Nxënësi i Kadaresë kujton si ia botoi poezitë shkrimtari i madh në ’85-ën

Poeti Ismet Mehmeti ka qenë dikur nxënësi i shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Ai ka një rrëfim interesant në lidhje me shkrimtarin, që e sjell për Suplementin “Rilindasi” të Shqiptarja.com. Ismet Mehmeti kujton një nga ditët më të bukura të jetës së tij, që e bëri të nisi edhe kërkimin e një reviste “Nëntori” të vitit 1985 nëpër arkiva apo antikuarë. Nuk la dy gurë bashkë derisa e gjeti.

Kjo revistë e 1985-s shënon një kujtim të bukur të Ismet Mehmetit me shkrimtarin e tij të adhuruar.  Ndërsa dëgjonte në ato vite me kërshëri leksionet e Kadaresë, Ismet Mehmeti tregon se:  “I ndrojtur i ofrova shkrimtarit Ismail Kadare një fletore me poezitë zhubrosur xhepave. Pas disa ditësh e pashë veten të botuar krahas atij në revistën “Nëntori” të vitit 1985, ku ishte botuar një nga novelat më të bukura të Kadaresë “Nata me hënë”. Ka qenë ky gjest i Kadaresë që më dha krahë të bëhesha poet e shkrimtar. Por udhët e jetës janë dredharake dhe më pas më hodhën në të tjera shtigje, nisa të merresh me diplomaci, politikë, biznes, e në brigje të tjera ndarjesh,  nën diej që s’duan të flenë. Por bashkë me telegramet dërguar nga deti, askush s’e  di, se në mendimet e mia flinte poezia, se ora e saj nuk kishte shkuar. Unë shpesh i kthehem dhe rikthehem dashurisë së time të parë, poezisë.”, rrëfen poeti Mehmeti.  Në këtë cikël poetik, ka pjesë nga cikli i parë i poezive botuar tek “Nëntori” 1985, por edhe disa poezi të krijuara ndër vite.

BUKUROSHJA E DURRËSIT  
-Meditim para Mozaikut te famshem antik-

Ish kaq e bukur,
sa dukej do të qante,
Nga sytë e menduar pikonin shekujt,
që e lanë nën pluhur.
Ish kaq e lumtur,
sa trëndafila po i çelnin mbi mollzat,
tek falenderonte njerëzit ,
që i kthyen diellin.
Kur ktheva kryet,
në sytë e ca vajzave,
e pashë,
…këndonte
Tiranë, shtator 1985

13.VDEKJA E DETARIT PLAK
Jeta e tij-me ujerat e lidhur,
Sa qe gjallë me detin u perlesh,
Megjithëse e deshi. prapë e luftonte,
Dhe deti e sulmonte,por prapë e desh.
Kur vdiq
dy pulëbardha, si dy telegrame dërguar nga deti,
erdhën në varrim.
U sollën në ajër,
qane,
dicka thanë në gjuhën e tyre,
se ç’fjalë thanë askush s’e di,
ndoshta tekstin e dhimbjes,
që i dërgonte deti..

Tiranë, shtator 1985

14. STUDENTJA
Ecën rrugës me një ëndërr që rritet si gjeth,
me një dritë në shpirt,një mendim të blertë,
me çantën shtrenguar,mbushur me zëra fëmijësh,
me një bisk të njomë dashurie në zemër,
qe sapo ka çelë.
Ty sonte dikush të pret,ora ka shkuar,
hapin nxiton trotuareve,të gjithëve u buzëqesh
ke kaq lumturi brenda vetes,dot s’e mban të gjithë,
njerëzve kërkon t’u thuash se je e dashuruar,
dhe  rritur dyfish.
Ty sonte dikush të pret,ora ka shkuar,
kupola e mimozës fishekzjare të verdhë për ju do lëshojë

pas vijnë zërat e shoqeve që ëmbël fëshfërijnë,
leksioni i orës së fundit, i hapur mbi komodinë,
ka mbetur.
Ty sonte dikush të pret,ora ka shkuar,
kufijtë e ditës zgjerohen,dielli s’don të flerë,
njerin sy do lerë jashtë të shohë lumturinë tënde,
lulet e pjeshkës që mbi faqet e tua
kanë çelë..

Tiranë,shtator 1985

 NATË E VETMUAR
C’ma solle në mendje atë natë të vetmuar?
(Të nesërmen ti do ktheheshe në qytetin tend jugor,)
Në mendje më mbetën avujt e nxehtë

Nga nata buronin, apo,ndoshta, nga buzët e tua..
E mbetur larg në atë fundgushti të harruar,
Pse gjumin ma prishe këtë natë?
Sonte me ngjan si një kantatë në gjuhë të huaj,
Që tekstin s’ia mësova dot kurrë..

ZËMËRIMI I BARDHË
Ti u riktheve përsëri tek unë,
Ose,ndoshta, unë u riktheva tek ti,
Malet e thinjur  s’e durojnë dot zëmërimin e bardhë,
Si dy plisa të çarë, të etur për shi..

VALBONA
Sykaltër,
Flokëkaltër,
Truphollë,
Me gjoks shkumëzuar..
Si vajze e brishtë,
Me Drinin,
Përjetë,
E dashuruar..

I MBLODHA VITET..
I mblodha vitet,
Si gurë tespijesh,
Me një fill të lidhur,
Një e nga një..
Njeri i lumtur,
Tjetri i hidhur,
Me një fill të lidhur:
Ky erdhi atë vit,
Ai vitin tjeter ka ikur..
Unë prapë aty,
Me fillin e tyre i lidhur.
Bashkë me të ardhurit,
Bashkë me të ikurit..
Vlorë, 10 nëntor 2017

10. NOVELË PËR NËNËN
Kur isha i vogël e mësova të shkruaj,
Të lexoj poetë, strofat të njoh, poezinë,
Të parat vargje të hedh në letër,
Të thjeshtë, fëminore, me rimë..
Si sot e mbaj mend atë kohë të largët,
Fëmije nëntë vjecar,me trup të brishtë,
Në dorë mbaja një fletore me vija,
Dhe një laps jeshil me gomë në bisht.
Në faqen e parë skicova titullin NENE,
Me gërma të mëdha, me gaz fëmije,
Në vargje ajo bëhej dhe diell, dhe hënë,
Me lapsin jeshil në fletoren me vija.
Dhe strofat shtoheshin çdo ditë, ngadalë
Për thinjat e saj,për mallin e fshehtë,
Sa herë e kam parë me dhimbje, trishtuar,
Kur lotët i binin si gjethet në vjeshtë.
E shtëpinë e vjetër një ditë e lamë pas,
Në fshatin fushor,tek ura në brinjë,
Disa orendi dhe pjata u thyen,
Une nxitova të merrja fletoren me vija.
Si kapitulli i paëe i një novele në dorëshkrim,
Ku personazhi zhvendoset në një sfond të ri,
Ashtu si ikin në vjeshtë dallëndyshet,
Për tu kthyer në pranverë përsëri.
Kështu dhe unë kthehesha tek fletorja me vija,
Novelën e Nënës për të vazhduar,
Lapsi jeshil si thinjat e mia,
Goma e ngrenë, si mjekërr e rruar.

 PUTHJA E EGËR

Anija u trondit fort prej shkëputjes, në bregun e ndarjes,
Silueta jote e heshtur, e mbetur atje larg,
(Duhej force e madhe përgjysëm të ndante mallin)
Puthja e egër, në castin e ndarjes u kthye në dallgë.
I mbetur vetëm në detin e hapur,
Me mallin e dikurshëm m’u gjende pranë,
Tej në horizont më bëhej të grindeshin dallgët,
Apo,ndoshta puthja e egër në bregun matanë..
Befas dëgjova zërin tënd nga bregu i ndarjes,
(Teksa anija bregut tjetër po i afrohej ngadalë),
-Mbamë me vete,hidhe në det mallin e vjetër,
Puthja e egër, tani që kthyer në valë..
UDHËTIM MBI DET
Mbrëmë, mbi vallëzimin e dallgëve, nuk fjeta,
Psherëtimat e tua në bregun e ndarjes më mbajtën zgjuar,
Puthjet e gjata litarë, hapsirës së kaltër ia mblodha,
Dhe i vura në duar.
Trishtimin e bëra lëmsh çeliku,
E shtrëngova në grusht dhe e lëshova në det si një ylber të përgjakur,
U trembën peshkaqenët, ti ktheve sytë,
Malli i tretur në grushtin e hapur kish mbetur.

Shtator 2017

Përgatiti për botim: Dhurata Hamzai

SHKARKO APP