Në përvjetorin e tretë të ndarjes nga jeta të Mimika Lucës, gruas protagoniste që fisnikëroi roleve episodike
Nga Albert Vataj
Në përvjetorin e tretë të ndarjes nga jeta të Mimika Lucës, gruas protagoniste të roleve episodike, ne nuk kujtojmë një figurë të zbehtë në sfondin e ekranit, por një prani që e përmbyste vetë kuptimin e “episodikes”. Ajo ishte dëshmia se arti i madh nuk ka nevojë për kohë të gjatë në skenë për të lënë gjurmë të pashlyeshme. Mjafton një vështrim, një frymëmarrje e ngarkuar me ndjenjë, një fjalë e thënë me të vërtetë, që të kurorëzohet madhështia e një gruaje që e fisnikëroi imazhin dhe e shenjtëroi misionin.
Në një kinematografi ku shpesh madhështia matet me rolet kryesore, Mimika Luca provoi të kundërtën, se një aktore e madhe mund ta kthejë edhe një paraqitje të shkurtër në një qendër graviteti emocional. Ajo nuk hynte në skenë për të plotësuar hapësirën, ajo e shndërronte atë në kreshtë kulmimi admirues. Nuk ishte thjesht pjesë e rrëfimit, ishte zemra e tij e fshehtë.
Tre vjet pas largimit, rolet e saj vazhdojnë të rrahin si puls i heshtur në kujtesën tonë kolektive. Sepse Mimika Luca nuk ishte protagoniste sipas renditjes në titra, ajo ishte protagoniste në shpirt, në peshën e ndjenjës që u jepte personazheve, në dinjitetin me të cilin e mbante çdo figurë në ekran. Dhe kjo është madhështia që koha nuk e zbeh, por e thellon.

Mimika dhe Ndreke Luca
Tre vjet më parë, më 21 shkurt 2023, në moshën 86-vjeçare u shua Mimika Luca, një prani që nuk ishte thjesht aktore, krahu i një fluturimi epik të artit skenik, Ndrekë Luca, por frymë e butë e një epoke, shpirtje delikate e një forcë të transformimit të gjendjeve dhe përjetimeve në kulmime shprehëse.
Ajo iku pa bujë, ashtu siç kishte jetuar, e përkorë dhe e përulur në madhështinë e një gruaje të madhe, të një nëne sakrifikuese dhe bashkëshorteje sfiduese. Iku me një qetësi që nuk ishte dobësi, por fisnikëri sepse ajo e fisnikëroi gruan në çdo hap që bëri, në çdo sipërmarrje ku vendosi rolin e saj të misionares. Iku me një përmbajtje thelbësore që nuk ishte tërheqje, por vetëdije për peshën e heshtjes. U shua një dritë të dritur në qiellin e artit shqiptar, por ajo dritë mbeti e ngulur në celuloid, në kujtesë, në atë amshim të padukshëm ku arti fiton mbi kohën.

Ajo i përkiste asaj plejade krijuesish që, mes kufizimeve, censurës dhe mbikëqyrjes ideologjike, ndërtuan tempullin e kinematografisë shqiptare. Ishte një brez që nuk e pati luksin e lirisë, por pati luksin e pasionit, që nuk pati hapësirë të plotë për të fluturuar, por pati kurajën të mos përkulej. Në themelet e atij tempulli janë djersët, sakrificat dhe shpirtrat e shumë artistëve, mes tyre edhe Mimika, që e skaliti emrin e saj jo me zhurmë, por me përkushtim.
Mimika Luca u dha amshimit si një nënë që përqafon heshturazi fëmijët e saj. Ajo ishte aktore, por mbi të gjitha ishte mishërim i një butësie që e tejkalonte rolin. Në ekran ajo nuk “luante” nënën, ajo e mëkonte atë. Në zërin e saj kishte drithërimën e kujdesit, në shikimin e saj kishte merakun, në gjestin e saj kishte një brishtësi që të bënte të besoje se arti është, para së gjithash, akt dashurie.
Ajo nuk do të vijë më të festojë ditëlindjet apo kremtet familjare, as të ngjisë shkallët e pallatit ku jetonte, me atë çapitje të lehtë e të njohur. Nuk do të dëgjohet më kumbimi i butë i zërit të saj në përditshmërinë e atyre që e deshën. Por mungesa e saj është fizike, vetëm fizike, sepse prania e saj është e pashlyeshme dhe imazhi që nguliti në kujtesë dhe adhurim është i pashpërbëshëm.
Në ekran, ajo mbetet e gjallë. Te “Detyrë e posaçme” (1963) dhe “Kryengritje në pallat” (1972), te Laja në “Kur hidheshin themelet” (1978), te nëna e Anës në “Në shtëpinë tonë” (1979), te Drita në “Zambakët e Bardhë” (1983), te drejtoresha e shkollës në “Nxënësit e klasës sime” (1984), te edukatorja në “Taulanti kërkon një motër” (1984).
Spikat me delikatesën e një nëne të ve në komedinë “Shi në plazh”, me shpirtin e thellë në “Të shoh në sy”, si nëna e Marigosë në legjendaren “Përrallë nga e kaluara”, si nëna e Etlevës në “Treni niset më shtatë pa pesë”. E paharrueshme mbetet edhe si Shega në “Rrethimi i vogël”, si Leni në “Botë e padukshme”, dhe në “Viktimat e Tivarit”.
Mund të thuhet se shumë prej roleve të saj nuk ishin protagoniste në kuptimin dramatik, por ishin thelbësore në kuptimin shpirtëror. Ajo dëshmoi se madhështia e një aktoreje nuk matet me kohën në ekran, por me intensitetin e së vërtetës që ajo arrin të ngulitë në kujtesën e publikut. Mimika Luca e bënte çdo rol qendror, sepse e mbushte me zemër.
Ajo ishte një vetvete e patëdytë në kinematografinë shqiptare: integritet i pastër, ambicie e heshtur, përkushtim i palëkundur. Karakteri i saj, i brishtë në dukje, por i fortë në përmbajtje, i dha artit tonë një model aktoreje që nuk e kërkoi madhështinë, por e mishëroi atë.
Sot, në këtë trevjetor, nuk përkujtojmë vetëm një artiste. Përkujtojmë një mënyrë të të qenit në art: me ndershmëri, me përulësi, me dashuri. Mimika Luca nuk është thjesht pjesë e historisë së filmit shqiptar; ajo është një prej atyre figurave që e bëjnë historinë të ketë shpirt.

Dhe nëse qielli i artit tonë ka yje, ajo është njëri prej atyre që ndriçon jo me zjarr të fortë e kalimtar, por me një dritë të butë, të qëndrueshme, si zëri i saj, si shikimi i saj, si zemra e saj.

KOHA JONË SONDAZH

