Ambasada Ruse: Trillimet mediatike që dëmtojnë raportet Shqipëri-Rusi
Ditët e fundit në median shqiptare qarkullon lajmin për planin e ekzekutimit të Lulzim Bashës, për të destibalizuar Shqipërinë. Gazeta “Shekulli” në një artikull të botuar sot shkruan se dyshohet se pas këtij plani qendron Rusia. Ndaj shkrimit të gazetës “Shekulli” ka reaguar sot Ambasada ruse në Tiranë.
Deklarata e plotë e Ambasadës ruse:
REAGIM ndaj shkrimit të botuar në gazetën “Shekulli”
Nga Ambasada ruse është pritur me habi të madhe artikulli i gazetarit shqiptar z. Isuf Kurtaj, botuar më 14 prill 2017 në gazetën “Shekulli”, si dhe në faqen e internetit me adresë: shekulli.com.al/p.php?id=615049. Në titullin e materialit të tij “të bujshëm” autori informon publikun se Rusia gjoja po përgatit plane për të organizuar një atentat ndaj kryetarit të Partisë Demoktarike të Shqipërisë z. Lulzim Basha. Duket vërtet paradoksale, por në vetë tekstin e artikullit, në variantin e tij të shtypur në gazetë, Rusia nuk përmendet në asnjë rast.
A sjell z. Kurtaj ndonjë provë të “dyshimeve” të tij? Natyrisht që jo.
Në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme, mbështetur mbi thashetheme dhe spekulime, gazetari në fjalë ngre ndaj Rusisë një akuzë shumë të rëndë, e cila nuk mund të cilësohet ndryshe veçse një shpifje.
Titulli bombastik i përdorur nga autori është një shembull shumë i qartë i asaj “sëmundjeje” që me kohë ka pushtuar gazetarinë perëndimore dhe e cila, siç duket, ka filluar të depërtojë edhe në Shqipëri.
Ambasada, me gjithë respektin që ka për gazetën “Shekulli” dhe stafin e saj, konstaton me keqardhje se kjo gazetë në këtë rast është bërë e ngjashme me mediat perëndimore, të cilat po e fryjnë me vetëmohim mitin për të ashtuquajturin “kërcënim rus”, dhe preferojnë ta shohin “dorën e Moskës” në ngjarje dhe fenomene nga më të befasishmet.
Në gjykimin tonë, artikulli i z. Kurtaj përbën një mungesë profesionalizmi, është një shembull i manipulimit të opinionit publik, si dhe mungesës së respektit ndaj lexuesve.
Është për të ardhur keq që gazetari nuk e quan si diçka të domosdoshme verifikimin e vërtetësisë së të dhënave që transmetohen për publikun. Përhapjen e trillimeve të këtij lloji ne e shohim si të papranueshme dhe aspak të favorshme për zhvillimin e marrëdhënieve Rusi-Shqipëri.
Shpresojmë se drejtuesit e gazetës “Shekulli” do të bëjnë një analizë objektive të situatës, dhe do të formulojnë një reagim të përshtatshëm ndaj këtij komenti të Ambasadës.