A ka vizion politika sportive e Edi Ramës?
metër e nëntëdhjetë e pesë cm i gjatë dhe rreth 80 kg peshë trupore kishte shumë talent që në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, ku kaloi në ekipin e të rinjve me trajner Bashkim Milon. “Edi ishte një lojtar shumë i talentuar pavarësisht se ai edhe kur e pyesin të thotë se kam qenë një basketbollist i zakonshëm. Ai kishte një gjuajtje të shkëlqyer, me një precizion shumë të lartë, luftonte mrekullisht në mbrojtje dhe në tabelë ishte një luftarak i madh. Ishte shumë inteligjent dhe kryente veprime shumë të bukura taktike. Unë e kam patur dy vjet lojtar me të rinjtë e Dinamos dhe një vit jemi shpallur kampion kombëtar, në sajë të Edit, i cili u shpall atë vit koshëshënuesi më i mirë i kampionatit. Stërvitej si spartan, ishte agresiv në lojë, këmbëngulës dhe tepër social me shokët. Gjithmonë i bindej fjalëve të mia. Në moshën 17-vjeçare dinte shkëlqyer tre gjuhë të huaja: italishten, anglishten dhe frëngjishten”- thotë Profesori i asocuar dhe pedagog në Universitetin e Sporteve në Tiranë Bashkim Milo. Më pas në moshën 18-vjeçare ingranohet me ekipin e parë të Dinamos me trajner Fehti Borovën, një trajner i ditur e me shumë kulturë sportive-ka qenë 15 vjet trajner i të rriturve të Dinamos 1973-1988 si dhe trajner i ekipit kombëtar të basketbollit për të rritur për 25 vjet (1960-1985)- i cili e fut shumë shpejt në pesëshen e parë e më pas e rrëmben edhe në ekipin kombëtar. Edi Ramën e kanë vlerësuar shumë Valero Biankini trajneri i madh italian i ekipeve kampione në Itali si “Banko Roma”, “Skavolini” dhe “Force Cantu” dhe i shpallur në Itali ndër 100 figurat më të shquara të sportit italian të shekullit të njëzetë; Zhan Pier Deviçence, trajner i ekipit kombëtar të Francës erdhi në Shqipëri para viteve ‘90 për të zhvilluar një klinikë, një seminar për basketbollin ku e shoqëroi Edi. “Edi Rama kishte një kulturë të madhe, kishte një nivel të lartë në njohjen e sportit të basketbollit dhe të sporteve në përgjithësi”,- ish-shprehur trajneri francez. Gjithashtu Xhorxh Walker, shef i divizionit të sportit në Këshillin e Europës gjatë një vizite në Shqipëri kur ministër kulture ishte Edi Rama në darkën e shtruar për nder të tij, Wolker ka vlerësuar lart personalitetin kulturor dhe sportiv të ministrit shqiptar. Duke përshfaqur këto referenca për Edi Ramën kundroj se ai ka vërtet një vizion bashkëkohor për politikën sportive të qeverisë shqiptare për këto katër vjet e më tej gjë që do ta argumentojmë më poshtë.
Perceptimi i ri për ngrehinat sportive
Ai ka një vizion të qartë për zhvillimin e sportit. Dhe e ka nisur me objektet sportive që do të ndërtohen në Shqipëri. Pa terrene sportive nuk mund të kalohet në hope cilësore në sport. Ishte pikërisht ai që për herë të parë në të gjithë historinë 101 vjeçare të sportit shqiptar skicoi tok me Federatën Shqiptare të Futbollit me president Armando Dukën, ngritjen e impiantit të parë modern shqiptar “Elbasan Arena”, ku për një periudhë rekord katër mujore i blatoi shqiptarëve atë stadium me 11 tetor 2014 që mbresëroi edhe danezët në përballjen me ta të përfaqësueses së Shqipërisë së Giani Debiazit. Shkonte vetë të ndiqte punimet në kohë të ndryshme, jepte ide për zbukurimin dhe konceptin estetik e multifunksional të stadiumit. Dhe gjërat ndryshonin jo se kish thënë kryeministri, por se kish orientuar e bindur ekspertët e ndryshëm për efektivitetin e ndryshesave. Futbolli është “e dashura” e shqiptarëve, ndaj ai dhe qeveria e tij, investoi për atë stadium për shqiptarët, duke e ditur fort mirë se paratë janë të taksapaguesve shqiptarë, që e duan Shqipërinë ta shohin pak si Europë. Ai sugjeroi edhe ndërtimin e pistës së parë moderne, ku atletët shqiptarë e të huaj do të zhvillojnë gara e do të stërviten në të ardhmen. Sërish shkoi në Shkodër dhe bëri një vizitë në stadiumin “Loro Boriçi”, ku për të kaluar deri tek dyert e hyrjes u rrek të shkonte rrëzë mureve, sepse ujërat kishin përmbytur zonën përreth. Dhe shkodranët që dallohen për hokat e tyre duhet t’i kenë propozuar kryeministrit për të veshur çizmet e mëdha ose ti sillnin ndonjë sanall peshkatarësh, për kapërcyer vështirësitë. Rama kundroi magazet e brendshme të pluhurosura dhe me tjerrina merimangash, u fut në fushë, bisedoi me deputetë, futbollistë e i premtoi se pas një projekti të hartuar nga shkodranët, do të ndërtojmë stadiumin prej 20 mijë vendesh. Deklaroi disa ditë më parë se Shkodra ninulla e futbollit shqiptar me 8 tetor 2015 do ta ketë gati stadiumin modern për ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Europianit “Francë 2016” Shqipëri-Serbi. Për ti rrëfyer edhe serbëve se Shqipëria ka një impiant tjetër modern, ndryshe nga ai i ushtarakut “Narodnje Arme” ku Shqipëria e përfaqësuesja e saj u sakatosën nga primitivët njerëz tifozë të gangrenizuar dhe të epshuar nga antishqiptarizmi. Për t’i rrëfyer edhe europianëve se Shqipëria do t’i presë si miq përfaqësuesit e futbollit serb në një stadium të sigurt, modern e civilizues. Rama në Shkodër u interesua edhe për Pallatin e Sportit, ku pasi e shikoi dha sugjerimet e tij. Në Tiranë do të ndërtohet qendra kombëtare moderne sportive tek “Kompleksi Dinamo” brenda këtyre tre vjetëve. Në Vlorë Rama shkoi pak kohë më parë dhe në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës sugjeroi ndërtimin e një pirgu terrenesh sportive, për tu marrë me sport rinia dhe moshat e ndryshme vlonjate. Mu kujtua qyteti Delemont në Zvicër, ku skuadra e futbollit në vitin 1998 ishte në kategorinë e dytë dhe unë mbeta i beftësuar, kur pashë 10 fusha të barta në një kompleks ku stërviteshin të gjitha moshat. Qeveria shqiptare, Ministria e Arsimit dhe Sporteve kanë tashmë projekte për terrenizimin sportiv të shkollave e qyteteve shqiptare në bashkëpunim me bashkitë dhe komunat.
Arsimi parauniversitar e universitar dhe revolucioni programor
Shqipëria është vendi i fundit në botë përsa i përket aktivitetit fizik të qytetarëve shqiptarë. “Vetëm 4% e popullsisë shqiptare merren me aktivitet fizik”- pati deklaruar zv/ministri i sporteve Rauf Dimraj vetëm dy ditë pasi mori detyrën e tij. Edukimi fizik në shkolla thuajse ishte shuar. Arriti deri aty sa para tre vjetësh në shkolla të realizohej vetëm një orë mësimi në javë!!! Asnjë vend në botë nuk kish arritur deri në këtë lloj reprezaljeje. Edukimi fizik në shkolla në SHBA, Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani etj është nga më primarët. Në SHBA nxënësit e arsimit parauniversitar dhe universitar jo vetëm që kanë orë mësimi të shumta, por ato përzgjedhin edhe 2-3 sporte për zhvillim, kjo e alternuar në semestrale. Një studente nga Shqipëria që studion në një universitet amerikan është regjistruar në tre sporte: në golf, tenis dhe not. Nxënësit në klasat e arsimit parauniversitar përveç shkollës janë të regjistruar edhe në ekipet e ndryshme të qyteteve, ku një pjesë të pagesës e kryejnë prindërit dhe një pjesë shteti e organizmat vendorë. Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka vendosur në programin shkollor tre orë në javë edukim fizik si dhe ka krijuar klasat sportive, ku më cilësorët do të seleksionohen dhe do të trajnohen nga specialistë cilësorë. Pasditet sportive po eksperimentohen në Durrës, Pogradec e Korçë ku nxënësit bëjnë aktivitete sportive. Po kështu ushtrimet fizike të mëngjesit prej 20-25 minutash kanë mbirë në disa shkolla të Korçës e Pogradecit. Vetë Zv/ministri Dimraj gjatë gjithë verës është angazhuar në trajnimin e mësuesve me rigorozitet. Janë rreth 500 mijë nxënës e studentë që tashmë ushtrohen me aktivitet fizik. “Drejtoria e sporteve ka krijuar grupet e punës për për ngritjen e Federatës së Sportit Shkollor, bërjen e ligjit për sportin e dokumentacione të tjera për sportin shqiptar. Po merret përvojë nga vendet më të zhvilluara në sportin europian. Ka një bashkëpunim shumë të mirë me federatat, KOKSH-in, Qendrën Antidoping dhe është bërë një shpërndarje e fondeve sipas federatave të cilat sjellin projekte për fondet grant që jep digasteri. Po kështu janë fituar projekte europiane si nga Federata e volejbollit , Karatesë etj për zhvillimin e sportit në shkolla e klasa sportive. Nuk ka më para që të shkojnë në xhepat e individëve për pasurim si më parë. Sporti duhet të jetë i pastër dhe larg korrupsionit, ndaj kemi forcuar kontrollet për administrimin rigoroz të tyre”- thotë Vladimir Gjoni, drejtor i Sporteve në MAS. Shprehja e Konfucit:” Unë dëgjoj unë harroj, unë shikoj unë kujtoj, unë bëj unë kuptoj” që është edhe moto e filozofisë amerikane të prakticitetit aktiv, ka filluar të ndjehet edhe në mjediset shqiptare të sportit. Ministrja Lindita Nikolla po kristalizon dhe po katalizon bërjen.
Paralele kohore midis dy qeverive
Për tetë vjet qeveria e mëparshme nuk bëri asgjë për zhvillimin e sportit. Fondet u ulën aq shumë sa që një federatë si ajo Taekwondos kishte një fond prej pesë milion lekësh të vjetra (!!!) (këtë vit iu dha 15 milion), futbollit asnjë lek, federatave të basketbollit, volejbollit etj tek 90 milion lekë të vjetra. Peshëngritjes, sportit që ka dhuruar medalje ari, argjendi e bronzi rreth 130-140 milion lekë. Dhe më paradoksalja ishte se rreth 30-40% e fondeve ju hiqeshin federatave në tremujorin e tretë ose të katërt nga qeveria sepse mungonin paratë. Ndërtoheshin rrugë kote në fshatra me shumë pak banorë e para për sportin nuk kishte. Imazhi i Shqipërisë në Lojëra olimpike, kampionate botërore, europiane u bë skandaloz. Një turpërim i madh ju përshfaq Shqipërisë në Londër 2012 ku 11 sportistë shqiptarë arritën rezultate shumë të dobta, një u përjashtua për përdorim dopingu. Në hapje të Olimpiadës shkuan kryeministri i Shqipërisë, ministri i paaftë i kulturës dhe sporteve e tj, i bënë me dorë sportistëve dhe u kthyen mbrapsht pa asnjë feedback. Rrumpalla vijoi. Deputetë, ministra, zyrtarë, galopnin nëpër tribunat e mjera të” Qemal Stafës” me shalla kuqezi në ndeshjet e përfaqësueses e sërish ktheheshin në parlament e institucione e nuk ndërmerrnin një nismë për futbollin e sportin në përgjithësi. Ca sharlatanë të shtypit me thinja në kokë që nuk thurnin “për be e rrfe” një kritikë për 8 vjet të qeverisë të së shkuarës, për degdisjen e sportit, për atë sot deregjeje ku kish sosur dhe sot kur “gjëvizionitë” po progresojnë në drejtim të së mirës, pa pikë turpi urdhërojnë institucionet qeveritare e sportive që të bëjnë stadiume të reja në të gjithë Shqipërinë, për këtë e atë qytet. “Duheshin rrugë e autostrada se nuk mund të shkohej në Elbasan nga Krraba e më pas t’i vinte radha stadiumit të Elbasanit” – thotë dikushi. Po në Tiranë, Shkodër e Durrës ku kishte rrugë e autostrada para Elbasanit mor opiumhedhës për lexuesit a mund të ndërtohej një stadium?!. Harrojnë këta vetmitarë të UNIT në shtyp se për 23 vjet askush nuk e çoi mendjen tek “qielli parajsë” i sportit.
Feedback për ardhmërinë dhe cilësinë e sportit
Shumë ekipe të sporteve të ndryshme nuk kanë mundësi të marrin pjesë në kampionate europiane, botërore, ballkanike të moshave e të të rriturve femra e meshkuj sepse s’kanë para. Në kupat e Europës ekipe të volejbollit, basketbollit etj nuk marrin pjesë se nuk ka fonde. Federatat europiane kanë ulur numrin e ekipeve shqiptare nga gjashtë në katër psh në volejboll e nesër sërish mund t’i mpakin. Në volejboll vetëm ekipi i meshkujve të Studentit mori pjesë sivjet në kupat e Europës, pasi Ministria e Arsimit e Sporteve ja kaloi klubit të Studentit 20 milion lekë të vjetra nga fondet e Federatës së volejbollit për t’ja rikthyer vitin tjetër. Klubet e sporteve përveç futbollit janë të varfra. Federatat po ashtu. Prindërit e varfër të fëmijëve të talentuar nuk kanë para për t’u dhënë trajnerëve për të stërvitur fëmijët e tyre. Paratë u jepen federatave vetëm për zhvillimin e kampionatit. Marrja pjesë ne një kompeticion europian apo ballkanik shkon nga 10-30 mijë euro. Biznesi nuk ofrohet. Shumë trajnerë të zotë, profesorë me tituj në Universitetin e Sporteve qëndrojnë në heshtje, kur mund të trajnonin fëmijë e të rinj të talentuar në sporte të ndryshme e rezultatet e nivelit europian do të shfaqeshin më shumë. Ligji për Sportin duhet të stimulojë bizneset. Qeveria Shqiptare duhet të akordojë më shumë para vjetore për federatat. Si fillim 2-3 milion euro në vit duhet t’i akordohen sportit, federatave e pushtetit vendor vetëm për zhvillimin cilësor të disa sporteve që kanë tendencë të japin progres. Gjermanët kanë një shprehje “In Gang komen” (Makina fillon të punojë, është vënë në punë). Dhe vërtetë në Shqipëri ka filluar të punojë makina e sportit.