Sot Kadri Roshi do festonte 96-vjetorin
Sot, aktori i njohur Kadri Roshi do të festonte ditëlindjen. Ai do të mbushte 96-vjeç. Në këtë ditë të domethënëse për artin shqiptar, Teatri Kombëtar ka kujtuar 96-vjetorin e lindjes të aktorit të madh, i cili sot nuk është më midis nesh fizikisht, por me veprat e tij që i kanë rezistuar kohërave. Kadri Roshi lindi më 4 janar 1924 dhe u nda nga jeta më 6 shkurt 2007 në Tiranë.
Përfundoi studimet e larta në Pragë në vitin 1951. Ai e filloi karrierën e tij si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë një ndër krijuesit e këtij teatri. Që nga ajo kohë ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi.
Nga shumëkush është konsideruar si legjendë e skenës dhe ekranit shqiptar. Ai ka qenë një aktor brilant me një talent të lindur. Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është “Nderi i Kombit” nga viti 1999. Emri i Roshit do të kujtohet gjithnjë si kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai luajti role dhe figura të spikatura, që nuk do të harrohen kurrë.