Aktori i njohur shqiptar rrëfen jetën pas divorcit dhe punën me artin

Aktori Herion Mustafaraj prej disa kohësh është rikthyer në ekranet shqiptare. Në një intervistë me Rudinën në TV Klan, ai ka folur për karrierën dhe jetën private.

Herioni është babai i një vajze adoleshente, për të cilën thotë se është kujdesur për të mbështetur pasionet e saj.

“Dea është 14-vjeç. Unë jam kujdesur për të, sepse pashë që kishte talent, kishte diçka shpërthyese brenda dhe u mundova t’i jap një edukatë në piano, në këngë dhe Dea sot është në një shkollë të mesme në New York, ku studion për art, për pikturë dhe për krijimtari. Pianos vazhdon t’i bjerë edhe këndon, edhe kërcen, i ka këto komplementare, i ka të brendshme, të vetat, por më çudit, qenka edhe një shkrimtare shumë e mirë edhe një piktore shumë e mirë.

Një nga pikturat e saj është futur në muzeumin e shkollës, që nuk është gjë e lehtë. Plus që shkollën e saj e ka fituar me zotësi, pa para, prandaj Erioni vjen këtu në Shqipëri dhe punon në televizione pa pare”, ka thënë ai.

Përsa i përket artit edhe Herioni është i mendimit që, në vendin tonë artistët ende nuk marrin meritat që u takojnë.

“Arti këtu është ndryshe nga arti në Amerikë. Këtu po ta lësh veten që të të vijnë të ardhurat vetëm nga arti nuk është aq frutdhënëse dhe nuk mund të kesh një jetesë të përsosur. Këtu është një sfidë, sepse duhet të mbash gjallë instikin dhe pasonin, duke mos u paguar në krahasim me sa paguhen artistët nëpër botë. Shpresojmë të ndryshojë!”

Lidhur me jetën private, ai shprehet se pavarësisht sfidave, njeriu duhet të ecë përpara.

“Jam shumë i dashuruar. Në rradhë të parë me veten. Një miku im më ka thënë që, njeriu duhet të dojë veten më shumë, shkruan Tv Klan. Dhe aty e kuptoj që dashuria fillon nga ne. Unë kam shumë dashuri brenda vetes, kam një njeri që e dua, por unë kam kaluar në një marrëdhënie 13-vjeçare martese dhe si të thuash, në veten time po gjej mundësi që të rikuperoj diçka, që nuk vajti ashtu siç e kisha menduar unë. Por mbase njëkohësisht, edhe prindërit e mi patën një histori të tillë dhe atyre nuk u vajti siç e kishin menduar.

Por, njeriu mbi të gjitha duhet të kërkojë dhe të gjejë diçka të vërtetë dhe të mos jepet kurrë edhe sikur gjërat të mos shkojnë mirë. Rëndësi ka që ne, edhe pasi ndodhin gjërat të duam njëri-tjetrin, sepse vërtet ajo gjë që na lidhi është aty, pavarësisht se ne mund të mos e shohim më si aq të rëndësishme në moment.

Mbi të gjitha njeriu ka një frut, një lule, që është fëmija dhe ajo gjë na bashkon edhe ne të dy si çift. Nëse duam që ajo lule të rritet e bukur duhet të ruajmë dashuri për njëri-tjetrin. Pastaj të tjerat janë gjëra private shumë, që njeriu eksperimenton dhe nuk mund t’i bëjmë absolute. E rëndësishme është të jetosh dhe të dashurosh”, thekson aktori.

SHKARKO APP