteti vendor i Malësisë së Madhe motivoi që t’i nderonte ata me një mirënjohje të tillë, që është para së gjithash një shërbesë që i bëhet dijes dhe artit, krijimtarisë dhe letërsisë, e cila krenon malësorët dhe pasuron njohjen tonë për këto emra dhe punën e tyre të palodhur.
Malësia e Madhe duke i çmuar, Ramiz Likën, Gjek Marinajn, Sokol Zekajn, ka lartësuar titullin “Qytetar Nderi” duke vitalizuar ato aspirata që shndërruan në besim këto personalitete të rëndësishme të arsimit dhe letërsisë.
Nga Albert Vataj