Në orën 20:00 koncerti “Note d’amore italiana”, në ish-Bllok. Veliaj: Ju presim të gjithëve aty
Dashuria nuk ka ditë, nuk ka datë e as kohë. Ndaj, si një festë për dashurinë, Bashkia e Tiranës organizon mbrëmjen e sotme “Note d’amore italiana”, ku muzika e Adriano Celentanos, Lucio Battistit, Eros Ramazzottit, Vasco Rossit dhe shumë të tjerë, do të vijnë në një koncert live nga Rovena Dilo, Renis Gjoka, Eranda Libohova dhe Lorenc Hasrama, në zonën e ish-Bllokut.
Pak para këtij koncerti, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i priti në një takim artistët që do të ngjiten në skenë, prej ku ftoi të gjithë qytetarët që të jenë pjesë e mbrëmjes magjike. “Do të kemi një fundjavë fantastike në Tiranë. E fillojmë sot në orën 20:00 në ish-Bllok, tek Rr. “Vaso Pasha”, aty ku është bar “Rovena” dhe energjitë pozitive të Tiranës sonë, me një koncert të titulluar ‘Note d’amore italiana’. Jemi lidhur me muzikën, me stilin, me pasionin që na vjen nga Italia, dhe kemi zgjedhur këtë temë për të festuar bashkë me miqtë italianë që janë në Tiranë, dhe sigurisht me çunat dhe gocat e Tiranës, me këngëtaret më të mira dhe këngëtarët më të mirë”, tha Veliaj.
Ai shtoi se ky qytet ka nevojë për energji pozitive dhe dashuri. “Do të kalojmë bukur sot. Ka qenë një ditë plot diell në Tiranë dhe s’ka asnjë arsye pse mos ta mbyllim me energji të mirë në darkë. Ju presim të gjithëve në orën 20:00 në ish-Bllok. Unë do jem aty bashkë me familjen time, sepse besoj që ky qytet ka nevojë për energji pozitive, për mirësi dhe dashuri. Kalojmë kaq shumë kohë duke u shqetësuar për gjëra që s’kanë fare vlerë, sikur të kalonim më shumë kohë duke u përqafuar dhe dashuruar njëri-tjetrin, mund ta çojmë Tiranën akoma më lart”, theksoi Veliaj.
Thirrjes së kryebashkiakut iu bashkuan edhe dy këngëtaret e dashura për publikun shqiptar, Rovena Dilo dhe Eranda Libohova. “Sot është 15 shkurt, por ditë dashurie janë të gjitha ditët e vitit. Pra, nuk ka rëndësi nëse e bëmë dje, e bëmë sot, “Note d’amore italiana” mund të jetë “Note d’amore albanese”, angleze, gjithçka. Ne me këngë do t’ju urojmë dhe t’ju dëshirojmë të jeni gjithmonë të dashuruar edhe në ditën e sotme, dhe nesër, dhe gjithë vitin. Mirëardhshi sot në orën 20:00”, tha Rovena Dilo.
Duke siguruar qytetarët për spektaklin, Eranda Libohova u shpreh se për këtë koncert është zgjedhur një repertor tepër i pasur. “Dashuria është gjuha universale, kështu që ju presim atje sot. Kemi zgjedhur repertor shumë të bukur italian, ndaj do kënaqeni”, tha Libohova.