3 javët e “anti-informalitet 3”! Pas “lupës” të tatimeve, 1 në 6 biznese kalon pragun
Kur kanë kaluar vetëm tre javë nga nisja e aksionit “anti informalitet 3”, po fillojnë të bëhet gjithmonë e më evidente shkalla e evazionit fiskal në sipërmarrjen vendase.
Sipas të dhënave të bërë publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, 5912 kontrolle, shumica e të cilave kanë qenë kontrolle nga zyra dhe vetëm një pjesë janë vizita fiskale, kanë dhënë si rezultat ndryshimin e përgjegjësisë tatimore për 919 tatimpagues.
Kjo do të thotë se këto 919 subjekte kanë qenë të klasifikuara si biznese të vogla, ndërkohë që xhiroja e tyre vjetore e kalonte pragun e 8 milionë lekëve në vit; ose qarkullimi vjetor ishte deklaruar deri në 5 milionë lekë, ndërkohë që e kapërcente këtë vlerë.
Pra, gati 1 në 6 biznese të kontrolluara kryente evazion fiskal, qoftë kjo duke paguar tatim të thjeshtuar mbi fitimin në 5%, në vend të paguante 15%; ose në rastin e dytë, duke paguar tatim 0 lekë në vit, ndërkohë që hynte te kategoria për të paguar 5%.
Krahas tatimit mbi fitimin, subjekte që kanë bërë kalimin nga biznes i vogël në biznes të mesëm, kanë evituar gjatë kësaj kohe pagesën e taksave që janë eliminuar si barrë për sipërmarrjen e vogël, siç është deri në këto momente Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.
Por, nëse nga kontrollet e strukturave tatimore rezulton se 1 në 6 biznese kanë kryer “evazion fiskal”, raporti në pjesën tjetër të sipërmarrjes pritet të jetë më pak i theksuar, duke qenë se përzgjedhja e subjekteve për kontrolle bëhet në bazë të modulit të riskut.
Gjithsesi rreziku i evazionit është i dukshëm dhe këtë e pasqyron edhe shkalla e ndëshkueshmërisë e sektorit të hetimit tatimor. Nga verifikimi i 7720 tatimpaguesve, 1720 janë penalizuar. Këtu raporti madje është më i lartë, 1 në 4.5 subjekte. Për 250 prej tyre është marrë edhe masa e mbylljes së aktivitetit.
Në mënyrat që një biznes mund të bëjë evazion fiskal hyn edhe deklarimi i punonjësve, apo deklarimi i saktë i pagës. Në 3 javë mësohet se kanë hyrë në skemën e kontributeve 547 punonjës të deklaruar, ndërsa drejtoresha Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, Enkelejda Pipa, ua ka bërë tashmë të ditur bizneseve të mëdha se shifrat e deklaruara nuk janë reale.
Sipas të dhënave që ajo përmendi në një takim me sipërmarrjet, nga 115 mijë të punësuar në listëpagesat e 700 bizneseve VIP, 41,600 punonjës janë deklaruar me paga deri në 30 mijë lekë, shifër të cilën ajo e konsideroi abuzive.