Si dhe përse të lexojmë?
Nga: Harold Bloom
Përktheu: Granit Zela
Leximi nuk duhet reshtur kurrë, sepse ai ka rëndësi të dorës së parë, për ta mbajtur sadopak gjallë aftësinë e formimit të gjykimit dhe mendimeve vetjake. Mënyra se si lexohet, mirë a keq, nuk mund varet vetëm prej nesh, porse arsyeja përse lexohet duhet me qenë vetëm e vetëm në shërbim të interesit tonë. Mund të lexohet thjesht për të vrarë kohën, sikurse mund te lexohet i yshtur prej një nevoje të thellë të brendshme, në një rast të këtillë, ka për të mbërritë më së mbrami ai çasti i pangishëm kur leximi do të ta bëj natën ditë. Lexonjësit e Biblës, ata që përpiqen me gjetë biblën e vetvetes, ndoshta e trupëzojnë këtë nevojë të brendshme shumë më mirë se lexuesit e Shekspirit, porse në të dyja rastet, prapëseprap, grishja është po ajo. Një nga shërbimet e të lexuarit, është të na përgatisë për ndryshimin tonë, dhe ndryshimi më i fundmë, ajme, është universal.
Mua leximi më shëmbëllen me një ritual vetmitar, më shumë se me një mision edukues. Mënyra se si lexojmë sot, kur jemi vetëm me veten tonë, përbën deri diku një vazhdimësi të leximit në të shkuarën, sidoqë sot leximi interpretohet nëpër akademi. Lexuesi im ideal (sikurse heroi im i përjetshëm) është Dr. Samuel Johnson-i, i cili ishte i vetëdijshëm për të dyja, fuqinë dhe pamundësinë e të lexuarit pareshtur. Sikurse çdo aktivitet tjetër i mendjes, ai duhet të përmbush parimin e parë të Johnson-it, leximin e asaj “çka na përshtatet më së miri, çka na sjell dobi.” Sër Francis Bacon, përhapësi i disa prej ideve që Johnson-i vuri në jetë, pat dhënë një këshillë shumë të vyer “Lexo duke ruajtur gjykimin, pa t’u bërë trutë dhallë, duke mos besuar gjithçka mendjen pa e vrarë, jo për të rrahur ujë në havan me fjalë që s’kanë mbarim, por duke i dhënë peshë mendimit, duke u thelluar në gjykim.” Unë do të vija përkrah Bacon-it dhe Johnsonit, një tjetër mendimtar të urtë, Emersonin, të ashprin armik të historisë dhe historicizmave të çdo lloji, i cili pat theksuar se librat më të mirë “na trondisin me bindjen e thellë, se ajo nevojë e brendshme që shkruan, po ajo lexon.”
Lejomëni atëherë të bëj njësh thëniet e Bacon-it, Johnson-it, edhe Emerson-it, për të përftuar një formulë të vetme se si të lexojmë: lexo çka më së miri të përshtatet, çka të sjell dobi, libra që i japin peshë mendimit duke të thelluar në gjykim, libra që të trondisin ngase keni të njëjtën natyrë, të pacënuar nga e tirani e kohës. Pikë për pikë, kjo do të thotë, në fillim gjejeni ju Shekspirin, mandej lëreni t’ju gjej. Nëse leximi i Mbreti Lir,ju rrëmben të tërin, atëherë mendoni e gjykoni për natyrën e njëjtë që personazhi ndan me ju; afrinë me veten tënde. Vetëmse këtë s’e shoh asfare si idealizëm por si pragmatizëm. Ta gjykosh këtë tragjedi si akuzë kundër sistemit patriarkal do të thotë të heqësh dorë nga interesat e tua më vetjake, sidomos kur kemi të bëjmë me lexuese, çka është më ironike se sa duket. Shakespeare, më shumë se sa Sophocles, përbën një autoritet të padiskutueshëm dhe të pashmangshëm për sa i përket konfliktit ndërmjet brezave, dhe më shumë se kushdo tjetër, në lidhje me ndryshimet ndërmjet grave dhe burrave. Jini të hapur kundrejt një leximi të shumëanshëm të Mbreti Lir, dhe kësisoj do të kuptoni shumë më mirë origjinën e asaj çka ju e quani patriarkat.
Në fund të fundit – ne lexojmë – sikurse Bacon-i, Johnson-i, dhe Emerson-i do të ishin të një mendjeje – për të forcuar unin tonë, për të mësuar interesat e tij të qenësishme. Leximi na trand së brendshmi duke na dhënë ndiesi të atilla kënaqësie të cilat shpjegojnë deri diku se përse vlerat estetike janë nënvlerësuar nga moralistët socialë, qysh prej Platonit deri tek kampi i sotshëm i puritanëve. Kënaqësitë leximore janë në të vërtetë egoiste më shumë se sociale. Nuk është se përmirësohet drejtpërdrejt jeta e ndokujt nëse leximi është më i mirë e më i thellë. Mbetem mosbesues ndaj shpresës tradicionale sociale se kujdesi ndaj të tjerëve mund të nxitet prej gjallërimit të imagjinatës vetjake, sikurse jam i tejnginjur me argumentat e gjertanishme që përqasin ëndjet e leximit vetmitar me të mirën publike.
Ajo çka është e trishtueshme sa i përket leximit në mënyrë profesionale është fakti se rrallë ndodh të ndiesh sërish atë mrekullim të dikurshëm që të ngjallte leximi në rini, atëkohë kur librat mbartnin “mrekullimin hazlitian”. Mënyra se si lexojmë sot, varet deri diku apo plotësisht nga largësia, qoftë kjo e brendshme apo e jashtme, që ne vendosim në lidhje me universitetet, vendet ku leximi rrallë mësohet si kënaqësi, në kuptimin më të thellë të estetikës së kënaqësisë. Hapja e vetvetes kundrejt një përballjeje të drejtpërdrejtë me Shekspirin në kulmin e fuqisë së tij krijuese, sikurse është Mbreti Lir, asnjëherë nuk është e lehtë, në të ri sikurse në pleqëri, dhe prapëseprapë të mos e lexosh në plotninë e vet Mbretit Lir (çka do të thotë pa kurrfarë manteli ideologjik) do të thotë të mashtrosh botërisht vetveten edhe në gjykim edhe estetikisht.
Një fëmijëri ku pjesën më të madhe të kohës e zë televizori domosdo shpie tek një adoleshencë ku kohën e gllabëron kompjuteri, dhe kësisoj në dyert e univesitetit kemi një student që s’ka gjasa ta mirëpresë idenë se nevojitet durim në këtë rrugëtim që s’njeh fund deri në cakun e mbramë: urtinë që është gjithçka. Shmangia e këtij rrugëtimi e bjerr aftësinë e leximit, sikurse vetë unin bashkë me të. Keqardhja në këso rastesh s’ka kurrfarë vlere ashtu si zotimet e programet e paskëtajshme të leximit. Gjithçka ende mund të ndryshohet, mund të bëhet prej një lloj elite, gjë në në fakt është e papranueshme, për shumë arsye, të mira e të këqija bashkë. Kjo ngase edhe sot ka akoma lexues vetmitarë, të rinj e të vjetër, kudo, madje edhe në universitete. Nëse kritika shërben për ndofarë gjëje ende në kohën tonë, shërben sepse i drejtohet këtij lexuesi, lexuesi që lexon për vetveten, dhe jo për interesa që me gjasë e tejkalojnë vetveten.
Vlera në letërsi sikurse në jetë, më së shumti ka të bëjë me të veçantën fshehatare, atë që kalon cakun e të zakonshmes, të tepërtën prej së cilës merr jetë kuptimi. Nuk është rastësi që historiografët – kritikët që besojnë se njerëzit janë produkt i historisë shoqërore – i shohin personazhet letrarë thjesht si gjurmë të lëna në letër, dhe kaq. Hamleti as që përbën një të vërtetë historike nëse mendimet që kemi nuk na përkasin ne. Kjo na sjell tek parimi i parë, që mund të përmirësojë mënyrën se si lexojmë sot, parim që ja detyroj Dr. Johnson-it: “Çliroje mendjen prej klisheve” Fjalori të dëften që klisheja është ligjërim i stërfyrë me banalitete të rëndomta, fjalor i stërçuditshëm si ai i një sekti a kulti shtriganësh.
Meqënese universitetet kanë fuqizuar kulte të tilla si “gjinia dhe seksualiteti” dhe “multikulutarizmi,” qortimi i Johnson-it kësisoj shndërrohet në “çliroje mendjen nga kilshetë akademike.” Një kulturë universitare që vlerëson më shumë të brendshmet e femrave të periudhës viktoriane se sa vlerëson Çarls Dikensin dhe Robert Browning-un i ngjan një dalldie si ato që përshkruan Nathaniel West-i, gjë që tashmë është kthyer në as më shumë dhe as më pak se në standart. Produkt anësor i një “kulture poetike” të këtillë është fakti se nuk arrin të nxjerrë as edhe një Nathaniel West, dhe as nuk e degdis qoftë edhe ky fakt një kulturë akdemikë të allasojtë në zgripin e parodisë? Poemat e një mjedisi të kësoshëm akademik janë zëvendësuar nga të brendshmet e kulturës sonë. Materialistët tanë riosh na dëftejnë se i kanë kthyer trupin historiografisë, dhe shpallin se punojnë në emër të Parimit të Realitetit. Jeta e mendjes duhet të mposhtë vdekjen e trupit, por prapësperapë kjo as që ka nevojë për bujën zulmëmadhe të një sekti akademik.
Parimi i çlirimit të mendjes prej klisheve na shpie tek parimi i dytë i ringjalljes së leximit: Mos u orvat të bësh më të mirë fqinjin apo lagjen me atë që lexon apo si e lexon. Vetëpërmirësimi është një projekt aq madhor sa të mjafton vetja, mendja dhe shpirti yt: për to s’ka kurrfarë etike leximi. Mendja duhet mbajtur e përqendruar në shtëpinë tënde derisa padituria e saj e mirëfilltë të jetë zbuar me gjithsej; angazhimi i parakohshëm është magjepsës në vetvete, por merr shumë kohë, kohë e cila për leximin nuk do të jetë e mjaftueshme kurrë. Shkrimi për historinë, qoftë ajo e tashme apo e shkuar, është një lloj idhujtarie, adhurim i vazhdueshëm për çka ndodh në kohë. Lexo atëherë i udhëhequr prej dritës së brendshme që kremtonte Xhon Miltoni dhe që Emersoni e kishte parim të leximit, parim që fare mire mund të jeti parimi ynë i tretë: Studiuesi është një qiri që ndizet gjithmonë prej dashurisë dhe gjakimeve të njerëzimit. Wallace Stevens-i, ndoshta duke e harruar autorin e tij, krijoi variante të mahnitshme të kësaj metafore, por fjalët burimore Emersoniane përbën një shprehje më të qartë të parimit të tretë të leximit. Nuk ka vend për drojen se liria e përmirësimit tënd si lexues përbën egoizëm, sepse nëse arrin të bëhesh lexues i mirëfilltë, atëherë fryti i mundimeve të tua do të shndërroj në një mendjendriçues për të tjerët.
U jam rikthyer shumë herë letrave që kam marrë prej njerëzish të panjohur tetë a nëntë vitet e fundit, dhe më ka ndodhur shpesh të prekem aq shumë prej tyre sa të mos mundem t’u kthej përgjigje. Pathosi që i përshkon, për mendimin tim, përbën më së shumti një nevojë të thellë për studimin letrar profesionist, detyrim që universitet nuk begenisin ta përmbushin. Emersoni ka shkruar se shoqëria nuk bën dot pa njerëz të kultivuar dhe shtoi në mënyrë profetike se: “vatra e shkrimtarit nuk është shkolla, por njerëzimi.” Ai e kishte fjalën për shkrimtarë të fuqishëm, burra dhe gra që merrnin përsipër të ishin përfaqësues, përfaqësues të vetvetes, dhe jo kushtetutave, me të vetmen politikë atë që buron prej shpirtit njerëzor.
Funksioni më i lënë pas dore i edukimit universitar është nyjëtuar përjetësisht në thirrjen e Emersonit drejtuar “Studiuesit amerikan”, ku ai shpall se detyrat e studiuesit: “Mund të përmblidhen të gjitha tek vetëbesimi.” Unë marr nga Emersoni edhe parimin e katërt të leximit: Që te lexosh mirë duhet të kesh shpirt krijues. “Leximin krijues” në kuptimin Emersonian e kam quajtur një herë “keqlexim,” fjalë që i bindi kundërshtarët e mi se vuaja nga disleksia kronike. Humbëtira apo zbrazëti që ata shohin pas leximit të një poeme është pasojë e mospasjes së një shpirti të tillë krijues. Vetëbesimi nuk është dhunti, por Rilindja e Dytë e mendjes, e cila nuk mund të ndodhë pa vite të tëra leximi të pareshtur. Estetika nuk ka standarte absolute. Nëse ndokush mëton se fuqia shekspiriane është produkt i kolonializmit ateherë kush po e vriska mendjen të argumentoj të kundërtën? Pas katër shekujsh Shekspiri është më i fuqishëm se kurrë; dramat e tij do të luhen në hapësira jashtëtokësore, në të tjera botë, nëse këto botë do të arrihen. Ai nuk përbën përbetim për kulturën Perëndimore; por mishëron të gjitha parimet e leximit dhe është pika ime e referimit në këtë libër.
Borgesi ia mvishte këtë universalizëm mungesës së mirëfilltë të egoizmit të tij, cilësi që përbën një metaforë të shumëfishtë për dallimin mes Shakespear-it dhe të tjerëve, metaforë e fuqisë së tij njohëse si e tillë. Ne lexojmë, më shpesh e më shumë se sa ne mendojmë se lexojmë, në kërkim të një mendjeje më origjinale se e jona.
Ideologjia, sidomos në variantet me të cekëta të saj, është rrënuese sa i përket aftësisë së të kuptuarit dhe vlerësimit të ironisë, ngase unë sugjeroj që ringjallja e ironisë të jetë parimi ynë i pestë i ripërtëritjes së leximit.
Mendoni ironinë e pafundme të Hamlet-it, i cili kur thotë diçka nënkupton kryekrejet diç tjetër, më së shumti krejt të kundërt me atë që thotë. Por, ky parim, sikur ma vret shpirtin, prejse s’ka gjasa t’i mësosh dikujt të jetë ironik sikurse të bëhet lexues vetmitar. Prapëseprapë, humbja e ironisë shënon vdekjen e leximit, të asaj çka përbën qytetërim në mendjet tona.
U qasa çap pas çapi fare lehtë
Ngadalë e mata udhën ca nga ca
Yjet mbi Krye flakëruan hatâ
Nën këmbë kisha Detin vetë
S’dija se ç’ndillte tjetri hap
Mos vallë i fundmi asisoj –
Cakun e preka prapëseprap
Disa e quajnë “Përvojë”
Të ecurit e burrave është e ndryshme nga e grave, me përjashtim të rastit kur janë në kuadrate të disiplinuara marshimi, pasi ne të gjithë përpiqemi të ecim ndryshe nga të tjerët. Dickinson-i, mjeshtrja e Sublimes në zgrip, zor se mund të kuptohet nëse nuk ndiejmë shqisën e ironisë së saj. Ajo ecën përgjatë të vetmes udhë të mundshme, “çap pas çapi” por çapitja e saj e dalëngadaltë pranëvihet në mënyre ironike me nje titanizëm ku ajo ndien “Yjet mbi Krye,” ndërkohë që ka detin nën këmbë. Duke mos e ditur nëse hapi tjetër i saj do të jetë “i fundmi asisoj” kjo i jep asaj atë mbërritje në atë cak të mbramë që ajo nuk do t’i vër emër, porse vetëm thotë që “disa” e quajnë Përvojë.
Ajo e kishte lexuar esenë e Emersonit “Përvoja”, një punë e shkëlqyer në gjurmët e esesë “Mbi përvojën” shkruar prej mjeshtrit të saj Montaigne, dhe ironia e saj është një përgjigje e përkorë ndaj fjalëve hyrëse të Emersonit “Ku ta gjejmë vetveten? Një përgjigje kundrejt një numri pyetjesh që nuk njohin cak, sepse besohet se ato nuk ekzistojnë.” Caku për Dickinson-in është të mosditurit nëse tjetri hap është i fundmi asisoj. “Nëse ndokush prej nesh do ta dinte se si do ta kishim të shkuarën dhe cili është fati ynë i ardhshëm, atëherë kjo do të ishte kulmi i dijes!” Rugëtimi i mëpasshëm i Emersonit ndryshon nga ritmi i shtruar i Dkinsonit, sikurse e thotë ajo, “çap pas çapi”. “Gjithçka rrjedh dhe shndrit,”në mbretërinë e përvojës së Emersonit, dhe ironija e tij gjeniale është krejt ndryshe nga ironia e saj e nëndheshme. E megjithatë, asnjëri sosh nuk është ideolog dhe të dy mbijetojnë në kohë sajë fuqisë që mbartin ironitë e tyre të kundërta.
Në fund të shtegut të ironisë së humbur është caku i mbramë, përtej të cilit vlera e letërsisë do të jetë e paripërtërishme. Ironia është thjesht një metaforë, dhe rrallë ndodh që ironia e një epoke letrare të jetë si ajo e një epoke tjetër, sidoqoftë, pa rilindjen e kuptimit të ironisë humbet shumë më shumë se ajo që ne e quajmë shkrim letrar. Tomas Mani, ndër më ironikët e shkrimtarëve të këtij shekulli, duket se është bër fir tashmë. Botohen biografi të reja të tij, dhe shkrimet për to mbështeten pothuajse gjithmonë vetëm në homoseksualitetin e tij, a thua se kësisoj do mbahet gjallë interesi ynë si lexues për to, vetëm nëse vërtetohet së ishte homoseksual, dhe kjo t’i sigurojë një vend në bibliotekat tona. Nuk ndodh ndryshe as kur bëhet fjalë për Shekspirin, më së shumti përmendet biseksualiteti i tij i dallueshëm, dhe kësisoj huqet e puritanëve të kohës sonë nuk kanë të sosur. Ironitë shekspiriane, sikurse dihet, jamë më të shumëkuptimshmet dhe dialektiket në tërë letërsinë perëndimore, dhe prapëseprap ato nuk ndërmjetësojnë gjithmonë pasionet e personazheve të tij për ne, kaq e gjerë dhe e fuqishme është furtuna e tyre emocionale. Kjo është arsyeja pse Shakespeare e tejkalon epokën tonë, edhe pse ironitë e tij shpërfillen për t’u marrë me vogëlsira.
Nga ana tjetër, në çdo emocion që ngjall Tomas Mani, rrëfimor apo dramatik, ai ndërmjetësohet prej një estetike të ironisë; dhe ajo nuk mund t’u mësohet si e tillë e shembullzuar tek librat Vdekje në Venecie ose Pështjellim dhe pikëllim i kahershëm pasi për shumë prej studentëve, qoftë edhe për më të talentuarit, është pothuajse e pamundur. Kur autorët rrënohen prej historisë, ne me të drejtë i shohim veprat e tyre si trakate periudhash historike, por kur ato nuk mbijetojnë për shkak të idelogjisë historike që i përshkon, mendoj se kemi të bëjmë me një dukuri tjetër.
Ironia kërkon një vëmendje të caktuar, sikurse aftësinë për të ngjallur ide kundërthënëse, edhe kur ato ndeshen me njëra-tjetrën. Po ti heqim ironinë leximit, i kemi hequr të befasishmen, gjithë të papriturën që na grish. Rrokni çfarëdo lloj libri që t’u zërë dora, një nga ata me vlera që gjykohen e peshohen, dhe keni për të parë se ka shumë gjasa që ironia do të jetë ajo që i jep vlerë e peshë, paçka se shumë prej mësuesve tuaj nuk e dinë se çfarë është apo se ku duhet kërkuar ajo. Ironia ta qëron mendjen prej klisheve ideologjike dhe të ndih të bësh dritë si qiriri i studiuesit.
Tani po kaptoj të shtatëdhjetat, dhe në këtë moshë njeriu nuk para ka qejf të lexojë letërsi të dobët sikurse të shohë ditë të zeza, përderisa ditët i kemi të numëruara. Nuk e di nëse vdekjen ia kemi borxh Zotit a natyrës, por natyra do të bëjë të vetën, dhe ne pa më të voglin dyshim mediokritetit nuk i kemi kurrfarë borxhi, pavarësisht se çfarë turme nënkupton apo përfaqëson ai. Ngase lexuesi im ideal, për një gjysmë shekullia, ka qenë Dr. Samuel Johnson-i, po sjell fragmentin tim të parapëlqyer shkëputur nga parathënia e tij për Shakespeare-in:
Kjo pra është fuqia e Shakespeare-it, drama e tij është pasqyrë e jetës; kushdo që kuturis në mbretërinë e imagjinatës për të rendur pas shajnive që të tjerë shkrimtarë para tij krijuan, mund të gjej tek ai ilaçin shërues për dallditë e tij delirante ngase lexon aty ndenjat njerëzore në gjuhë njerëzore, prej skenash me anë të cilave një eremit mund të shkoqisë punët e botës dhe një pendestar shtigjet e pasioneve të saj.”
Që të lexosh ndjenjat njerëzore në gjuhën me të cilën shprehen, duhet të dish të kuptosh gjuhën njerëzore, në plotninë e saj. Kështu ti i tejkalon ideologjitë, pavarësisht nga bindjet vetjake që mund të kesh, dhe Shakespeare shfaqet para teje, sipas aftësisë që zotëron për ta zbuluar atë. Kjo do të thotë se Shakespeare të lexon më katërcipërisht se sa mund ta lexosh ti atë, edhe kur ta kesh qëruar mendjen nga klishetë. Asnjë shkrimtar para tij apo prej Shakespeare-it e më pas ka arritur të zotëroj si ai aftësinë e krijimit të thellësisë dhe larmisë së dritëhijeve të personazheve, pikëvështrime që tejkalojnë çdo lloj kontekstualizmi që u paracaktohet dramave. Johnson-i, duke e pikasur fort mirë këtë, na nxit ta lexojmë Shakespear-in që të na çlirojë nga “dalldisjet delirante. “Lejomëni ta shtjelloj më tej këshillën e Johnson-it i cili na nxit gjithashtu që të pranojmë djajtë që dëbon leximi i thellë i Shekspirit. Njëri sosh është Vdekja e Autorit; një tjetër është pohimi që vetvetja është trillim; dhe tjetri në radhë është ai sipas të cilit personazhet letrarë e dramatikë janë thjesht shenja të shumta të lëna në letër. Djalli i katërt dhe më I kobshmi është mendimi se gjuha është ajo që përcakton mendimin tonë.
Sërish, dashuria ime për Johnson-in, dhe për leximin, më shtyn të shmang polemikat, e në vend të tyre të lartësoj shumë prej lexuesve vetmitarë që takoj vazhdimisht, qoftë në auditore apo në letrat që më dërgojnë. Ne lexojmë Shekspirin, Danten, Chaucer-in, Servantesin, Dikensin, Prustin, dhe të gjithë të ngjashmit e tyre sepse ata i zgjerojnë përmasat e kuptimit të jetës. Praktikisht, ata përbëjnë Bekim, në kuptimin e vet më hyjnor me “më shumë jetë në një kohë që s’ka kufij.” Ne lexojmë pafundësisht për shumë arsye, disa prej tyre të ditura: ngase s’mund ti njohim plotësisht njerëzit, t’i njohim aq sa të mos ketë më nevojë: ngase kemi nevojë të njohim më mirë veten; ngase kemi nevojë për dijen jo vetëm në lidhje me veten dhe të tjerët, por edhe se si janë punët e kësaj bote.
Prapseprapë, motivi më i fuqishëm dhe themelor për një lexim të thellë të veprave tradicionale klasike jo pak të nëpërkëmbura, është gjurmimi i ëndjes së mundimshme. Afërmendsh që nuk jam nxitës i leximeve erotike, por ëndja e mundishme mua më duket përkufizimi më i mirë i Madhështores në letërsi, edhe pse kjo ëndje e epërme mbetet kërkimi i pareshtur i lexuesit. Eziston pra, Madhështimi i lexuesit, dhe duket të jetë i vetmi tejkalim i kufijve normal të ekzistencës që mund të arrijmë ndonjëherë, me përjashtim të rastit më skajshëm që ne e quajmë “të rënit në dashuri.” Ju bëj thirrje të lexoni çka i përshtatet shpirtit tuaj, çka i jep peshë mendimit dhe gjykimit. Lexoni thellësisht, jo për të besuar, as për të pranuar, as për të kundërshtuar, porse për të mësuar të njësoheni me atë natyrë si e juaja që edhe shkruan edhe lexon.