Sharl Bodler, alkimisti i shpirtit njerëzor, ai që mbrujti baltën dhe e bëri flori

NE PERVJETORIN E NDARJES NGA JETA TE SHARL BODLER
Nga Albert Vataj
Sharl Bodler, poeti që shndërroi baltën në flori, mbetet një nga figurat më të ndritura të letërsisë franceze. Ai nuk ishte thjesht krijues i vargjeve, por alkimist i shpirtit, që përmes fjalës poetike sfidoi moralin, estetikën dhe vetë kohën. Krijimtaria e tij shënoi lindjen e modernizmit, duke trazuar ujërat e një France të përhumbur mes frikës nga amoraliteti dhe etjes për transformim.
Në një epokë ku arti duhej të ishte i pastër, Bodleri guxoi të shpallte:
“Pasioni i çmendur për artin është një krimb që gëlltit gjithçka tjetër.” “Bukuria është ambicia e vetme, qëllimi ekskluziv i shijes.” “Realiteti i vërtetë ekziston vetëm në ëndërra.”
Këto maksimë nuk ishin thjesht mendime; ishin predikime të një shpirti të lirë, të përndezur nga pasioni dhe i përkushtuar ndaj së bukurës, edhe kur ajo shfaqej në formën më të errët.
Bodleri jetoi në një kohë të trazuar, mes shekullit XIX dhe një France që po lëkundej mes romantizmit dhe modernizmit. Ai ishte dëshmitar dhe protagonist i një ndryshimi epokal, ku arti nuk duhej më të përfaqësonte vetëm të bukurën, por edhe të ndyrën, të ndaluarën, të përbuzurën.
Botimi i parë i kryeveprës së tij Lulet e së Keqes më 1857, u përball me një gjyq publik, ku gjashtë poezi u censuruan dhe autori u gjobit për “fyerje të moralit publik”. Ky dënim nuk e ndali Bodlerin, por e vulosi si martir të lirisë artistike. Viktor Hygo, në një letër nga mërgimi, i shkruante:
“Lulet tuaja të së Keqes vezullojnë si drita e yjeve. Drejtësia ju dënoi në emër të moralit, por kjo është një medalje më tepër për ju.”
Vetëm në vitin 1949, Gjykata e Kasacionit në Paris e anuloi vendimin e vitit 1857, duke rehabilituar përfundimisht poezitë e mallkuara.
Bodleri nuk ishte poet i konformitetit. Ai ishte zëri i një epoke që po thyhej, një shpend mitik që fluturonte mbi katakombet e së shkuarës drejt horizonteve të reja. Ai e pa bukurinë në të shëmtuarën, ekstazën në vuajtje, dhe shpirtin në errësirë. Poezia e tij nuk kërkonte të kënaqte, por të trondiste, të zgjonte, të provokonte.
Në një botë që nuk ishte gati ta priste, ai nuk priti. Në një kohë që nuk donte të ndryshonte, ai e ndryshoi. Dhe për këtë, mbeti jo vetëm poet, por kumtues i një revolucioni estetik dhe etik, që ende sot frymëzon, sfidon dhe ndriçon.
KOHA JONË SONDAZH

