Aksioni i Prefektit Shkëlqim Hajdari: Nga mbetje urbane në 30 hektarë plazh publik!
Një ndërhyrje e gjerë e ndërmarrë nga Prefektura e Tiranës ka rikthyer në funksion një pjesë të rëndësishme të vijës bregdetare në zonën e Rrogozhinës dhe Kavajës. Rreth 20 kilometra bregdet janë pastruar plotësisht nga mbetjet urbane dhe shkurret, duke i hapur rrugë transformimit të kësaj hapësire në një zonë të aksesueshme për pushuesit.
Nën drejtimin dhe koordinimin e Prefektit të Tiranës Shkëlqim Hajdari, aksioni mobilizoi qindra punonjës dhe mjete të specializuara, për të ndërhyrë në një territor që prej kohësh ishte kthyer në një pikë grumbullimi mbetjesh, kryesisht si pasojë e prurjeve të lumit Shkumbin.
Si rezultat i këtij operacioni, rreth 30 hektarë plazh publik pritet të jenë gati për qytetarët brenda fundit të muajit maj, duke sjellë një ndryshim të dukshëm në panoramën e zonës. Banorët e VilëBashtovës e shohin këtë ndërhyrje si një mundësi konkrete për zhvillim ekonomik, pasi rikthimi i plazhit publik pritet të sjellë më shumë vizitorë dhe aktivitet në zonë.
Sipas Hajdarit, puna nuk ndalet me pastrimin. Në vijim do të realizohet sistemimi i plotë i hapësirës, përfshirë krehjen dhe sheshimin e terrenit, me qëllim që kjo vijë bregdetare të bëhet plotësisht funksionale dhe e aksesueshme për publikun.

KOHA JONË SONDAZH

