Prof. Dr. Egesta Lopçi, krenaria shkodrane në mjekësinë bërthamore, hulumtuesja që premton shpresë për të sëmurët

Prof. Dr. Egesta Lopçi, krenaria shkodrane në mjekësinë bërthamore, hulumtuesja që premton shpresë për të sëmurët - Albert Vataj
Prof. Dr. Egesta Lopçi, krenaria shkodrane në mjekësinë bërthamore, hulumtuesja që premton shpresë për të sëmurët - Albert Vataj

Nga Albert Vataj
Në mozaikun e diasporës shkencore shqiptare, Prof. Dr. Egesta Lopçi shndrit si një yll që e ka marrë dritën e parë në Shkodrën e traditave dhe kulturës, në Shkodrën e emrave të mëdhenj të mjeksisë, për ta rrezatuar sot në një horizont ndërkombëtar. E lindur e rritur në qytetin e Rozafës, ajo ka ditur ta mbajë të gjallë lidhjen me rrënjët e saj, ndërsa ka ngritur një karrierë të jashtëzakonshme në Itali, ku mbi dy dekada kontribuon si mjeke, pedagoge dhe hulumtuese në vijën e parë të betejës kundër kancerit.
Me një formim akademik brilant në Universitetin e Bolonjës, ku u diplomua me rezultate maksimale në Mjekësi (2006), dhe më pas me specializim e doktoraturë në mjekësinë bërthamore dhe patologjinë tumorale të mushkërive, ajo shndërroi dijen në mision. Ekspertiza e saj në përdorimin e PET-it (Tomografia Pozitronike) ka qenë thelbësore për zbulimin e karakteristikave molekulare të tumoreve, duke hapur udhën e terapive të personalizuara, aty ku jeta e pacientit lidhet me nuancën më të hollë të shkencës.

Si mjeke pranë Spitalit Humanitas në Milano, një ndër institucionet më të njohura në Itali për kërkime të avancuara, dhe pedagoge në Universitetin “La Sapienza” në Romë, ku ligjëron hematologjinë pediatrike, ajo ka treguar se shëndetësia dhe arsimi mund të ecin bashkë, duke u bërë ura që lidhin dijen me shpresën. Puna e saj në Shoqatën Europiane të Mjekësisë Bërthamore (EANM), ku është anëtare e Komisionit Etik dhe Pediatrik, dëshmon se misioni i saj shkon përtej kufijve, duke i dhënë zë dhe dinjitet shkencës shqiptare në arenën europiane.
Kontributi i Prof. Dr. Egesta Lopçi nuk është i kufizuar vetëm në praktikë e kërkim, por edhe në literaturën akademike. Ajo është autore e librit universitar “Compendio di Diagnostica Medico Nucleare”, një tekst themelor që orienton studentët dhe profesionistët në diagnostikimin e sëmundjeve tumorale. Së fundmi, një çmim ndërkombëtar e ka kurorëzuar përkushtimin e saj në luftën kundër kancerit, duke e renditur mes studiuesve më të spikatur në këtë fushë.

Në vitin 2015, Bashkia Shkodër i akordoi titullin “Mirënjohje”, si shenjë respekti dhe nderimi për arritjet e saj, duke e përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet dhe krenari. Në fjalët e saj gjen një urë mes dijes dhe humanizmit: “Pa hulumtime shkencore, në çdo dy sekonda mund të vdiste një njeri nga kanceri deri në vitin 2030”. Një thirrje që tejkalon shifrën dhe shndërrohet në alarm, në kushtrim, në një testament të pasionit për jetën dhe përpjekjes së pandalshme.
Por Egesta Lopçi nuk është vetëm shkencëtare. Ajo është një grua që ka ruajtur me krenari identitetin e saj kulturor dhe fetar, duke treguar se përkushtimi, dijet dhe besimi nuk janë në kundërshti, por mund të bashkëjetojnë si shtylla të një jete të ndërtuar mbi vlera. Ajo është shembull i një udhëtimi të gjatë, ku Shkodra e ka nisur, Italia e ka përkrahur, dhe bota sot e nderon.
Prof. Dr. Egesta Lopçi është patjetër një model frymëzimi për vajzat shqiptare dhe për të gjithë ata që besojnë në fuqinë transformuese të dijes dhe të shpirtit njerëzor.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?