Temperatura e trupit të njeriut nuk është më 37 gradë Celcius
Temperatura mesatare e trupit të njeriut ka ardhur në rënie përgjatë 150 viteve të fundit, ndonëse mbetet e paqartë arsyeja që qëndron pas kësaj rënieje. Të dhënat vijnë nga një studim i fundit nga Shkolla e Mjekësisë pranë Universitetit të Stanford.
Ekspertët dolën në konkluzionin se trupat e njerëzve janë më të ftohtë sesa vlera e përcaktuar prej 37 gradë Celcius, e vendosur fillimisht nga mjeku Carl Reinhold August Wunderlich, në vitin 1868.
Studimi tregon se meshkujt e kohëve moderne kanë një temperaturë trupore 0.58 gradë më të ulët se meshkujt e shekullit të 19, ndërsa femrat e kanë 0.32 gradë më të ftohtë.
Kjo rënie mendohet se vjen për shkak të ndryshimit të mjedisit përgjatë 200 viteve të fundit, që kanë sjellë ndryshime fiziologjike. Megjithatë, studimi thotë se përcaktimi i shkakut dhe efekteve vijon të mbetet i panjohur, ndonëse ofron disa shpjegime, përfshirë uljen e metabolizmit tek njerëzit.