Si u takuan Arthur Miller dhe Pablo Neruda më 1966, në një botë të ndarë nga ideolgjia dhe Lufta e Ftohtë

USA. New York, NY. 1966. Playwright Arthur Miller and poet Pablo Neruda at a bookshop in Greenwich Village.

Albert Vataj
Kjo fotografi bardhezi e vitit 1966, e realizuar në një librari të Greenwich Village në New York, është një dëshmi e rrallë e një takimi mes dy personaliteteve të mëdha të kulturës botërore: Arthur Miller, dramaturgu amerikan, dhe Pablo Neruda, poeti dhe diplomati kilian. Fotografia është atribuuar Inge Morath, fotografja dhe bashkëshortja e Arthur Miller
Në pamje, ata qëndrojnë të përkulur mbi një tryezë librash të përdorur, të zhytur në bisedë e kërkim, një skenë që i përngjan një momenti përkushtimi të dyfishtë, ndaj fjalës së shkruar dhe lirisë së mendimit. Mbi ta ngrihen raftet plot libra që zënë gjithë sfondin, duke krijuar një peizazh simbolik të dijes dhe kujtesës. Miller, me pipë në gojë dhe vështrim të qetë, duket si një dëgjues i përqendruar, ndërsa Neruda, me kapele të bardhë e këmishë të lehtë, shpalos faqet e një vëllimi, ndoshta si një akt intuitiv kërkimi poetik.
Kjo foto u realizua gjatë qëndrimit të Nerudës në Nju Jork për Kongresin Ndërkombëtar të PEN Club, pas shumë vitesh në të cilat hyrja e tij në SHBA ishte e ndaluar për arsye politike. Ishte pikërisht Arthur Miller, në cilësinë e presidentit të PEN America, që ndërhyri për ta bërë të mundur këtë vizitë historike. Takimi i tyre në këtë hapësirë të thjeshtë librash përtej ndasive ideologjike përfaqëson fitoren e kulturës mbi politikën, të dialogut mbi heshtjen, të librit mbi censurën.
Gjatë atij kongresi PEN 1966, delegatë nga vende si Kuba, Rusia, Çekosllovakia përballeshin me sfida në sigurimin e vizave për shkak të tensioneve të Luftës së Ftohtë. PEN America në atë vit miratoi një rezolutë që kritikon “masat e qeverive që pengojnë anëtarët e PEN të dalin nga vendet e tyre ose të hyjnë në vende të huaja.”
Sipas një burimi, veprimi i Miller për të ndihmuar vizën e Nerudës është përmendur nga Carlos Fuentes si një moment simbolik që përfaqëson “fillimin e fundit” të disa prej ndarjeve ideologjike të Luftës së Ftohtë.
Në thelb, kjo fotografi është një metaforë e gjallë për marrëdhënien midis artit dhe ndërgjegjes, midis shkrimtarëve që, ndonëse nga brigje të ndryshme të botës, ndanin të njëjtin besim se fjala e lirë është arma më fisnike e njeriut kundër harresës dhe shtypjes.
Në arkivin digital të Michigan Quarterly Review, kjo foto figuron me titullin “New York, 1966. Arthur Miller me poetin kilian Pablo Neruda; Arthur Miller Observed”.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?