“Vulgu i rrugës në Festivalin e RTSH”, Kika: Që kur frenat e muzikës i morën në dorë palo producentë, iku identiteti

Gazetari Mentor Kika ka kritikuar ashpër këngët me të cilat u përfaqësuan këngëtarët në Festivalin e RTSH-së.

Kika, i ftuar në “Intervistën e Mbrëmjes”,  tha se vulgu është bërë pjesë e Festivalit.

Ndërsa theksoi se që kur frenat e muzikës u morën në dorë nga palo producentë, siç ai i quajti, identiteti i saj mbaroi.

Mentor Kika: “Identiteti i muzikës, nuk jam ekspert, por e vlerësoj aq sa e dëgjoj, ka kohë që ka marrë arratinë nga skenat e festivalet. Që kur në festivale janë ngritur dhe kanë kënduar lloj-lloj këngëtaresh, vulgu me të vërtetë i rrugës me këngë të përkthyera nga vulgu apo këngët periferike rumune apo bullgare, përkthyer teksti, marrë muzika dhe shitur këngëtarëve për 3000 mijë euro nga palo producentë në Shqipëri që morën frenat e muzikës, identiteti iku mbaroi.”

Kika vuri në pah se këngët shqiptare nuk arrihen të identifikohen si të tilla për shkak se brenda tyre kanë elementë sllavë, turke apo arabë, duke shtuar se ky është një gjenocid.

Mentor Kika: “Kam një pyetje për të gjithë? A e dallojmë që nga tingulli se një këngë është sllave? Po. Që është turke, arabe, greke? Po. Një këngë shqiptare nuk ka perëndi që ta dallojë se është shqiptare se ka brenda elementë sllavë, turke, belly dance arab, tekst alla soji që nuk ka perëndi ta përshtatë, ta përkthejë apo ti nxjerrë kuptimin, gjenocidi është bërë.  Muzika shqiptare në festivale e ka humbur identitetin. Sot jemi në një treg të lirë, gjithkush ka të drejtë të shesë gjithçka. Edhe prodhimi muzikës është i lirë por festivali kombëtar është pasaportë, pasuri kombëtare, nuk duhet të ngjiten ata që i këndojë të bardhës, të kuqes, të zezës, pistoletës, ferrarit. Nuk duhet të kenë vend në festival.”

/Ora News

SHKARKO APP