Altin Dumani: SPAK ka sekuestruar 150 milionë euro asete të krimit të organizuar
Altin Dumani ka theksuar sot se SPAK po heton krimin e organizuar me partnerë ndërkombëtar të fushës, çka tregon se krimi po merr goditje të forta.
Kreu i SPAK, Altin Dumani thotë se tashmë struktura që ai drejton është funksionale. Në Komisionin e Monitorimit të AP të Këshillit të Europës, Dumani u shpreh se një nga shtyllat e suksesit ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar.
Sipas tij nga data e krijimit të SPAK deri tani janë sekuestruar një total prej 150 milionë euro asete.
“Krahas ushtrimit të ndjekjes penale, në fokus të SPAK është edhe identifikimi dhe konfiskimi i produkteve te veprës penale si për subjekte që janë ndjekur penalisht për veprën penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Nga data e krijimit të SPAk deri ditën që flasim kemi sekuestruar një total asesh 150 mln euro”, tha Dumani.
Sipas tij, nga hetimet ka rezultuar që zyrtarë të lartë kanë lidhje me krimin organizuar. Lufta kundër këtij fenomeni -tha Dumani- nuk mund të kryhet e vetme.
“Një shtylle e suksesit të SPAK ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar. Në të gjitha hetimet tona ku në fokus ka qenë krimi i organizuar kemi gjetur lidhje të këtij të fundit edhe me zyrtarë të cilët janë korruptuar apo janë bërë pjesë e grupeve të krimit të organizuar.
SPAK nuk mund të luftojë i vetëm korrupsionin dhe ka nevojë për bashkëpunim. I kemi bërë thirrje dhe shprehim gatishmërinë për bashkëpunim”.