Kalo te përmbajtja
Koha Jone Logo
  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Politikë
  • Kosova
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Sporti
  • Shqip
  • English
Lexo në app
  • Shqip
  • English
  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Politikë
  • Kosova
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Sporti
  • Lajme
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Forum
  • WebTV
  • Editorial
  • Kosova
  • Rajoni
  • Bota
  • Sporti
  • Ekonomi
  • Showbiz
  • Kultura
  • Shëndeti
  • Teknologji
  • Intervista
  • Kronikë
  • Turizëm
  • Sociale
  • Historiku
Lajmet e fundit

Gazeta "KOHA JONË" themeluar si e pavarur më datë 11 Maj 1991
Botues: Nikoll LESI. Adresa e redaksisë: Rruga "Sami Frasheri", Pallatet e Aviacionit të Vjetër Nr. 2, TIRANA - ALBANIA

Site by

Opsionet e pamjes

Pamje shembull E hënë, 23 Nëntor 2026, 09:01 Spiunazhi kinez: dyshohet për lidhje gruaja e ish-kreut të Nvidia-s Agjencitë amerikane të inteligjencës dyshojnë se Alice Huang, e lidhur me ish-drejtorin e Nvidia-s Jensen Huang, kishte kontakte me Ministrinë e Sigurisë Shtetërore të…
Pamja e bardhë/e zezë
Madhësia e tekstit
  • Në trend
  • Erion Veliaj
  • Inter
  • Liverpool
  • Qafë Thanë
  • Trump
  • Elisa Spiropali
  • Xhensila Myrtezaj
  • Peshku i verdhë
Lajmet e fundit
Në trend
  • Erion Veliaj
  • Inter
  • Liverpool
  • Qafë Thanë
  • Trump
  • Elisa Spiropali
  • Xhensila Myrtezaj
  • Peshku i verdhë
KOHA JONË Lajmet e fundit, gjithmonë me ju
Instalo

Një shkrim i Konicës për murtajën: “Njerëzit binin porsi miza

Kultura E mërkurë, 25 Mars 2020 15:04
Një shkrim i Konicës për murtajën: “Njerëzit binin porsi miza
Shto te burimet e preferuara

Shpërnda

Facebook WhatsApp Email X

Nga Fotaq Andrea –

Ky titull i frikshëm, me frazeologji të fuqishme dhe tone plot tragjizëm, à la Boccaccio, buron drejtpërdrejt nga pena erudite dhe enciklopedike e Faik Konicës. Është nxjerrë nga një shkrim i tij botuar te almanaku “Kalendari i Maleve”, Bruksel, 1900, ku jepet njëfarësoj historiku i shpejtë i përhapjes së murtajës dhe të sëmundjeve të mëdha në botë e në Shqipëri gjatë të shkuarës, mbi bazën e hulumtimeve të thella që Konica bënte në do “libra të moçëm”, siç e thotë edhe vetë, duke përmendur në veçanti librin referencial Historia politica et patriarchica Costandinopoleo. Epirotica. MDCCCXLIX. Veçse, përtej tragjizmit real të pandemisë që shkaktojnë sëmundjet ngjitëse me përmasa korrëse (në parantezë, a nuk personifikohet vetë vdekja mitologjikisht me një skelet njeriu dhe kosë në dorë?), Konica nuk mungon të nxjerrë në pah dy faktorët themelorë për parandalimin dhe ndalimin e pandemisë: së pari, “Kujdesin e guvernave” (qeverive), ku domosdo nënkupton masat e rrepta në shoqëri me kufizme të mëdha në lëvizjen dhe në kontaktet e njerëzve, dhe së dyti, “Fuqinë e shkencës”, siç shprehet ai, për t’i bërë ballë rrezikut të përgjithshëm shkaktuar nga “sëmundje e tutshme”.

Shkrimi i Konicës, me vezullim perle, mjaft i ngjeshur dhe plot brum të tharmë, me stil të prerë e të shpejtë, shfaq ethshëm zezonën pandemi, tablonë e zymtë të burimit të sëmundjeve epidemike, evolucionin e tyre marramendas, me pasojën alarmante, vdekjeprurëse, të korrjes mizore të jetëve njerëzore. “Njerëzit binin porsi miza”, thotë në mënyrë tronditëse Konica. A nuk përmban kjo shprehje e lashtë, me originë nga Mesjeta e hershme, përtej idesë që njerëzit vdisnin masivisht (apo mizërisht e mizorisht, do thoshim në shqip për një konotacion edhe më të fuqishëm), vetë kuinesencën e pamundësisë më të madhe njerëzore përpara sëmundjes gjëmëmadhe, virale a bakteriale, pamundësi për t’i ardhur sadopak në ndihmë vetvetes apo tjetrit, tek sheh vdekjen me sy hapur, me mushkri të asgjësuara dhe imunitet të shterur? Palé që një pamundësi e tillë njerëzore arrin kulmin e vet kur nuk ke faktikisht kurrfarë mundësie as për t’u ndarë për herë të fundit nga njerëzit më të shtrenjtë, që shkëputen mynxyrshëm nga gjiri i familjes, të vetmuar, të braktisur mes tubave oksigjenues, tek i sheh me sytë e mendjes të ikin ashtu, aq papritur, në kohët moderne, mes asaj që do ta cilësonim në këtë rast “çnjerëzorja/njerëzorja e arsyeshme e faktit izolim” për shmangie të infeksioneve dhe rrezikut epidemik. Dhe të pikon në shpirt të mendosh që njeriu tënd më i dashur, dhe kushdoqoftë nga kapitali NJERI, i infektuar rëndë, që kërkon thjesht të marrë pakëz ajër, pakëz frymë, me mushkri të nxjerra jashtë funksionimit, ikën kësisoj i vetmuar, i braktisur, me sy të etur për dashuri jete që fatalisht i shuhet në çastin fatal.

Reklamë Reklamo në Koha Jonë
Reklamë Reklamo në Koha Jonë

Andaj, sot, në pandeminë mizore covid19 merr një kuptim më të veçantë, human, në shkallë të epërme, shprehja morale, shumëpërmasore e Sokratit “Njih vetveten ti vetë”, që do të thotë në rastin tonë : njeri, ndërgjegjësohu përpara rrezikut, ndërgjegjësohu për vetveten, për të tutë, për shoqërinë! Sepse koronavirusi nuk është shaka prej leshkoje, është hata! Dhe kur je i ndërgjegjësuar, shprehja e Sokratit merr një kuptim edhe me të thellë tek shpalos krejt ndjenjën e vetëdijes dhe të solidaritetit të fuqishëm njerëzor: “unë jam unë, unë jam tjetri”, që do të thotë: “jam unë që kam në dorë jetën time, jam unë që kam në dorë jetën e tjetrit”; dhe për këtë, më duhet të izolohem, më duhet të vetizolohem! Për më tepër që, në shoqërinë tonë, shprehja merr kuptim edhe më të thellë tek sheh ndoca kapadainj shqipo, me cigare në gojë – ata të tipit të “honxhobonxhove, xhuxhubocëve e xhixhillimëve” siç thotë Konica për njerëzit mendjemykur, mediokër e sharlatanë -, të gjezdisin shpërfillshëm bulevardit e rrugëve si gjeli majë çatisë mes virusit pandemik, apo më keq, si ajo fabula e dikurshme e atij këmishëzbërthyeri majë skodës karakatinë që “fluturonte” mes rrapëllimës e që thosh: “Fry moj erë në gjoks të beqarit!” Dhe kur era ia dha “zotërisë” së tij brinjë më brinjë, mes lëngatës e temperaturës së lartë nga të ftohtit që mori, ai tha: “Ç’deshe mojë erë që u more me një copë jevg!” Kuptohet morali i fabulës në këtë rast: ku era, dhe ku covid19!

ReklamëSwiss DigitalReklamo në Koha Jonë

Në përfundim, dhe në nderim të thellë, një heqje kapeleje për bluzat e bardha, një duartrokitje moderne masive nga ballkonet e godinave për ta dhe për tërë ata që në krye të detyrës, sfidojnë vdekjen, në emër të jetës, për t’i thënë ndal njëherë e mirë korrjes njerëzore të koronavirusit. Dhe… me sëmbim në zemër, me lot në sy, sjell sot ndër mend, tim atë, Dr. Llazi Andrea, epidemiolog, infeksionist e higjenist ushtarak që, pas 30 vjetësh pune këmbëngulëse kërkimore, studiuese e shkencore në Laboratorin e Spitalit Ushtarak, u flijua në krye të detyrës në mesin e viteve ’80, pas një infeksioni të rëndë viral, që e mbërtheu në Shishtavec të Kukësit, duke luftuar me thonj për të sjellë në jetë një ushtar në lulen e rinisë me temperaturë 42°C e viruse të fuqishme.

Mund t'ju interesojë

NASA zbulon të dhëna të reja për mundësinë e ekzistencës së jetës aliene në sistemin tonë diellor

NASA zbulon të dhëna të reja për mundësinë e ekzistencës së jetës aliene në sistemin to...

20 Nëntor 2026, 17:31
400 vjet nga shugurimi Katedrales së Shën Pjetrit në Romë

400 vjet nga shugurimi Katedrales së Shën Pjetrit në Romë

19 Nëntor 2026, 08:40
Sadik Bejko: Shënime dhe mbresa nga “Oxhaku i Këlcyrës” i Mero Bazes

Sadik Bejko: Shënime dhe mbresa nga “Oxhaku i Këlcyrës” i Mero Bazes

18 Nëntor 2026, 22:04

FAIK KONICA

Murtaja dhe sëmundjet e mëdha në Shqipëri në kohët e kaluara

Në shkollat e mjekësisë rrëfejnë se të katër sëmundjet e mëdha që kanë korrë papushim njerëzinë nëpër brezat e vjetëve, e kanë të gjitha burimin në grykat e do lumenjve të mëdhenj e në baltërat e ndyra që i rrethojnë. Kolera ka marrë gjithmotin burim në grykë të lumit Gang, në Hindustan; tifuzi [tifoja] në grykë të Tunës; ethet e verdha në grykë të Misisipit; e murtaja në Nil e në Indokinë.

Kjo sëmundje e tutshme, mbas shumë vjetësh mungimi, filloi të shfaqej më 1899 në Skënderie, në Lisbonë dhe – e thonë me zë të ulët – në Anversë të Belgut, në Paris e në Portsmouth. Kujdesi i guvernave, i ndihmuar me fuqinë e shkencës do t’i dalë zot – na mban uzdaja – këtij rreziku të përgjithshëm, e që tash duket se sëmundja e tutshme zuri të pakësohet në atë vend ku kish rënë.

Sido në qoftë, për të plotësuar dëshirën që kanë ligjëruesit për të gjetur në një kalendar të mirë përmendje [historike] për ndodhira të vitit, u munduam dhe gjetëm në do libra të moçme vitet e rënies së murtajës në Shqipëri.

Më 1368, ra në Janinë një murtajë e madhe, e u hap deri në Berat.

Më 1374, ra murtaja në Nartë,  dhe vdiq kryezoti i vendit Pjetër Llosha.

Më 1375, murtaja goditi prapë Janinën, dhe vdiq zonja Irena, e bija e dukës së Janinës.

Më 1736, ra në Janinë një murtajë e tutshme, të cilën e pruri nga Vllahia një gunar i emëruar Zamari. Vdisnin vetëm brenda në Janinë 50 a 60, e shpesh edhe 80 veta përditë. Kjo murtajë filloi të korrë në muaj të Frorit e u mbajt deri në ditë të Shën Mitrit.

Më 1814, ushtarë shqiptarë të sulltanit, duke u kthyer nga Misiri, sollën një murtajë të madhe që ra, e rreptë e e tutshme, në Shkodër, në Ipek [Pejë], në Durrës, në Vlorë, në Janinë, dhe më tepër në Delvinë. U mbajt deri më 1819, dhe bota binin porsi miza.

Etiketat e lidhura

Fotaq Andrea
Shto te burimet e preferuara

Shpërnda

Facebook WhatsApp Email X

Më të fundit

Spiunazhi kinez: dyshohet për lidhje gruaja e ish-kreut të Nvidia-s
Para 10 minutash

Spiunazhi kinez: dyshohet për lidhje gruaja e ish-kreut të Nvidia-s

Elisa Spiropali: Unë nuk e pëlqej restorantin, nuk e ha koranin, as havjarin! Dua byrek me spinaq….
Para 33 minutash

Elisa Spiropali: Unë nuk e pëlqej restorantin, nuk e ha koranin, as havjarin! Dua byrek me spinaq….

Investimet teknologjike në Portugali arrijnë 910 milionë dollarë
Para 40 minutash

Investimet teknologjike në Portugali arrijnë 910 milionë dollarë

Kursi i këmbimit: euro blihet me 89 lekë, dollari me 80.8 lekë
Para 3 orësh

Kursi i këmbimit: euro blihet me 89 lekë, dollari me 80.8 lekë

Më të lexuarat

1 Erion Braçe: Erion Veliaj! Këtë herë e ke gabim!
Para 14 orësh

Erion Braçe: Erion Veliaj! Këtë herë e ke gabim!

2 Elisa Spiropali: Unë jam ajo që fryj erën, sjell shiun, lëshoj breshërin, ngre cunamin, thaj detet, rrafshoj malet…
Para 21 orësh

Elisa Spiropali: Unë jam ajo që fryj erën, sjell shiun, lëshoj breshërin, ngre cunamin, thaj detet, rr...

3 A do të shpallet me 28 Nëntor Lëvizja Studentore Kombëtare si forcë politike?
21 Nëntor 2026, 15:12

A do të shpallet me 28 Nëntor Lëvizja Studentore Kombëtare si forcë politike?

4 Pica në krizë? Sfidat e markave kryesore
Para 18 orësh

Pica në krizë? Sfidat e markave kryesore

Koha Jone Logo

E përditshme, e pavarur

  • Të fundit
  • Lajme
  • Aktualitet
  • WebTV
  • Rajoni
  • Bota
  • Sporti
  • Showbiz
  • Politikë
  • Forum
  • Kultura
  • Shëndeti
  • Editorial
  • Kronikë
  • Teknologji
  • Ekonomi
  • Turizëm
  • Sociale
  • Reklamo në Koha Jonë
  • Kontakt
  • Privacy Policy
Download on the App Store Get it on Google Play

Gazeta "KOHA JONË" themeluar si e pavarur më datë 11 Maj 1991
Botues: Nikoll LESI. Adresa e redaksisë: Rruga "Sami Frasheri", Pallatet e Aviacionit të Vjetër Nr. 2, TIRANA - ALBANIA

Site by
  • BOTUES & DREJTOR: Nikoll LESI
  • KRYEREDAKTOR: Daniel MUÇAKU
  • ZV/KRYEREDAKTOR: Redjon SHTYLLA
  • BORDI: Elsa KAMBERI, KRYETARE
  • NIPT: J71425013C

© 2026 KOHA JONE. All rights reserved.