Arben Kola thirrje qytetarëve: Ruani qetësinë, më 11 korrik protestë para zyrave të OKB-së
Në ditën 33-të të qëndresës, bashkë-organizatori i protestës përballë Kryeministrisë, Arben Kola u pa në tone më të qeta dhe ka bërë një thirrje publike drejtuar qytetarëve, duke kërkuar vetëpërmbajtje, duke parë se çfarë ndodhi paraditen e sotme përpara Kuvendit të Shqipërisë. Nga ana tjetër, ai tha se më 11 korrik do të mbahet një protestë para zyrave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Kola thekson se protesta synon të shprehë shqetësimet e qytetarëve për çështje që lidhen me të drejtat dhe kërkesat e tyre, duke nënvizuar se veprimi duhet të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe pa incidente. Ai u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të shmangin provokimet dhe të ruajnë rendin gjatë tubimit, duke theksuar rëndësinë e një proteste të organizuar dhe të qetë.
”Kjo polici tregon që tani ndodhet para një dileme, ti shërbejnë mafies apo popullit. Duhet të jeni të vëmendshëm e të mos bini pre e provokimeve. Ruani qetësinë, do ta rrëzojmë përmes një revolucioni paqësor Edi Ramën. Çfarë e vret këtë sistem të kalbur, është prania e fëmijëve dhe grave, njerëzve si ai që u tërhoq zvarrë sot, Altin Hila, që vjen çdo ditë nga Durrësi me një fëmijë të sëmurë. Një duartrokitje për të gjithë të arrestuarit, ata janë provokuar nga bandat brenda policisë. Thirrje për ambasadat, në veçanti atë të SHBA dhe atë të BE për ti hequr spinën Ramës se ata e kanë mbajtur me oksigjen. Nuk kemi qenë për dhunë, revolucioni është paqësor. Ata po kërkojnë dhunë. Nuk duhet të bie, pre e provokimeve”, tha Arben Kola.
KOHA JONË SONDAZH

