Antievazioni, kosto apo përfitim
Disa javë nga nisja e aksionit antiinformalitet, rezultatet e para po dalin në pah. Qeveria ka formalizuar 20 mijë biznese dhe pret të arkëtojë 330 milionë dollarë. Në frontin tjetër ka nisur falimenti në biznesin e vogël, çmimet kanë nisur të rriten për mallrat dhe shërbimet. Aksioni pa sensibilizim ka çorientuar edhe bizneset e ndershme. Ekspertët, në krah të kundërt me qeverinë. Modeli Turk i antievazionit përballë një mungese totale transparence të qeverisë shqiptare
Nga Blerina Hoxha, Monitor
Është ende herët për një bilanc ndaj aksionit antiiformalitet kur nuk kanë kaluar as tre javë që nga nisja, por shenjat e para kanë filluar të duken.
Nga kampi i qeverisë rezulton se deri tani, 20 mijë biznese në të gjithë vendin janë regjistruar, ndërsa mijëra të tjerë kanë zënë radhën në sportelet e QKR, saqë institucionet fiskale janë zënë në befasi me fluksin e papritur dhe nuk po përballojnë dot shërbimin. Treguesi i dytë nga pala qeveritare lidhet me pritshmëritë për arkëtimin e 330 milionë dollarëve në buxhet.
Por, për anën tjetër të kampit (bizneset), ndonëse efektet nuk janë të matshme statistikisht për momentin, ajo çfarë shihet në terren është një sinjal që do të prodhojë zhbalancime në ekonominë e përgjithshme në periudhat e mëvonshme. Mijëra njësi të shitjeve me pakicë dhe ofrimit të shërbimeve në të gjithë vendin janë mbyllur. Sipas vëzhgimit të ‘Monitor’, kjo është pjesa më vulnerabël e biznesit që ka vetëm një të punësuar dhe nuk i dalin llogaritë për të blerë kasën dhe për të ndarë fitimin me shtetin. Pasojat për këtë kategori lidhen me shpalljen e emergjencës për të siguruar jetesën e përditshme, pas mbylljes së aktiviteteve, ndërsa pasojat në ekonominë e përgjithshme po shtrihen me rritjen e çmimeve dhe të spekulimeve gjithashtu. Këto ditë, çmimet e cigareve në pikat e pakicës janë rritur me nga 10 deri në 30 lekë, ndërsa produkte që prodhohen në vend në mënyrë të paligjshme, (detergjentë, cigare, etj.) po shiten me vlera më të larta dhe fshehurazi.
Pothuajse i gjithë komuniteti i biznesit është zhytur në paqartësi, pasi janë tërësisht të painformuar për hapat e aksionit, sepse biznese të ndryshme kanë specifika të veçanta. A duhet kasa për një biznes që e ka aktivitetin të bazuar me fatura bankare dhe nuk bën asnjë transaksion cash? Makthi i ka mbërthyer të gjithë, edhe ata të rregulltit. Edhe pse kanë kasë dhe i kanë paguar detyrimet, furnizimet e tyre janë në rrezik se nuk i kanë faturat e blerjes. Në këtë mënyrë punojnë gati 50% e bizneseve të vogla që tani e kanë të pamundur të gjejnë faturat e furnizimeve të para gjashtë muajve. Malli i tyre do të sekuestrohet nëse gjendet nga tatimet, duke e rrezikuar seriozisht ekzistencën e tyre. Të tjerë janë të acaruar prej faktit se, tani janë të ekspozuar edhe para spekulimeve.
Qeveria, edhe pse e ka nisur aksionin, nuk e ka bërë publike dokumentin e shkruar me planin e masave antiinformalitet. Ky detyrim si minimumi i transparencës, do të mundësonte azhurnimin e biznesit për të qenë palë në këtë mision. Vendet e tjera të rajonit, të gjendura ngushtë pas krizës së vitit 2008 për të siguruar likuiditetet e nevojshme për buxhetin, i janë drejtuar reduktimit të informalitetit. Modeli Turk duket se është më i ploti dhe para se të nisë zbatimin, ka kaluar në një ekspertizë të gjerë, ku janë bërë studime të fizibilitetit për të ekzaminuar sektorët dhe taksat që kanë evazionin më të lartë. I shtrirë në 6 vjet, që nga 2008 dhe në ditët e sotme, vijon ende implementimin, duke pasur për qëllim reformimin e administratës fiskale dhe zgjerimin e saj, përmirësimin e legjislacionit dhe më pas kontrollim me tregtinë e karburanteve, mineraleve dhe cigareve, duke mos shpallur emergjencë fiskalizimin e biznesit të vogël. Edhe sot, nëse shkon në Turqi, të qëllon shpesh të blesh pa faturë.
Mali i Zi, nga ana tjetër, ka nisur aplikimin e një strategjie për reduktimin e evazionit në pranverë të këtij viti, në themel të të cilit është formalizimi i punonjësve dhe me këtë rast, edhe rritjen e arkëtimeve nga sigurimet shoqërore dhe taksa e punës. Por çfarë shembulli po ndjek Shqipëria?! Kjo nuk mund të thuhet sepse nuk ka asnjë dokument të publikuar për këtë qëllim deri më sot, edhe pse ky do të ishte minimumi i transparencës që një qeveri duhet të ketë ndaj qytetarëve të saj.
Interesimit të ‘Monitor’, institucionet taksambledhëse në vend i dhanë përgjigje të parakorduara, duke shmangur përgjegjësinë e publikimit të një dokumenti që duhet të ishte publikuar që pa nisur aksioni.
Aksion pa sensibilizim, çorientohen bizneset
Teksa tatimorët kanë vërshuar në terren pa një fushatë ndërgjegjësimi, shumë biznese i kanë ulur qepenat thjesht nga frika dhe nga mosinformimi, edhe pse mund të jenë OK me ligjin.
Qeveria dhe institucionet e saj taksambledhëse jo vetëm që nuk ndërmorën një fushatë sensibilizimi për të sqaruar specifikat për kategori të ndryshme biznesi, por nuk po mbulojnë dot me shërbim këshillimor edhe ata që duan të informohen në sportelet e saj. Në zyrat e QKR dhe në drejtoritë e tatimeve ka dyndje të mëdha dhe shanset për sqarime janë të pakta. Një biznes i informatikës dhe programimeve e ka të bazuar aktivitetin e biznesit totalisht në transferta bankare në llogari të posaçme, për biznes, por e ka mbyllur aktivitetin për shkak se nuk e ka kasën fiskale. Kontabilistët sqarojnë se në këto kushte, përdorimi i kasës nuk është i nevojshëm pasi biznesi është i deklaruar tërësisht në bankë dhe nuk punon me cash. Ndërsa kontabilisti e ka dhënë sqarimin e tij, kjo nuk vlen për të rinjtë tatimorë të terrenit, të cilët i kanë vënë gjobë për mospërdorim kase. Tani çështja është në gjyq, por deri në zbardhjen e saj, aktiviteti është mbyllur. Burimet zyrtare të tatimeve sqaruan ‘Monitor’ për biznesin në fjalë se duhet të paraqitet në degën përkatëse të tatimeve dhe të plotësojë një deklaratë në të cilën pranon se kryen të gjitha transaksionet në bankë dhe në këtë mënyrë nuk merr asnjë penalitet për mospërdorim kase. Por në rast se në vijim ai kapet duke kryer pagesa cash dhe nuk ka kasë procedohet urgjentisht për evazion fiskal dhe i konfiskohet e gjithë veprimtaria.
Ky shembull është vetëm një pikë ujë në lumin e madh të problematikave që ka prodhuar aksioni antiinformalitet. Bizneset e rregullta ndërkohë janë të stresuar, pasi aksioni është përqendruar në disa prej tyre, edhe pse janë në rregull me ligjin. Një njësi shërbimi permanent në rrugën ‘Don Bosko’, edhe pse është në rregull me legjislacionin tatimor, pret e përcjell çdo ditë nga dy-tre grupe tatimorësh vetëm pse salloni është ekspozuar në rrugën kryesore. Grupet e kontrollit nuk kanë qenë të koordinuara, pasi shumica e bizneseve nuk është kontrolluar fare këto ditë, ndërsa për disa të tjera, edhe pse janë në rregull kontrollet, janë kthyer në makth. Në gjithë këtë situatë tregjet e pakicës janë çrregulluar totalisht.
Bizneset rrezikojnë falimentin
Data 1 shtator kur u njoftua nisja e aksionit ka gjetur në magazinat e bizneseve në të gjithë vendin tonelata mallrash pa faturë. Këto artikuj janë blerë gjatë periudhave të mëparshme pa faturë dhe nuk mund të tregtohen, pasi në rast se bien në kontakt me tatimorët sekuestrohen automatikisht dhe ndaj biznesit nis procedimi për evazion fiskal veç sekuestros.
Erion Prifti, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve ndaj Tatimpaguesit pohoi se, të gjitha mallrat që do të gjenden pa faturë tatimore do të sekuestrohen. Ai sqaroi se për të shmangur sekuestron, bizneset duhet t’i drejtohen shitësit të mallit për faturën tatimore, ndryshe nuk ka kanë asnjë zgjidhje tjetër.
Por, nga ana tjetër, ekonomisti i një biznesi të shumicës që furnizon pikat e pakicës me artikuj të ndryshëm ushqimorë pohoi se nëse nuk gjendet një rrugë e mesme, rrezikojnë falimentin 40% e bizneseve të vogla. Në kushtet e anonimatit, ai pohoi se është e pamundur të lëshohen fatura për mallra të shitur 6 muaj më parë për shkak të mbylljes së llogarive për ato periudha. Ai pohoi se furnitorët nuk kanë leverdi të lëshojnë faturat e prapambetura, pasi do të ekspozoheshin ndaj evazionit fiskal dhe rrezikojnë gjoba.
Agim Binaj, ekspert kontabël, tha se mbyllja e bizneseve dhe sekuestrot nuk i shërbejnë askujt. Ai propozon që t’i lihet një kohë biznesit që të inventarizojë mallrat pa dokument dhe pas kësaj mallrave u merret 20% e vlerës së TVSH dhe futen në librat e llogarisë. Sipas kësaj mënyre, tha ai, edhe biznesi i shpëton falimentit, por dhe buxheti arkëton vlera monetare. Nëse kjo metodë ndërmjetëse nuk funksion, thotë Binaj, dhe bizneset vijojnë të mos inventarizojnë mallrat pa faturë, atëherë mund të përdoret përveç sekuestros, edhe dënimi me burg.
Kohë të arta për ekonomistët
Evazioni fiskal në Shqipëri është i lartë edhe për shkak të një kulture të ulët fiskale. Shumica e bizneseve nuk kanë njohuri të mjaftueshme për detyrimet që kanë ndaj shtetit, ndërkohë që të këshillohesh kushton. Ekspertët kontabël dhe ekonomistët pohojnë se, bizneset përgjithësisht kanë njohuri të mangëta për legjislacionin fiskal, procesin e regjistrimit etj., por edhe organet tatimore nuk është se janë investuar shumë në drejtim të edukimit të tatimpaguesit. Kohët e fundit, sidomos këtë muaj, kur regjistrimi është çështje emergjence, bizneset janë turrur me vrap në kërkim të ekonomistëve. Haki Isai, i cili administron tatimet për të paktën katër biznese të vogla pohon se, ka një bum kërkesash për të mbajtur llogaritë e bizneseve të reja që janë regjistruar rishtas në tatime. Njësitë e vogla të pakicës, të cilat deri dje paguanin në bazë të xhirove fikse tatimet, tani me vënien e kasës dhe mbajtjen e librave të llogarisë u duhet të mbajnë bilanc e për rrjedhojë, të punësojnë një ekonomist. Pagesa e një biznesi të vogël për ekonomistin shkon deri në 5 mijë lekë në muaj, ndërsa nis e rritet për bizneset e mesme dhe të mëdha. Por ndërsa fiskalizimi shihet si një biznes i mirë për ekonomistët, për aktivitetet tregtare kjo është një kosto shtesë në morinë e shtrëngesave që janë shtuar së fundmi.
Orientimi i ekspertëve
Një nga ekonomistët e njohur në vend, Llazi Balliu, tha për ‘Monitor’ se aksioni antiinformalitet, me gjithë mangësitë, duhet përshëndetur, por dështimi, sipas tij, është i sigurt nëse bëhet me selektivitet. Me një përvojë të gjatë si kontabilist dhe financier në sektorin bankar, Balliu evidenton dy hapësira të mëdha të informalitetit. Njëri është prodhimi vendas, i cili del në treg pa asnjë lloj fature. Artikuj të tillë vendas si nafta, duhani, birra dhe çdo lloj artikulli që prodhohet në Shqipëri përfundon te konsumatori i pataksuar. Jo se ligji diferencon prodhimin vendas nga taksimi, por siç shihet tatimorët nuk kanë shfaqur aftësinë ta taksojnë deri tani, thotë Balliu. Sipas tij, hapësira tjetër e informalitetit janë furnizuesit e ndërmjetëm, ata që blejnë artikuj të importuesit dhe i shpërndajnë në pikat e pakicës. Zinxhiri i faturës ndërpritet kryesisht te hallka e mesme, e cila është pjellë e një evazioni të lartë fiskal.
Balliu tha se qeveria, para se të niste aksionin, duhet të kishte marrë në konsideratë sektorët që kanë evazionin më të lartë dhe të kishte bërë një ndërhyrje më të studiuar. Në këndvështrimin e tij, ky aksion më shumë do të ndihmojë bizneset e kasave se sa vetë biznesin, ekonominë në tërësi dhe qeverinë.
Ai tha se, edhe më parë kishte këshilluar autoritetet qeveritare që të mos këmbëngulnin me urgjencë te fiskalizimi i biznesit të vogël, pasi kjo duhet të vijë si ndërgjegjësim gradual. Formalizimi do të vijë zinxhir dhe do të jetë biznesi vetë që do të kërkojë kasën. Balliu propozon rikategorizimin sipas xhirove të bizneseve të vogla me më shumë se dy shkallë, në bazë të të cilave të vilen tatimet vjetore, ndërsa përdorimi i kasës të lihet fakultativ. Ato biznese që zgjedhin të përdorin kasën duhet të jenë në fokusin e kontrolleve tatimore dhe kjo do të jetë më e lehtë. Duke kontrolluar hallkat e ndërmjetme, pikat fundore të pakicës lehtësisht do të kërkojnë vetë fiskalizimin, pohon eksperti.
Për Selami Xhepën, ekspert i njohur i fushës, ish-deputet, aksioni ka shumë dritëhije. Pa paragjykuar rezultatet, ai tha se, mungon totalisht transparenca dhe serioziteti me të cilin qeveria pretendon të reduktojë informalitetin. Ky synim i qeverisë nuk mund të realizohet me aksion, por me një vullnet konsistent të politikës dhe veçanërisht të administratës tatimore, e cila paguhet me taksat tona dhe e ka për detyrë të mos lejojë biznese që nuk janë të regjistruara. Xhepa vuri në dukje mbylljen e dyqaneve pa leje në zemër të Tiranës, por ndërkohë nuk pa një vendim të tatimeve për të shkarkuar inspektorët e këtyre zonave që i kishin lejuar këto aktiviteteve lehtësisht të verifikueshme. Reforma duhet të niste brenda sektorit tatimor dhe doganor, të cilët janë shkaktarët kryesorë për evazionin si rezultat i korruptimit sistematik dhe të papërgjegjshmërisë totale në punë. Duke reformuar administratën dhe ligjet antievazion atëherë rruga për kontrollet në terren do të ishte e shtruar mirë dhe më e besueshme, pohoi Xhepa.