Më 10 prill 1972, një natë kur lotët e Charlie Chaplin u bënë po aq të çmuar sa e gjithë kinemaja

Nga Albert Vataj
Një shpërfaqje që të bën ta ndjesh në çdo thërrime zjarri të përjetimit këtë shkreptimë, në kujtesën e kinemasë. Ta ndjesh si një valë që të përplas dhe të lë pa frymë, siç u lëkund edhe zemra e atij gjigandi nën peshën e dashurisë njerëzore.
Ishte 10 prill 1972, në Dorothy Chandler Pavilion, Los Angeles, kur koha kishte mbuluar kujtimet me një pluhur malli e keqkuptimesh, kur Chaplini kishte kaluar më shumë se një çerek shekulli larg vendit që dikur e ngriti, dyert e Hollywood-it u hapën si portat e një faltoreje që pret kthimin e profetit të saj.
Ai nuk u kthye thjesht si një artist që kërkon vendin e humbur; ai u kthye si një legjendë e gjallë, si një plagë e dikurshme që duhej shëruar, si një dashuri që më në fund guxon të rikthehet në shtëpi.

Kur Charlie Chaplin doli në skenë atë mbrëmje për të marrë Oskarin e Nderit, nuk ishte një njeri që ecte… ishte vetë historia e kinemasë që po vinte drejt altarit të saj.
Ai, burri që e bëri botën të qeshte me një shikim, me një përkulje kapeleje, me një hap të çuditshëm e të përkorë, u gjend papritur në qendër të një deti njerëzish që u ngritën në këmbë si të ishin një trup i vetëm.
Ata ishin aktorë, regjisorë, producentë, shkrimtarë, mjeshtër të dritës dhe të hijes. Të gjithë. Ata që i dhanë frymë ëndrrave të ekranit, ata që mbanin në duar timonin e një industrie të tërë. Dhe për dymbëdhjetë minuta të plota, që në botën e emocioneve janë një përjetësi, ata duartrokitën pa pushim. Duartrokitën siç duartrokitet një njeri që nuk i përket më vetëm artit, por shpirtit njerëzor.

Duartrokitën derisa duart u skuqën, derisa ajri u mbush me një ritëm që ngjante si zemra e një gjigandi që rrihte fort nga dashuria e papritur. Ishte ovacioni më i gjatë në historinë e Çmimeve të Akademisë. Një uragan admirimi, një stuhi mirënjohjeje që rrëzonte çdo mur heshtjeje e padrejtësie.

Dhe Chaplini… ai që për dekada kishte mbajtur botën pezull mes një buzëqeshjeje dhe një loti, tani ishte ai që s’dinte si të fshinte lotët e tij. Aty, nën dritat e skenës, ai që nuk kishte nevojë për fjalë për të prekur zemrat, mbeti pa fjalë. Lotët i rrëshqitën faqeve si ujëvarat e një mali të madh që dridhet nga një tërmet i brendshëm. Ai mal u lëkund, por nuk u shemb; ai qeshi përmes lotëve, duke mbajtur në duar jo një çmim, por gjithë dashurinë e një bote që i thoshte më në fund:
“Ju shohim. Ju falënderojmë. Na vjen keq.”
Ishte një homazh.
Ishte një pendesë e përulur.
Ishte një lloj lutjeje që Hollivudi ia drejtoi artistit që e kishte bërë kinemanë të ketë shpirt.
Një letër dashurie për mjeshtrin e heshtjes, që diti të fliste me gjuhën e gjithë botës.
Një çast që mbeti i përjetshëm, një mbrëmje kur historia, emocionet dhe drejtësia u përqafuan në skenë, nën dritat që s’ndriçuan thjesht një njeri, por një epokë të tërë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?