Agjencia Japoneze nis një projekt të ri në Shqipëri

Konferenca për fillimin e “Projektit për Informacionin Gjeohapësinor për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Territorit në Zonën Tiranë-Durrës në Republikën e Shqipërisë” u zhvillua më datë 24 Tetor 2018.

Konferenca u organizua në kuadrin e një platforme rajonale për shkëmbimin e njohurive, në të cilën morën gjithashtu pjesë specialistë nga Maqedonia, Kosova dhe Japonia. Në konferencë ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i ASIG Lorenc Ҫala, Ambasadori i Japonisë në Shqipëri Z. Makoto Ito, përfaqësuesi i Zyrës Qendrore të JICAs Naomichi Murooka, Përfaqësuesi Rezident i Zyrës së JICA në Ballkan Z. Hideya Kobayashi, si dhe përfaqësues nga institucionet kryesore qëndrore dhe vendore që kanë lidhje me projektin.

“Projekti për Informacionin Gjeohapësinor për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Territorit në Zonën Tiranë-Durrës në Republikën e Shqipërisë”, do të financohet nga JICA dhe po implementohet nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor. Ky projekt angazhon Japoninë të asistojë Qeverinë e Shqipërisë në prodhimin dhe mirëmbajtjen e hartave topografike digjitale për zonat e Durrësit dhe Tiranës, sipas standardeve bashkëkohore të përdorura në Japoni.

Përmes këtij projekti Japonia do t’i sigurojë Qeverisë së Shqipërisë mbështetje financiare, asistencë teknike, pajisje, transferim kompetencash, eksperience dhe teknologji për një shumë prej afërsisht 3 milion Eurosh, me qëllimin për të promovuar zhvillimin e informacionit gjeografik të brendshëm.

Ky projekt është organizuar në kuadrin e një iniciative rajonale për të promovuar infromacion modern dhe të digjitalizuar gjeografik. Shqipëria është vendi i fundit në rajon që po hedh hapa në këtë drejtim, pasi JICA ka mbështetur edhe shtete të tjera në rajon për të krijuar harta topografike moderne dhe digjitale.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm Ҫala, i shprehu vlerësimin e tij Qeverisë së Japonisë për asistencën e ofruar përmes këtij projekti. Ai gjithshtu paraqiti një raport të detajuar të punës së bërë deri në këto momente, kryesisht mbi krijimin e grupeve të punës dhe programin e aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë dy viteve në vazhdim.

Ambasadori i Japonisë, Z. Makoto Ito, në fjalimin e tij vuri në dukje, marrëdhënien e gjatë dhe miqësore midis Japonisë dhe Shqipërisë. Ai gjithashtu përmendi se Japonia i ka siguruar grante dhe asistencë teknike Shqipërisë përgjatë 20 viteve të fundit, kryesisht në fusha të tilla si zhvillimi ekonomik, energjia dhe infrastruktura, bujqësia dhe burimet njerëzore me qëllimin për të krijuar në Shqipëri komunitete më të sigurta, të shëndetshme dhe të pasura.

Ambasadori Ito shprehu gjithashtu besimin e tij se një sistem hartash i digjitalizuar dhe modern, si dhe një sistem kadastral që funksionon mirë, do të lehtësojnë zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë duke siguruar investime në fushën e pasurive të patundshme, ofruar incentive për investitorët e huaj, lejuaj një menaxhim më të qëndrueshëm të tokave, lehtësuar aftësinë e personave dhe bizneseve për të marrë hua, si dhe duke përmirësuar ndërlidhjen e brendshme të ekonomisë Shqipëtare përmes zhvillimit të infrastrukturës dhe informacionit.

Nga ana e tij, Z. Murooka paraqiti një raport të aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë këtij projekti, duke përfshirë por pa u kufizuar në krijimin e hartave topografike digjitale, zhvillimin e kontrolleve cilësore, pajisjen me pajisje moderne për prodhimin e hartave topografike, përmirësimi i aftësive margjinale dhe teknike të institucioneve Shqipëtare për të krijuar harta topografike dhe siguruar një zhvillim efikas të hartave cilësore.

SHKARKO APP