Aksioni kundër evazionit, kontrolli nis nga bizneset VIP
Inspektorët, të shoqëruar nga Policia e Shtetit, do të kontrollojnë bilancet e bizneseve, faturat e lëshuara, përdorimin e pajisjeve fiskale, regjistrimin në QKR etj.
Nga kjo e martë inspektorët tatimorë, të mbështetur edhe nga Policia e Shtetit dhe institucione të tjera, do të nisin aksionin kundër informalitetit. Aksioni mbarëkombëtar ka tre objektiva kryesorë, që fillojnë nga pastrimi i bizneseve joaktive, identifikimi i atyre të paregjistruara, identifikimi i kompanive që bëjnë evazion e deri te përdorimi i kasave dhe lëshimi i kuponëve tatimorë.
Ministra e Financave ka paralajmëruar se nga do të nisë ky aksion dhe çfarë pretendon qeveria se do të arrihet nëpërmjet tij. I konceptuar si një aksion, i cili nuk do të jetë një luftë ndaj biznesit, por ndaj paligjshmërisë, inspektorët do të kontrollojnë bilancet e bizneseve, faturat e lëshuara, përdorimin e pajisjeve fiskale, regjistrimin në QKR etj. Sipas të dhënave, edhe ky kontroll do të kryhet në bazë risku.
Por, a do të arrijë qeveria të fitojë betejën ndaj informalitetit me këtë aksion? Disa nga ekspertët shprehen dyshues për rezultatet e tij. Nëse ky aksion do të ketë vetëm si qëllim penalizmin e disa prej bizneseve që kanë shkelur ligjin, atëherë rezultatet e tij mund të jenë afatshkurtra, ndërsa problemi i vërtetë ende nuk është zgjidhur. Bizneset dhe ekonomistët e mbështesin idenë për të ndëshkuar abuzuesit, por ata thonë se fillimisht qeveria duhet lehtësojë barrën e taksave, të përmirësojë defektet e administratës, e konkretisht të luftojë korrupsionin në tatime dhe dogana e më pas të vijojë me aksione. Ky operacion që duket se do të jetë i ngjashëm me atë të zhvilluar ne sektorin e energjisë, vjen ne një moment kur gjendja e ekonomisë dhe e financave publike nuk është aspak pozitive dhe kur ekonomia informale është 50 %.
Vetë kryeministri Rama në një dalje për mediat pas pushimeve verore tha se, sipas të dhënave të qeverisë, 1 në 3 biznese, ose nuk është i regjistruar, ose nuk është i pajisur me kase fiskale, ose nuk e përdor atë. Sipas tij, ky realitet ka bërë që lufta kundër informalitetit të jetë aksioni më i vështirë, i cili do të nisë nga biznesi i madh. “Nafta, cigarja, mallrat e vlerës dhe tregtia me shumicë do të jenë në qendër të përpjekjes sonë frontale. Por, pa dyshim, zinxhiri i informalitetit ka një fillim, ka dhe një fund”.
Rama ka apeluar që në këtë betejë biznesi të mos trajtohet si armik, duke theksuar se nga rezultatet e aksionit varet e gjithë ekonomia e Shqipërisë.
“Fitorja e kësaj beteje është e barabartë me ulje taksash, rritje rrogash dhe mundësi shumë më të mëdha për investime publike në të mirë të çdo komuniteti”.
Por paralajmërimet më të forta Rama i rezervoi në atë kohë për administratën doganore e atë tatimore, të cilat sipas tij janë pjesë e problemit historik të informalitetit në ekonominë shqiptare, duke deklaruar se me fillimin e sesionit të ri parlamentar do të ndryshohet edhe ligji, për të ashpërsuar dënimin ndaj punonjësve që marrin ryshfet.
Ekspertët
Kontabilistët, një nga hallkat e rëndësishme që ndikon në fenomenin e evazionit fiskal, akuzojnë administratën tatimore si përgjegjësen kryesore për situatën e informalitetit në vend. Duke pranuar edhe problemet që mbart ky treg, kreu i një prej shoqatave të ekspertëve kontabël, Julian Naqellari thotë se janë vetë inspektorët që i hartojnë bilancet e biznesit, ndërsa kontabilistet vetëm firmosin. Për kontabilistët, edhe tregu që ata përfaqësojnë ka informalitet, situatë kjo e cila pranohet dhe tolerohet nga vetë tatimorët. Kreu i Shoqatës së Kontabilistëve kërkon që aksioni të nisë nga tregu që ata përfaqësojnë. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani akuzoi ashpër kontabilistët si një nga hallkat që kontribuon në rritjen e evazionit në vend. Për ministrin, shumë prej tyre ndikojnë në hartimin e dy bilanceve të sipërmarrësve, me qëllim fshehjen e shifrave për të paguar sa më pak taksa dhe tatime.