
Sekretariati i Etikës në Kuvend, këtë të premte ka vendosur përjashtimin për 60 ditë nga seancat plenare të gjashtë deputetëve të Partisë Demokratike, pas kërkesës së paraqitur nga deputetët e Partisë Socialiste.
Masat disiplinore janë marrë ndaj Flamur Nokës, Belind Këlliçit, Edi Palokës, Fidel Krekës, Luçiano Boçit dhe Besart Xhaferrit.
Për 14 deputetë të tjerë të opozitës, Sekretariati ka vendosur vetëm tërheqjen e vëmendjes, pa marrë masë përjashtimi. Në këtë grup bëjnë pjesë Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.
Vendimi vjen pas tensioneve të regjistruara një ditë më parë në Kuvend, ku deputetët demokratë bllokuan foltoren, pati përplasje verbale dhe u raportua për hedhje sendesh në drejtim të deputetëve të mazhorancës.
