10 vite ”Fundjavë Ndryshe”, Rama kujton strehimin e afganëve në Shqipëri: Bamirësia është disiplinë, jo gjest i rastësishëm

Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit dhe në aktivitetin e 10 vjetorit të ”Fundjavë Ndryshe”, kryeministri Edi Rama gjatë fjalës solli në vëmendje strehimin e afganëve në Shqipëri pas tërheqjes së forcave amerikane dhe të NATO‑s nga Afganistani. Kryeministri e cilësoi atë si një provë të karakterit të vendit. Sipas tij, ky veprim tregoi se pavarësisht madhësisë dhe pasurisë së kufizuar, Shqipëria nuk mund të kishte “një shpirt më të vogël” se vendet më të mëdha dhe më të pasura. ”Bamirësia nuk është një gjest, as një ngjarje, është disiplinë dhe ndaj të dyja jetojnë bashkë, edhe shpresa që pa bujarinë kthehet në abstraksion, ndërsa bamirësia pa shpresën kthehet në ofendim”,-tha Rama.

Fjala e plotë nga kryeministri Edi Rama

Nuk i kam numëruar sa herë kam dalë në këtë skenë për kongrese, por asnjëherë nuk ma ka marrë mendja që do të ndodhte të dilja përpara një “kongresi” jo të një pale, por të të gjitha palëve, dhe për këtë dua të falënderoj Arbrin. Arbri kishte bërë një klip prekës, për hir të së vërtetës, por kishte lënë pa treguar të vërtetën për zanafillën e historisë sonë të përbashkët, sepse duke dashur të mbetet konsensual, e ka fshehur nga biografia që jetën, kur doli nga duart e Çimit, e ka filluar si anëtar i FRESH-it, dhe unë nuk kam asnjë rrugë tjetër përveçse t’jua kujtoj biografinë. E kam takuar në një festë që organizonte FRESH-i dhe ky ishte jashtë te dera. Edhe i thashë unë: “Po ti ça bën, me ça merresh?” “Unë – tha – nuk di të merrem me zyra, as me llafe, unë jam njeri i rrugëve.” Edhe unë i thashë: “Po ti qenke terrorist”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Dhe në fakt aty nisi historia jonë e përbashkët dhe, kur Arbri më tha të vija, erdha me shumë kënaqësi. Kur më tha të flisja, nuk isha edhe aq i lumtur sepse ky është momenti i tij, kjo është dita juaj, e anëtarëve dhe mbështetësve të fondacionit, dhe unë jam vetëm një nga mbështetësit, por gjithsesi, duke qenë se jam këtu, do doja të thoja dy fjalë për shpresën dhe për bamirësinë, duke u nisur nga një shprehje që më ka pëlqyer gjithmonë, që thotë: “Shpresa duhet stërvitur.” Dhe e vërteta është që shpresa nuk është një zbukurim i shpirtit, nuk është as një yll fati mbi kokat tona, nuk është as një premtim i turbullt se e nesërmja do jetë patjetër më e mirë se sa e sotmja. Shpresa është një muskul. Gim Fagu, që është një nga mbështetësit e këtij fondacioni, që jam i bindur që është në sallë dhe që jam po aq i bindur që nuk doli të marrë si gjithë të tjerët atë medaljen apo çfarë quhej ajo, sepse Gim Fagu ka qenë gjithmonë kampion më vete, e kupton shumë mirë çfarë them kur them “shpresa është një muskul”, dhe si çdo muskul, rritet vetëm kur stërvitet dhe forcohet vetëm kur ekspozohet ndaj vështirësive, ndaj pengesave dhe sidomos ndaj zhgënjimit, dhe prandaj shpresa, kur është e pastërvitur, është e brishtë dhe nuk të çon larg. Ndërkohë që, shpresa e stërvitur bëhet forca që na çon përpara në kërkim të asaj çka duam të arrijmë për vete apo për të tjerët.

Swiss Digital Mobile Reklama

Nga ana tjetër, bamirësia kam përshtypjen që shpeshherë keqkuptohet dhe shumëkush e imagjinon bamirësinë si aktin e thjeshtë të dhënies së diçkaje që nuk duhet, por besoj që bamirësia e vërtetë, nuk është bujari me atë që ti ke të tepërt, por është bujari në radhë të parë me vetveten; bujari që mishërohet më së miri te ajo shprehja që të gjithë e kemi dëgjuar; unë për herë të parë e kam dëgjuar nga gjyshja ime dhe për një periudhë kohe natyrshëm nuk e kam kuptuar deri në fund, që thotë: “Lum kush jep, jo kush merr.”

Dhe faktikisht, bamirësia është një vendim për ta hapur veten ndaj tjetrit dhe për të mos e parë tjetrin si të huaj, për të mos e parë tjetrin si një barrë kur ai është në vështirësi, por si një pasqyrë një pasqyrë ku reflektohet masa e njerëzillëkut që ke ti vetë dhe në varësi nga sa ti reflektohesh te tjetri që është në vështirësi, bamirësia jote është e vërtetë apo është një keqkuptim shumë i madh. Sepse bamirësia nuk është një gjest, nuk është as një ngjarje. Bamirësia është disiplinë. Dhe prandaj të dyja jetojnë bashkë; edhe shpresa, e cila pa bujarinë kthehet në abstraksion, bëhet një muskul që mund të rritet në vetvete, por nuk i jep trupit atë forcën e domosdoshme për të shkuar përpara, ndërsa bamirësia pa shpresën kthehet në ofendim.

Nganjëherë, besoj për të gjithë ju, është ofenduese kur dikush hedh diçka për dikë që ka shtrirë dorën dhe nuk i kthen as sytë. Së bashku, ato formojnë një mënyrë jetese, formojnë edhe një mënyrë qeverisjeje, formojnë edhe një mënyrë imagjinimi të të ardhmes. Dhe më shumë se asnjëherë tjetër, përtej teorisë, unë e kam përjetuar këtë që thashë, lidhur me mënyrën e qeverisjes dhe me se si shtetet nuk ndërtohen vetëm me buxhete dhe me politika, pikërisht në atë ngjarjen që e solli në fillim filmi, lidhur me afganët. Ishte një moment kur Amerika i la; i la mbrapa duke tërhequr me vete gjithë NATO-n, të gjithë ata të cilët në fakt i kishte nxjerrë nga errësira me një premtim shumë të madh, me premtimin se, me ardhjen e Amerikës dhe NATO-s në Afganistan, gjithçka do të ndryshonte në jetën e tyre; se do kishin liri, do kishin demokraci, do kishin të drejta; se gratë do ishin njësoj si burrat; se vajzat nuk do ishin më të detyruara të qëndronin të mbyllura dhe t’iu ndalohej të shkonin në shkollë; se opinionet do ishin të lira, se do kishte shtyp të lirë… dhe papritur, sa hap e mbyll sytë, gjithçka mbaroi për ata njerëz.

Dhe aty unë kam parë Amerikën tjetër; aty kam kuptuar forcën e jashtëzakonshme të atij vendi kur njerëz nga më të ndryshmit – njerëz që në jetën e tyre të përditshme jetojnë në kampe të ndryshme, jetojnë në botë të ndryshme, siç jeni ju të gjithë këtu sot – u bënë bashkë dhe vinin telefonatat më të çuditshme që kërkonin ndihmë dhe kërkonin ndihmën këtu nga Shqipëria, sepse ne u bëmë i vetmi vend që hapi dyert për afganët, të cilët, për ta thënë deri në fund, ishin shumë myslimanë për të qenë të mirëseardhur në shumë vende të tjera të NATO-s ose nuk ishin dhe aq të bardhë. Ndërkohë që ne e bëmë këtë, Arbri dhe plot të tjerë u përfshinë në këtë bashkë me shtetin, pikërisht për atë që thashë më parë, sepse te ata që papritur dhe pa kujtuar kishin mbetur në mëshirën e një turme vrasësish, ne pamë pasqyrën ku reflektohej shpirti ynë, dhe shpirti ynë, pavarësisht se jemi ndër vendet më të vogla dhe më pak të pasura të NATO-s, nuk mund të ishte aq i vogël sa shpirti i atyre që mund të jenë më të pasur dhe më të mëdhenj se ne.

Dhe për të mos ju marrë kohën tuaj me fjalimin tim si zakonisht të shkurtër, unë duhet të shtoj që faktikisht ajo që ndodh me këtë fondacion dhe ajo që ndodh në tërësi, kur njerëzit organizohen dhe bëhen bashkë në këtë mënyrë, është ndërtimi i zakoneve të zemrës. Dhe natyrisht që mes këtyre zakoneve të mbledhura bashkë për të bërë një zakon të një grupi njerëzish, stërvitja e shpresës dhe disiplina e bamirësisë janë dy zakone që qëndrojnë detyrimisht më lart se të tjerat dhe nga të cilat varen gjithë zakonet e tjera në këtë qasje ndaj tjetrit. Dhe ne jetojmë në një kohë që, për hir të së vërtetës, i vë në provë çdo ditë, çdo sekondë mbase, që të dyja: edhe shpresën, edhe bamirësinë. Bamirësinë e kuptuar si bujari, si respekt, si njohje e tjetrit, si pasqyrë e jotja. Dhe çdo ditë dëgjojmë sa zhurmë bën cinizmi, sa e fortë, sa e lirë në kuptimin pa asnjë kosto, dhe sa ngjitëse është zhurma e të keqes, dhe sa e lehtë është përhapja e dëshpërimit, ndërkohë që duket tejet e vështirë përhapja e shpresës; sa e lehtë është të gjykosh e të paragjykosh dhe sa e vështirë duket të ndihmosh.

Por nga ana tjetër, ajo që është mirë ta kujtojmë vazhdimisht dhe që sot kjo ngjarje jubilare e fondacionit e kujton nga minuti i parë deri në minutën e fundit, është se dëshpërimi nuk e ka ndërtuar kurrë një shkollë. Cinizmi nuk e ka shëruar kurrë një fëmijë të plagosur dhe të pajtuarit me indiferencën nuk e ka hapur kurrë një rrugë të re shprese për askënd. Vetëm shpresa e stërvitur mund ta bëjë këtë dhe vetëm bamirësia, kur është kthyer në disiplinë, mund t’i japë krahë shpresës. Tani, patjetër që të gjitha këto së bashku janë të lehta dhe të bukura për t’u thënë, por nuk janë as të lehta dhe as nganjëherë të bukura për t’u bërë, sepse janë të vështira dhe sepse janë të dhimbshme.

Dhe bukuria që qëndron pas tyre është ajo që vetëm mund të shijohet në një moment si ky, ndërkohë që e përditshmja është diçka krejt tjetër. Është të zgjohesh çdo mëngjes me një bindje kokëfortë se duhet bërë sot, prapë, edhe një herë, stërvitja e shpresës. Është të zgjohesh çdo mëngjes me bindjen kokëfortë se, për të ushqyer shpresën, duhet të bësh pasqyrën. Dhe, në fund fare, të praktikosh bamirësinë do të thotë të refuzosh idenë se jeton vetëm dhe se je i vetë-mjaftueshëm me ata me të cilët jeton, duke kujtuar dhe menduar se jeta do të jetë gjithmonë po ashtu. Kurrë mos i ndodhtë askujt që të ketë nevojë për një dorë të shtrirë, por kurrë askush mos e harroftë që, sa më shumë ta shtrijë dorën, aq më të madh e ka shansin që nëse do t’i ndodhë ta ketë dorën e shtrirë, dhe ajo nuk është më dora e tjetrit, është dora e vet që e ka shtrirë shumë herë për tjetrin dhe që vjen e shtrirë drejt tij nga tjetri.

Përfundimisht dua të them që: Arbër, Fundjava Ndryshe është një palestër e shpresës. Ti je një trajner i disiplinës së bamirësisë dhe nuk e kuptova mirë çfarë deshe të thuash me atë që “kur të mos jem unë më këtu, se s’po e them unë atë, jo ta thuash ti”, por unë uroj nga zemra që të vazhdosh çdo ditë të gjesh forcën për ta stërvitur shpresën dhe kokëfortësinë për ta ushtruar disiplinën e bamirësisë. Dhe mbi të gjitha, uroj që gjithë këta njerëz, gjysma e të cilëve mua nuk më shohin dot me sy, ty të të duan, të të respektojnë dhe ti ndërkohë të stërvitesh që, kur të futesh një ditë në politikë, të mos çuditesh që gjysma e këtyre këtu nuk do të shohin dot me sy. Shumë faleminderit!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?